POLITIKATË FUNDIT

Veç 6 deputetë të rinj shqiptarë pritet t’i ketë Kuvendi

KQZ-ja ka numëruar mbi 80 për qind të votave të kandidatëve për deputetë. Sipas rezultateve të deritanishme, në Kuvend pritet të sigurojnë ulëse për herë të parë 6 kandidatë nga partitë shqiptare. E 31 është numri i ulëseve që kanë siguruar kandidatet pa ndihmën e kuotës gjinore
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka numëruar rreth 80 për qind të votave të kandidatëve për deputetë të mërkurën, e sipas të dhënave, nga ky numërim, në përbërjen e re të Kuvendit nga partitë shqiptare do të sigurojnë ulëse vetëm 6 kandidatë për herë të parë. Pjesa tjetër janë deputetë të legjislaturës së fundit apo të legjislaturave të mëhershme.

Bazuar në rezultatet preliminare, LVV-ja do të ketë 48 deputetë, PDK-ja 24, LDK-ja 20 dhe AAK-ja 8.

E nga numërimi i deritashëm i votave për kandidatë, për herë të parë deputetë nga Vetëvendosje do të jenë: Osman Musliu, Arton Konushevci, Armend Baloku, Krenare Çerkini dhe Valon Peci. I gjashti është nga PDK-ja, Adriatik Berisha.

Në Kuvend pritet të kthehen edhe disa ish-deputetë, që të paktën në legjislaturën e fundit nuk siguruan ulëse.

Nga PDK-ja këtë pritet ta bëjnë Kosovare Murseli, Jakup Nura, Altin Krasniqi, Fadil Demaku, Bekim Haxhiu dhe Hajdar Beqa.

E përmes LDK-së në ulëse të legjislativit do të kthehet ish-presidentja Vjosa Osmani, që ishte bartëse e listës së kësaj partie në zgjedhjet e 7 qershorit. Përveç saj, në Kuvend pritet të kthehen edhe Arben Gashi, Shkëmb Manaj e Paris Guri.

Sipas të dhënave aktuale, nga AAK-ja priten të kthehen Ardian Gjini e Agim Çeku. Por, Gjini ka deklaruar se nuk do të jetë pjesë e Kuvendit dhe se do të lëshojë vend për kolegët e tij.

Nga katër partitë kryesore, 31 kandidate kanë siguruar ulëse pa ndihmën e kuotës gjinore. Nga to, 17 gra janë nga LVV-ja, 6 nga PDK-ja, 7 nga LDK-ja dhe 1 nga AAK-ja.

Kandidati më i votuar është Albin Kurti me mbi 180 mijë vota, i dyti Glauk Konjufca me mbi 140 mijë dhe i treti, Bedri Hamza me mbi 90 mijë.

Nga numërimi i mbi 80 për qind të votave, del se lideri i LVV-së Kurti siguroi 82 për qind të votave të përgjithshme të partisë, ai i AAK-së Ardian Gjini 81 për qind, i PDK-së Bedri Hamza 80 për qind, ndërsa bartësja e listës së LDK-së Vjosa Osmani mori 68 për qind të votave të partisë, kurse vetë lideri i LDK-së Lumir Abdixhiku 61 për qind.

KQZ-ja ende nuk ka filluar me numërimin e votave të diasporës, të cilat janë në proces të verifikimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *