OPINIONTË FUNDIT

Vazhdojnë kontrollet për produktet e qumështit, IQMT kryen 23 inspektime

Inspektorati Qendror i Mbikëqyrjes së Tregut (IQMT) ka njoftuar se inspektimet në treg po vazhdojnë në mënyrë intensive, me fokus të veçantë te produktet e qumështit, për shkak të mospërputhjeve të evidentuara në raportin e Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV).

Gjatë inspektimeve në terren, ekipet e IQMT-së kanë hasur produkte të cilat, sipas raportit të AUV-it, rezultojnë me mospërputhje.

Ndër produktet e evidentuara janë: Schmand VITA, 18% – 180 g; Schmand VITA, 18% – 400 g; Schmand VITA, 18% – 800 g; Mushroom Cream Cheese – 200 g; Mazë tradicionale DRENA – 1 kg; Holla Cooking Cream – 1 L; Qumësht MY COW – 3.2%; Mazë tradicionale MILKET – 800 g; dhe Schmand AJKA – 500 g.

Ndërkohë, ekipet e IQMT-së kanë realizuar edhe riinspektime në disa markete, të cilat ditë më parë ishin urdhëruar për tërheqjen e produkteve të qumështit që, sipas raportit të AUV-it, rezultonin me mospërputhje.

Gjatë këtyre riinspektimeve është verifikuar se operatorët ekonomikë kanë respektuar urdhëresat e IQMT-së dhe kanë ndërmarrë masat e kërkuara për tërheqjen e produkteve nga tregu.

Vetëm gjatë 24 orëve janë realizuar 23 inspektime në komunat: Gjilan, Prishtinë, Pejë, Ferizaj, Gjakovë, Podujevë dhe Mitrovicë.

IQMT-ja ka bërë të ditur se inspektimet në terren do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, me qëllim të mbrojtjes së konsumatorëve dhe garantimit të respektimit të legjislacionit në fuqi.

Në të njëjtën kohë, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT) u ka bërë thirrje konsumatorëve që të vazhdojnë të raportojnë çdo parregullsi lidhur me produkte të dyshimta.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *