TË FUNDIT

Varrimi i Ratko Mlladiç në Parlamentin Evropian: Eurodeputetët kërkojnë që BE-ja të ashpërsojë qëndrimin ndaj Serbisë

Varrimi i ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe, Ratko Mlladiç, me nderime ushtarake në Beograd, ka qenë sot temë debati në Parlamentin Evropian. Eurodeputetët kërkuan nga Bashkimi Evropian një qëndrim më konkret dhe më të ashpër ndaj Serbisë për glorifikimin e kriminelëve të dënuar të luftës.

Debati u zhvillua me titullin “Varrimi i kriminelit të luftës Ratko Mlladiç dhe glorifikimi i krimeve të luftës në Serbi”.

Mlladiç, i cili vdiq më 27 gusht në Hagë në moshën 84-vjeçare, po vuante dënim të përjetshëm për gjenocid në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte gjatë luftës në Bosnje dhe Hercegovinë. Ai u varros më 7 shtator në Beograd me nderime ushtarake, në një ceremoni ku morën pjesë edhe zyrtarë të lartë serbë.

Komisionerja evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, e cilësoi të pakuptimtë glorifikimin si hero të një personi të dënuar për krime të tilla. Sipas saj, pamjet nga varrimi janë shqetësuese dhe tregojnë se Serbia ende duhet të përballet me të kaluarën.

Kos njoftoi gjithashtu se Komisioni Evropian do të publikojë në fund të tetorit raportin e ri për përparimin e Serbisë, i cili do të marrë parasysh edhe zhvillimet e fundit.

Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë, Tonino Picula, kërkoi rishikim serioz të politikës së BE-së ndaj Beogradit. Ai tha se mënyra e organizimit të varrimit tregon edhe drejtimin politik të Serbisë së sotme dhe ngriti pyetjen nëse negociatat e anëtarësimit duhet të vazhdojnë në kushtet aktuale.

Eurodeputeti Davor Ivo Stier tha se politika aktuale e BE-së ndaj presidentit serb Aleksandar Vuçiq është “e vakët dhe joefektive”. Ai kërkoi që fondet evropiane të mos përdoren për mbështetjen e atyre që glorifikojnë kriminelët e luftës dhe nuk distancohen nga politika e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Megjithatë, Kos theksoi se pamjet nga varrimi nuk përfaqësojnë të gjithë shoqërinë serbe, duke përmendur qytetarët, të rinjtë, gazetarët, artistët dhe të tjerët që kundërshtojnë glorifikimin e kriminelëve të luftës dhe kërkojnë ndryshime.

Debati në Parlamentin Evropian e riktheu kështu në qendër të vëmendjes çështjen e përballjes së Serbisë me të kaluarën e luftës dhe ndikimin që kjo mund të ketë në raportet e saj me Bashkimin Evropian dhe procesin e anëtarësimit.(INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *