Urime fillimin e vitit të ri akademik
Çdo fillim akademik është një ftesë për të menduar sërish se çfarë kërkojmë nga dija, çfarë presim nga vetja dhe çfarë bote duam të ndërtojmë.
Universiteti përveç se institucioni ku mësojmë profesionin është edhe vendi ku njeriu mëson të mendojë, të dyshojë, të kërkojë kuptimin dhe, mbi të gjitha, të njohë më mirë veten dhe kohën në të cilën jeton.
Në qendër të këtij udhëtimi është studenti – jo vetëm si marrës i dijes, por si krijues i saj, si pyetës, si kritik dhe si bartës i së ardhmes.
Prandaj, në këtë fillim të ri, ju uroj të punoni me këmbëngulje, të kritikoni me ndershmëri dhe ta doni pa kushte Universitetin tuaj.
Sepse dashuria për të nuk matet me heshtjen përballë mangësive, por me guximin për ta parë atë me dashamirësi, për ta kritikuar me ndershmëri dhe për të dhënë nga vetja që ai të bëhet më i mirë.
Mos harroni se liria nuk është vetëm çlirim, por edhe vetëdije. Është aftësia për të menduar përtej asaj që na është dhënë, për të pyetur atë që duket e padiskutueshme dhe për të zgjedhur me përgjegjësi atë që duam të bëhemi.
Sepse një shoqëri që nuk mendon thellë, rrezikon të jetojë sipërfaqësisht edhe momentet e saj më të mëdha historike. Ndërsa një shoqëri që di të mendojë, di edhe ta kuptojë historinë, ta çmojë lirinë dhe ta ndërtojë të ardhmen me vetëdije.
Në këtë fotografi, mes ngjyrave të vjeshtës, qëndron themeluesi dhe Rektori i parë historik i Universitetit të Tetovës si një kujtesë se universitetet nuk lindin vetëm nga gurët e mureve, por nga guximi i njerëzve që besojnë tek drita e dijes.
Ai e donte lapsin dhe fletoren si dy elemente të domosdoshme për të hyrë në auditor. Sot, pas gjithë këtyre viteve, ato mbeten ndoshta dy nga simbolet më të bukura të misionit tonë.
Sepse lapsi është arma që nuk vret, por shkruan.�Fletorja është dëshmia që nuk hesht dhe dija është forca që nuk shkatërron, por ndërton dhe arsimi është rruga që e shndërron lirinë në vetëdije dhe vetëdijen në paqe.
Prandaj, le të hyjmë edhe këtë vit në auditorë me lapsin në dorë dhe me mendjen të hapur, me respekt për atë që është ndërtuar para nesh dhe me guxim për të shkruar atë që ende nuk është shkruar.
Sepse historinë nuk e ndryshojnë ata që mbajnë armët më të forta, por ata që mbajnë idetë më të fuqishme.
Të dashur studentë, profesorë dhe pjesëtarë të komunitetit akademik, ju uroj një vit të ri akademik të mbushur me dije, kërkim, guxim, përkushtim dhe njerëz që do t’ju frymëzojnë të bëheni versioni më i mirë i vetes.
Prof. Dr. Vullnet Ameti
