POLITIKATË FUNDIT

UNITETI është domosdoshmëri kombëtare, JO zgjedhje politike!

E kam theksuar vazhdimisht se bashkimi i shqiptarëve në një koalicion të vetëm për zgjedhjet parlamentare ishte, është dhe mbetet jetik për të ardhmen e shqiptarëvenë Serbi.

Në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, ku sfidat janë tejet të mprehta dhe prekin drejtpërdrejt vetë ekzistencën, të drejtat dhe perspektivën e shqiptarëve, uniteti i mendimit dhe i veprimit duhet të kapërcejë çdo ndarje, dallim politik apo emocion të çastit. Përballë çështjeve madhore kombëtare, përgjegjësia duhet të jetë më e madhe se çdo interes partiak.

Edhe këto zgjedhje e konfirmuan qartë: kur jemi të bashkuar, rezultatet nuk mungojnë. Prandaj, urime shqiptarëve dhe përgëzime liderëve të subjekteve politike shqiptare për arritjen e këtij rezultati dhe për dëshminë se bashkimi sjell përfaqësim më të fuqishëm.

Megjithatë, ky rezultat nuk duhet të jetë pikëmbërritje, por pikënisje për një bashkëpunim më të qëndrueshëm, më të koordinuar dhe më të përgjegjshëm. Ndryshimet në skenën politike të Beogradit dhe zhvillimet e reja politike, përfshirë fitoren e Listës së Studentëve, krijojnë një realitet, pasojat e të cilit për shqiptarët ende mbeten të panjohura. Kjo kërkon vëmendje, vigjilencë dhe veprim të mençur politik.

Në veçanti, duhet të vazhdojmë me këmbëngulje përpjekjet për rikthimin e adresave të pasivizuara, mbrojtjen e të drejtave kombëtare dhe qytetare, si dhe krijimin e kushteve për zhvillim ekonomik dhe perspektivë të sigurt për shqiptarët në PMB.

Sot më shumë se kurrë, na duhet një strategji e përbashkët, një zë i koordinuar dhe një angazhim i pandërprerë për çështjet që na bashkojnë.

Uniteti nuk është thjesht formulë zgjedhore. Është përgjegjësi historike dhe kusht për të mbrojtur të drejtat, dinjitetin dhe të ardhmen tonë.

Çështjet madhore kombëtare kërkojnë përgjegjësi të përbashkët. Koha është për veprim të koordinuar, përtej ndarjeve dhe interesave afatshkurtra.

Për të drejtat tona, për përfaqësimin tonë dhe për të ardhmen e shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *