“Unë presidente ose le të kallet Kosova”, Fitore Pacolli e kritikon Vjosa Osmanin
“Unë presidente ose le të kallet Kosova”, kështu thotë ministrja në detyrë e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Fitore Pacolli, për Vjosa Osmanin. Sipas saj, ish-presidentja, tashmë bartëse e listës zgjedhore të LDK-së, po tregon papjekuri politike dhe ego personale për pushtet. Thekson se rikthimi i saj në partinë e Lumir Abdixhikut është bërë për interesa personale private.
Pacolli në një intervistë për KosovaPress thotë se ky zhvillim politik, por edhe largimi i disa ish-deputetëve të Grupit parlamentar të LVV-së në LDK, nuk do ta dëmtojë partinë e Albin Kurtit në zgjedhjet e 7 qershorit.
“Unë presidente ose le të kallet Kosova”, Pacolli e kritikon Osmanin
“Çfarë pamë prej lëvizjeve të fundit që e bëri vetë ish-presidentja, ishin që ose unë presidente, ose le të kallet ky vend. Kështu që, ose unë presidente ose askush tjetër, kjo nuk do të duhej të vinte prej një gruaje, e cila është vlerësuar jashtëzakonisht shumë edhe prej qytetarëve, edhe prej Lëvizjes Vetëvendosje, edhe bashkimi i saj me Lëvizjen Vetëvendosje na solli rezultatin, të cilin e kemi pasur… Unë edhe shumë qytetarë të tjerë në shtetin e Kosovës nuk e kishin menduar ndonjëherë që një person, të cilin ata e kanë vlerësuar deri në atë masë, mund të përdorë gjuhë të tillë dhe të kthehet në një komunikim të tillë. Komunikimi i saj ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, ndaj kryeministrit Kurtit, që për të fillimisht ishim më të mirët, ishim më të zotët dhe punonim më së miri, të kthehet në një gjuhë të tillë, tregon shumë për pjekurinë e saj politike. Tregon se sa është e gatshme një person i tillë, pra me qasje të tillë, ta meritojë që ndoshta të ketë një pozicion të lartë shtetëror…. 13:00 Vjosa-Lumiri janë bashkim për interesat e tyre private, individuale. Pra për interesat e tyre, për ambiciet e tyre për pushtet. Pra, nuk janë bashkim për t’i sjellë diçka të mirë popullit. Nuk janë bashkim për të fuqizuar partinë e tyre, pra nuk janë as për LDK-në. Pra, janë për interesat e veta”, thotë ajo.
Pacolli e vë në pikëpyetje peshën e tyre elektorale jashtë listës së LVV-së. Thotë se Haxhi Avdyli, Jeta Statovci dhe Albena Reshitaj nuk e kanë vlerësuar në mënyrë të drejtë mbështetjen që kanë marrë nga qytetarët në zgjedhjet e fundit.
Ajo shtoi se gjatë kohës kur kanë qenë pjesë e listës së Vetëvendosjes dhe Guxo, këta kandidatë janë vlerësuar dhe janë përfshirë në pozita të favorshme, por largimi i tyre, sipas saj, tregon mungesë të gatishmërisë për të vazhduar projektin politik të përbashkët.
Sa vota do t’i marrin të larguarit e LVV-së në LDK, sipas Pacollit?
“Kjo tregon që këta kandidatë, të cilët janë larguar prej listës së Vetëvendosjes dhe partisë së tyre Guxo, nuk e kanë vlerësuar shumë mendimin e qytetarëve, sepse numrin e votave, të cilat i kanë fituar ata në kuadër të listës së Lëvizjes Vetëvendosje, kanë qenë të vlerësuar sepse kanë qenë në listën e Lëvizjes Vetëvendosje. Tani rezultatin e vërtetë, vlerësimin e vërtetë ata do ta shohin derisa janë në një parti tjetër. Ne tashmë kemi dëshmuar si Lëvizje Vetëvendosje se çdo kandidat, i cili ka garuar në listën e Lëvizjes Vetëvendosje është vlerësuar në maksimum për shkak edhe të listës se ku ka qenë i përfshirë. Në momentin kur kanë dalë prej listës së Lëvizjes Vetëvendosje, e kemi parë vlerën e tyre dhe sa i vlerëson populli… Po, ne kemi rrugëtuar me të gjithë këta, të cilët i përmendët, për ne kanë qenë kolegë, i kemi respektuar, i kemi vlerësuar. I kemi siguruar vende të mira në listat tona si Lëvizje Vetëvendosje dhe partia e tyre Guxo. Por, në momentin kur ata kanë vendosur që të largohen, i bie që nuk janë të gatshëm që ta shtyjnë ndryshimin deri në fund”, tha Pacolli.
Pacolli, e cila është edhe kandidate për deputete nga LVV-ja, është optimiste se subjekti i saj politik në zgjedhjet e ardhshme mund të tejkalojë rezultatin prej 51.1% të votave të arritura në zgjedhjet e fundit.
Sipas saj, lista zgjedhore e LVV-së nuk ka pasur nevojë për ndryshime të mëdha, pasi, siç theksoi ajo, “populli e ka vlerësuar atë listë duke i dhënë mbi 51% të votave”.
Pacolli shtoi se lista aktuale është plotësuar dhe përfaqëson grupe të ndryshme shoqërore, duke theksuar se qytetarët mund të gjejnë përfaqësim më të gjerë brenda saj. Sipas saj, kjo do të ndikojë që LVV-ja të arrijë rezultatin më të mirë ndonjëherë.
Sa për qind do t’i marrë LVV-ja në zgjedhjet e 7 qershorit?
“Lista jonë është një listë, e cila do të na sjellë rezultate më të mira sesa kishim në zgjedhjet e kaluara. Tani lista nuk ka pasur nevojë që të ndryshohet plotësisht, sepse ajo listë neve na ka fituar mbi 51% të votave. Kështu që populli na ka treguar që ka qenë një listë e mirë edhe e ka votuar atë listë. Tani lista është plotësuar, është bërë edhe më e mirë. Prandaj, presim edhe rezultat akoma më të mirë. Po ne presim që kjo listë të na sjellë një rezultat edhe më të mirë sesa në zgjedhjet e kaluara. Kështu që kjo listë i përfaqëson grupe të ndryshme shoqërore. Kështu që është tejet e rëndësishme, sepse secili qytetar e gjen përfaqësuesin e vet në këtë listë. Prandaj, edhe po besojmë që kjo listë do të na sjellë rezultatin më të mirë që kemi pasur ndonjëherë si Lëvizje Vetëvendosje”, shton ajo.
Në lidhje me situatën politike dhe zgjedhjen e presidentit, Pacolli përmendi dy skenarë të mundshëm.
Sipas saj, rruga e parë është që qytetarët t’i japin LVV-së një mandat të fuqishëm qeverisës, duke siguruar stabilitet institucional dhe vazhdim të reformave të nisura.
Ndërsa, rruga e dytë, sipas saj, është që partia të dalë sërish fituese me rezultat të lartë dhe në këtë rast opozita të respektojë vullnetin e qytetarëve dhe të bashkëpunojë për zgjedhjen e presidentit pa bllokada institucionale.
Zgjedhja e presidentit, cilët janë dy skenarët, sipas Pacollit?
“Unë thashë që janë dy rrugë. Njëra është që qytetarët përfundimisht ta dërgojnë një mesazh të qartë edhe të drejtë që vetëm Lëvizja Vetëvendosje të udhëheqë shtetin. Pra, ta kemi një qeveri stabile, një udhëheqje afatgjate, diku në një mandat të plotë, edhe që të arrijmë t’i shtyjmë ndryshimet pozitive, të cilat i kemi nisur dhe kanë mbetur në gjysmë. Edhe rruga e dytë që mund edhe ta zgjedhim presidentin pa pasur nevojë për mbështetje. Edhe rruga e dytë është që ne prapë të dalim fitues, të kemi një rezultat shumë më të mirë sesa që e kemi pasur në zgjedhjet e kaluara e në të njëjtën kohë opozita ta lexojë mesazhin e popullit, ta respektojë atë edhe të bashkëpunojë me ne për të zgjedhur presidentin”, tha Pacolli.
