TË FUNDIT

U rrahën dhe përdorën mjete të mprehta, ndalohen tre të mitur për tentimvrasje në Gjilan

Prokuroria Themelore në Gjilan bën të ditur se Departamenti për të mitur, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në Gjilan, rreth orës 13:00 ka ndaluar tre persona të mitur të cilët dyshohen për veprën penale “Tentim Vrasje” nga neni 172 lidhur me nenin 28 i Kodit Penal të Kosovës.

Në njoftim thuhet se rasti ka ndodhur në rrugën “Mësuesit e viteve 90’ta” në Gjilan, të cilët pas një mosmarrëveshje ndërmjet dy grupeve janë rrahur fizikisht mes vete ku gjatë rrahjes janë përdorur mjete të mprehta, duke pësuar lëndime trupore.

Me të marrë informacionet e para Policia ka reaguar menjëherë dhe në bashkëpunim me prokurorin e shtetit ka ndaluar të njëjtit për 24 orë, për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “Tentim Vrasje”.

Prokuroria Themelore në Gjilan, ndaj të miturve ka filluar hetimet si dhe brenda afateve kohore është paraqitur kërkesa për caktimin e paraburgimit pranë Gjykatës Themelore në Gjilan, Departamentit për të Mitur.

Ndërkaq, në raportin 24 orësh bëhen të ditura detaje të rastit.

“Është raportuar për një rrahje në mes të dy grupeve të mitur (dyshohet se kanë qenë nëntë persona). Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka konfirmuar se si pasojë e përdorimit të mjeteve të ftohta, dy meshkuj të mitur kanë pësuar lëndime trupore, njëri është dërguar në Spitalin Rajonal, ndërsa tjetri në QKUK”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *