U godit nga policia para Ministrisë së Arsimit, 21-vjeçari ka krisje të shtyllës kurrizore – Ministria përditësim për gjendjen e të lënduarve
Gjatë protestës së 16 tetorit në Tiranë, 21 persona kanë marrë trajtim mjekësor në Spitalin Universitar të Traumës, mes tyre 8 efektivë policie, 10 protestues, përfshirë 3 të mitur, dhe 3 kalimtarë.
Në një përditësim të gjendjes shëndetësore të të plagosurve në protestën e djeshme, Ministria e Shëndetësisë bën të ditur se dy persona vijojnë të marrin shërbim mjekësor; një kalimtar, në gjendje të stabilizuar, dhe një protestues 21-vjeçar, i cili ka pësuar krisje të shtyllës kurrizore.
I riu po trajtohet dhe monitorohet nga ekipi i neurokirurgjisë. Sipas informacionit të spitalit, për momentin nuk ka indikacion për ndërhyrje kirurgjikale dhe nuk rezulton rrezik për paralizë.
Kujtojmë që 21-vjeçari u godit një ditë më parë nga Policia para Ministrisë së Arsimit.
Të gjithë personat e tjerë të trajtuar në Spitalin e Traumës janë larguar me këshillën e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, në Spitalin Rajonal të Vlorës kanë marrë trajtim një efektiv policie dhe dy të mitur, të cilët janë larguar pas marrjes së ndihmës mjekësore. Në Spitalin Rajonal të Lezhës është trajtuar gjithashtu një e mitur, e cila ka lënë spitalin. /a2cnn/
