TË FUNDIT

Tre shekuj larg atdheut, Arbëneshët e Zarës rikthehen në Tivar, në trojet ku nisi historia e tyre

Ndoshta askush prej tyre nuk e kishte parë më parë Shestanin, as Ljaren, as Briskun. Por kur autobusi ndaloi pranë Kishës Shën Pjetri në Lukiq (Shestani Nalt) dhe gurëve të lashtë të krahinës prej nga ishin nisur paraardhësit e tyre tre shekuj më parë, shumë prej tyre nuk ndiheshin si vizitorë.

Pas 300 vitesh nga shpërngulja e shqiptarëve nga Kraja dhe rrethinat e Tivarit drejt Zarës së Kroacisë, dhjetëra pasardhës të Arbëneshëve u rikthyen në vendin nga ku kishte nisur historia e familjeve të tyre.

Për breza me radhë, emrat e Shestanit, Ljares dhe Briskut kishin jetuar vetëm në kujtesë. Në tregimet e gjyshërve. Në rrëfimet e ruajtura brenda familjeve. Në një mall të trashëguar që kishte mbijetuar më gjatë se gjuha. Rrugët që dikur i kishin përshkuar stërgjyshërit e tyre, duke lënë pas shtëpitë, tokën dhe varret e të parëve, këtë herë, pas 300 vitesh, u përshkuan në drejtim të kundërt.

Në oborrin e kishës së vjetër, mes gjetheve të vjeshtës dhe varreve të gurta, Arbëneshët e Zarës u ndalën për një fotografi të përbashkët. Një fotografi e zakonshme në pamje të parë. Por, në të vërtetë, ishte fotografia e një historie që kishte pritur 300 vjet për t’u plotësuar.

Arbëneshët e Zarës, të njohur edhe si Arbanasi, janë një komunitet shqiptar historik që jeton në dhe përreth qytetit të Zarës (Zadarit) në Kroaci. Ata konsiderohen një nga kolonitë më të vjetra shqiptare në Ballkan jashtë trojeve etnike shqiptare. Shumica e paraardhësve të tyre ishin shqiptarë katolikë nga zona e Krajës pranë Liqenit të Shkodrës, sot në territorin e Malit të Zi. Ata u shpërngulën në Dalmaci gjatë shekujve XVII-XVIII, kryesisht në valët migratore të viteve 1726-1733.

Pikërisht të shtunën e kaluar, pasardhësit e Arbëneshëve të Zarës përkujtuan 300-vjetorin e shpërnguljes së shqiptarëve nga Kraja dhe Tivari drejt Kroacisë.

Pasi kaluan ditën duke vizituar tokat dhe varret e të parëve , mbrëmja vazhdoi në Tivar, ku Arqipeshkvia e Tivarit organizoi një pritje për mysafirët e ardhur nga Kroacia.

Aktiviteti u zhvillua në ambientet e Konkatedrales së Shën Pjetrit në Tivar, ku arbëneshët e ardhur nga Zara u mirëpritën nga Imzot Rrok Gjonlleshaj, Arqipeshkëv i Tivarit, dhe Don Albert Jakaj, famullitari i Tivarit.

Krahas arbëneshëve të ardhur nga Zara dhe banorëve të trevës, në këtë takim të veçantë mori pjesë edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, duke i dhënë ngjarjes një dimension më të gjerë të kujtesës dhe lidhjes ndërshqiptare, përtej kufijve që historia ka ngritur ndër shekuj.

Në sallën e mbushur me njerëz, tavolina të gjata, biseda dhe kujtime, nuk kishte nevojë për shumë fjalë për të kuptuar rëndësinë e këtij takimi. Shumë prej të pranishmëve nuk flasin më shqip, por historia e prejardhjes së tyre vazhdon të jetojë. Vazhdon të jetojë në mbiemra, në familje, në kujtime.

Dhe, mbi të gjitha, në vetëdijen se rrënjët e tyre ndodhen në këtë cep të Adriatikut.

Në fjalën e mirëseardhjes, Rrok Gjonlleshaj, Kryeipeshkop i Tivarit, u kujtoi mysafirëve se kishin ardhur jo si të huaj, por si bij të kësaj toke. Ai theksoi se paraardhësit e tyre kishin lënë pas shtëpitë dhe tokën, por kurrë besimin, familjen, gjuhën, zakonet dhe kujtimin për vendlindjen.

“Koha mund të kalojë, brezat mund të ndryshojnë dhe njerëzit mund të largohen larg vendlindjes së tyre, por rrënjët mbeten”, ishte një nga mesazhet që preku më së shumti të pranishmit.

Ai i ftoi Arbëneshët që këtë 300-vjetor të mos e shohin vetëm si një kujtim historik, por si fillimin e një lidhjeje të re ndërmjet Zarës dhe krahinës nga dolën të parët e tyre.

“Dobro došli u zavičaj svojih predaka. Dobro došli među svoje.”

“Mirë se erdhët në vendlindjen e paraardhësve tuaj. Mirë se erdhët mes tuajve.”

Gjatë mbrëmjes u shfaq filmi dokumentar “Arbëneshët e Zarës” i regjisorit Vranin Gecaj , kushtuar historisë së Arbëneshëve, rrugëtimit të tyre dhe përpjekjeve për ruajtjen e identitetit gjatë tre shekujve larg vendlindjes së të parëve.

Historia e Arbëneshëve të Zarës është një nga historitë më të jashtëzakonshme të kujtesës shqiptare.

Tre shekuj më parë, të parët u detyruan të shpërngulen nga trojet e tyre duke filluar një jete të re në Zarë. Koha ndryshoi shtete, kufij e gjuhë, por nuk arriti ta shuajë kujtesën.

Dhe këtë nëntor, pas 300 vitesh, pasardhësit e tyre, në një kthim simbolik, u rikthyen sërish në Shestan, Ljare dhe Brisk për të dëshmuar se rrënjët mund të mbulohen nga koha, por nuk humbin kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *