TË FUNDIT

Trashëgimia shqiptare e Kumanovës dhe Likovës dokumentohet përmes një projekti shkencor

Studiuesit e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup kanë hulumtuar rreth 20 fshatra, duke dokumentuar gjuhën, historinë, folklorin dhe traditat e shqiptarëve të kësaj treve.

Një projekt shkencor gjithëpërfshirës ka vënë në fokus ruajtjen dhe dokumentimin e trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të Kumanovës dhe rrethinës, me theks të veçantë në fshatrat e Komunës së Likovës.

Historiani Sevdail Demiri, bartës formal i projektit, ka bërë të ditur se një vit më parë nisi puna në terren për realizimin e projektit “Mbledhja dhe hulumtimi i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve të zonës së Kumanovës me rrethinë dhe krijimi i Platformës Elektronike të Trashëgimisë Kulturore Shqiptare në RMV”.

Projekti, i mbështetur nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, synon hulumtimin, studimin, dokumentimin dhe digjitalizimin e trashëgimisë kulturore shqiptare, duke krijuar mundësi që vlerat e saj të ruhen dhe të përcillen te brezat e ardhshëm.

Gjatë punës në terren, grupet e studiuesve nga Departamenti i Gjuhës Shqipe, Departamenti i Historisë dhe Departamenti i Etnologjisë eksploruan rreth 20 fshatra, kryesisht në Komunën e Likovës. Ata zhvilluan intervista me qindra gra dhe burra të moshuar, të cilët ndanë njohuritë, kujtimet dhe përvojat e tyre për aspekte të ndryshme të jetës kulturore dhe historike të kësaj treve.

Hulumtimet përfshinë të folmet shqipe, leksikun, onomastikën, mikrotoponiminë, antroponiminë, frazeologjinë, si dhe aspekte të sociolinguistikës dhe etnolinguistikës. Një vëmendje e veçantë iu kushtua edhe riteve të dasmave dhe vdekjeve, festave kalendarike, zakoneve, traditave, folklorit dhe këngëve popullore.

Në kuadër të projektit u trajtuan gjithashtu ngjarje dhe personalitete historike, si dhe ndryshimet demografike që kanë ndikuar në zhvillimin e kësaj treve shqiptare.

Demiri ka falënderuar dhe përgëzuar koordinatoren e projektit, Hidajete Azizi, si dhe studiuesit nga Kumanova, Shejnaze Ajdini, Minir Ademi, Sali Islami dhe Ardian Ramadani, të cilët u angazhuan drejtpërdrejt në organizimin dhe realizimin e punës në terren.

Ai ka shprehur mirënjohje edhe për drejtorin e Institutit, kolegët pjesëmarrës dhe bashkëpunëtorët e jashtëm, profesorët Asllan Hamiti, Izaim Murtezani, Nebi Dervishi, Valbona Toska dhe Mustafa Ibrahimi, për kontributin dhe udhëzimet e tyre shkencore.

Sipas Demirit, projekti përfaqëson një nga nismat më gjithëpërfshirëse të Institutit, nga e cila kanë dalë tema dhe ide të shumta për hulumtime të mëtejshme shkencore. Ai theksoi se edhe tryeza shkencore e organizuar në kuadër të kësaj nisme është fryt i punës së zhvilluar gjatë hulumtimeve në terren.

Një falënderim të veçantë Demiri ia ka drejtuar edhe të gjithë respondentëve, të cilët pranuan të bëhen pjesë e hulumtimit dhe ndihmuan në dokumentimin e vlerave kulturore të shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës.

Ky projekt synon të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës kolektive, të pasurisë gjuhësore, historike dhe etnokulturore të shqiptarëve të kësaj treve, duke i dhënë trashëgimisë së tyre një hapësirë më të madhe në studimet shkencore dhe në platformat elektronike të dokumentimit kulturor. (INA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *