TË FUNDIT

Trajneri i Galatasarayt mahnitet nga Barcelona: “Janë si një makineri e përsosur”

Trajneri i Galatasarayt, Okan Buruk, ka vlerësuar cilësinë e futbollistëve të Barcelonës pas humbjes 4-1 ndaj gjigantit katalunas në Ligën e Kampionëve, duke theksuar se lojtarët vendas kanë një mirëkuptim të jashtëzakonshëm në fushë, sikur të komunikonin në mënyrë telepatike.

Në një intervistë për gazetën spanjolle Mundo Deportivo , Buruk foli me admirim për mënyrën se si luan Barcelona.

“Luajtëm kundër futbollistëve që e njohin njëri-tjetrin përmendësh. Ata janë si një makineri e përsosur. Jemi të trishtuar, sepse humbëm”, deklaroi trajneri turk.

Pavarësisht rezultatit të thellë, Buruk u shpreh krenar me paraqitjen e futbollistëve të tij. Sipas tij, Galatasaray e përfaqësoi denjësisht futbollin turk dhe tregoi në momente të caktuara se mund të përballet edhe me skuadrat më të forta të Evropës.

“E dëshmuam se jemi një skuadër që e meriton të luajë në Ligën e Kampionëve, si përmes asaj që treguam në fushë, ashtu edhe për atmosferën që krijuan tifozët tanë”, shtoi ai.

Duke folur për arsyet e humbjes, trajneri i Galatasarayt pranoi se skuadra e tij u kaplua nga paniku përballë presionit të lartë të Barcelonës. Në vend që ta qarkullonin topin dhe ta lexonin lojën, futbollistët e tij zgjodhën shumë shpesh pasimet e gjata.

“Në pjesën e parë, deri në një moment të caktuar, bëmë atë që kishim planifikuar. Megjithatë, drejt fundit të pjesës së parë u tërhoqëm shumë pranë zonës së penalltisë, gjë që nuk e dëshiroja”, shpjegoi Buruk.

Galatasaray kishte kaluar në epërsi në minutën e 28-të me golin e Alexey Batrakov, por Barcelona barazoi në minutën e 43-të me Joao Cancelon, duke bërë që pjesa e parë të përfundonte 1-1.

Në pjesën e dytë, skuadra katalunase mori kontrollin e plotë të ndeshjes. Fermin Lopez dhe Anthony Gordon shënuan në minutat 50 dhe 53, ndërsa Karim Adeyemi realizoi golin e katërt në minutën e 65-të, duke vulosur fitoren 4-1 të Barcelonës./ Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *