TRAGJEDI NË BOSNJË / U rrëzua helikopteri ushtarak i EUFOR-it: 4 të vdekur dhe 11 të plagosur — zbardhen detajet nga vendngjarja!
Katër pjesëtarë të forcës ushtarake të Bashkimit Evropian në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR) kanë humbur jetën dhe 11 të tjerë janë plagosur pasi një helikopter ushtarak italian i llojit CH-47 Chinook u rrëzua gjatë një operacioni rutinë në verilindje të vendit, njoftuan të enjten zyrtarët e misionit, përcjell INA.
Përplasja e mjetit fluturues ndodhi në fshatin Gorice, një zonë rurale në përbërje të Distriktit të Bërçkos pranë kufirit me Kroacinë, ku mjeti ushtarak pësoi defekt ose humbje kontrolli për arsye që mbeten ende nën hetim.
Viktimat e konfirmuara përfshijnë dy pjesëtarë të Forcave të Armatosura të Italisë dhe dy pjesëtarë të Kryqit të Kuq Ushtarak Italian, ndërsa nga të plagosurit, dy ushtarakë në gjendje më të rëndë janë transferuar në Qendrën Spitalore Universitare në Tuzëll dhe nëntë të tjerë po marrin trajtim mjekësor në spitalin e Bërçkos. Ekipet e emergjencës, policisë lokale dhe zjarrfikësve kanë rrethuar e siguruar vendngjarjen, ndërkohë që EUFOR-i konfirmoi se nga aksidenti nuk ka pasur civilë të lënduar apo dëmtime në infrastrukturën civile. Misioni paqeruajtës evropian u ka bërë thirrje qytetarëve dhe mediatizimit publik që të shmangen spekulimet dhe dezinformatat derisa grupi hetimor ushtarak të përcaktojë shkaqet teknike apo rrethanat e plota të kësaj tragjedie.(INA)
