Toshkovski për 11 Tetorin: Lirinë e trashëguam, detyrën për ta mbrojtur e kemi ne
Le të na kujtojë 11 Tetori se dashuria për atdheun dëshmohet me vepra, përgjegjësi dhe kujdes për brezat e ardhshëm, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski, i cili ishte pjesë e delegacionit qeveritar që sot në mëngjes bëri homazhe për luftëtarët e lirisë në Varrezat Partizane në Butel.
Ministri në Fejsbuk uroi 11 Tetorin – Ditën e Kryengritjes Popullore, duke shkruar se kjo ditë është simbol i guximit, sfidës dhe vendosmërisë së popullit maqedonas për të qëndruar në anën e duhur të historisë.
“Sot, si pjesë e delegacionit qeveritar, në varrezat partizane në Butel, u bëjmë homazh heronjve që e filluan luftën për një Maqedoni të lirë në vitin 1941. 11 Tetori është simbol i guximit, sfidës dhe vendosmërisë së popullit maqedonas për të qëndruar në anën e duhur të historisë, në luftën kundër fashizmit, për liri, drejtësi dhe dinjitet njerëzor”, shënoi Toshkovski në profilin e tij në Fejsbuk. Brezat para nesh luftuan për lirinë që përjetojmë sot, thotë ai, dhe “detyra jonë është ta mbrojmë atë, të forcojmë shtetin dhe të ndërtojmë një Maqedoni në të cilën çdo qytetar do të ndihet i sigurt, i lirë dhe dinjitoz”.
“Si ministër i Punëve të Brendshme, besoj se ne tregojmë respektin më të madh për sakrificën e tyre përmes përkushtimit tonë të përditshëm ndaj sigurisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së paqes që na lanë si trashëgimi. 11 Tetori le të na kujtojë se dashuria për atdheun dëshmohet me vepra, përgjegjësi dhe kujdes për brezat e ardhshëm. Lavdia e luftëtarëve për një Maqedoni të lirë qoftë e përjetshme”!, shkroi ministri i Punëve të Brendshme.
