Thatësia ka shkaktuar vonesën e mbjelljeve vjeshtore në Maqedoninë e Veriut
Thatësira po shkakton vonesa në mbjelljen vjeshtore të kulturave bujqësore në rajonin e Shtipit.
Bujqit thonë se ndryshimet klimatike po u krijojnë probleme të mëdha para fillimit të mbjelljes së elbit dhe grurit. Për shkak të mungesës së reshjeve, ata nuk mund të hyjnë në arat e tyre për t’i lëruar. Shpresat i kanë te reshjet e mundshme të shiut gjatë fundjavës së ardhshme.
„Një vit të tillë nuk e mbajmë mend. Nuk ka reshje dhe pothuajse 80 deri në 90 për qind e sipërfaqeve nuk janë lëruar. Edhe pas korrjes nuk arritëm t’i lëronim, sepse edhe vera ishte e thatë“, deklaroi Goce Serafimovski, nënkryetar i Asociacionit të Bujqve.
Krahas thatësirës, rritja e shpenzimeve për mbjellje, veçanërisht e çmimit të naftës dhe plehrave artificiale, ka shtuar edhe kostot e prodhimit. Përgatitjet për mbjellje do t’u kushtojnë bujqve rreth 1.500 denarë për dynym, shpenzim që, sipas tyre, nuk është ekonomikisht i leverdishëm.
Serafimovski thotë se kanë kontakte me ministrinë përkatëse dhe do të kërkojnë ndihmë përmes Fondit Intervenues për t’u përballur me vështirësitë e krijuara.
Ndërkohë, bujqit në Maqedoninë e Veriut mbjellin rreth 85 për qind të sipërfaqeve me kultura drithërore gjatë vjeshtës, me qëllim që të sigurojnë rendimente më të larta.
