“Tentimi i grushtit nuk do të kalojë”, ish-eprori i UÇK-së shpërthen pas sulmeve ndaj Gërvallës: Kush fshihet prapa?
“Sot jemi tubuar këtu për ta ngritur zërin kundër një padrejtësie të madhe. Ne sot kërkojmë që këtë vendim Gjykata Speciale ta shfuqizojë dhe ta marrë parasysh këtë popull që është ngritur”, u shpreh ai.
Në përfundim të protestës, organizatorët paraqitën katër kërkesa drejtuar Qeverisë dhe Presidencës së Kosovës: shfuqizimin ose ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara; shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla; mbështetje të pakufizuar dhe fonde të mjaftueshme për mbrojtjen e të pandehurve; si dhe angazhimin e ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë për mbrojtjen e UÇK-së.
Gërvalla është kritikuar për mungesë reagimi ndaj Gjykatës Speciale pas dënimit të ish-krerëve të UÇK-së.
Të premten në mbrëmje, deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, shpërndau një fotografi të Donika Gërvallës, prapa së cilës ishte vendosur flamuri serb dhe mbishkrimi: “Donika Gërvalla, tradhtare e kombit”.
Ndërkohë, në një rast tjetër, i cili nuk lidhet drejtpërdrejt me protestën, Policia e Kosovës arrestoi një 32-vjeçar, nën dyshimin se kishte kërcënuar përmes rrjeteve sociale ministren Gërvalla dhe gazetarin Vudi Xhymshiti. Në kërcënimin e publikuar ishte përmendur edhe “plumbi”.
“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar për shkak se përmes rrjeteve sociale ka kanosur viktimën femër kosovare dhe viktimën mashkull kosovar. Me vendim të prokurorit, i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhej në njoftimin e Policisë së Kosovës.
Ish-eprori i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, pretendon se protestat dhe emocionet e qytetarëve që kundërshtojnë vendimin e Dhomave të Specializuara po keqpërdoren.
Miftari iu drejtua edhe Hysni Gucatit, duke e lidhur deklaratën e tij me të kaluarën e Donika Gërvallës dhe të familjes së saj.
“Tentimi i grushtetit i multimilionerëve dhe profiterëve të luftës nuk do të kalojë!
Kondomi i Sami Lushtakut, furagjia e multimilionerëve të degës së PDK-AAK-së, me emrin kinse kryetar i OVL-së së veteranëve të luftës, vjedhës i buxhetit të arsimit, merr rrogë pa punuar qe 18 vjet, vjedhës i fondeve të OVL-së, Hysni Ngucati, po keqpërdor protestën dhe emocionet e njerëzve që kanë dalë kundër vendimit të Gjykatës Speciale të Kosovës në Hagë dhe fajëson Qeverinë e Kosovës. Paramendo, Donika Gërvallën, vajzën e heroit tonë kombëtar, Jusuf Gërvallës, të vrarë nga UDB-ja serbe, në kohën kur ti, Ngucat, ishe pionier me shami të kuqe i shokut Tito!”, deklaroi Miftari për “Bota sot”.
Ai iu drejtua edhe Sami Lushtakut, duke pretenduar se kërkesat e protestuesve janë ndikuar prej tij dhe njerëzve që, sipas Miftarit, kanë lidhje me Milan Radoiçiqin.
“S’kemi çka i bëjmë magarit e t’i mëshojmë samarit! I nderuari vjedhës i buxhetit shtetëror, i nderuari kriminel i dënuar për pengim të drejtësisë së Gjykatës së Kosovës, edhe pse ke kërkuar pastaj falje ndoshta njëqind herë, edhe pse ke qarë si një grua sa ishe në burgun e Hagës, zotëri multimilioner i korrupsionit, Hysni Ngucati, kryeministri Albin Kurti nuk bëhet i bindur, nuk do t’i plotësojë kurrë dëshirat dhe kërkesat tuaja djallëzore, as sot, as kurrë.
Kërkesa këto, të bëra nga hija e inateve të shefit tuaj, Sami Lushtakut, dhe miqve të Milan Radoiçiqit! Grushteti i planifikuar nga një pjesë e multimilionerëve të PDK-AAK-së dhe Serbisë, e cila e ka humbur definitivisht veriun e Kosovës, kurse ish-pushtetarët e PDK-AAK-së kanë mbetur pa haraç, pa tenderë dhe pa grante bujqësore, nuk do t’ju dhezë”, përfundoi Miftari.
Më 16 shtator, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet.
Trupi gjykues i shpalli ata përgjegjës penalisht për krime lufte që lidhen me ndalimin arbitrar të 385 personave, trajtimin mizor të 49 personave, torturimin e 303 personave dhe vrasjen e 96 personave.
Sipas aktgjykimit, viktimat përfshinin shqiptarë të Kosovës që konsideroheshin kundërshtarë të UÇK-së, individë që pretendohej se kishin lidhje me Republikën Federale të Jugosllavisë ose me autoritetet serbe, si dhe pjesëtarë të pakicave etnike, përfshirë romë dhe serbë.
Në anën tjetër, të katër të akuzuarit u shpallën të pafajshëm për gjashtë akuzat që lidheshin me krimet kundër njerëzimit.
