POLITIKATË FUNDIT

Tensione të forta në OKB: SHBA dhe Kuba përplasen si në kohën e Luftës së Ftohtë

Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, një debat i rregullt për embargo-n amerikane ndaj Kubës u shndërrua në një përballje të ashpër që rikujtoi menjëherë epokën e Luftës së Ftohtë.

Ambasadori amerikan Mike Waltz po fliste kundër rezolutës vjetore që dënon sanksionet ndaj Kubës.

Ai kritikoi ashpër regjimin komunist, duke përmendur represionin, kampe të përqendrimit dhe pasurinë e elitës ndërsa populli vuante.

Në atë moment, ministri i Jashtëm kuban Bruno Rodríguez u ngrit, u afrua te podiumi dhe e ndërpreu me bujë, duke e quajtur “gënjeshtar”.

Waltz reagoi menjëherë: “Kjo është Amerika, miku im. Këto janë Kombet e Bashkuara. Kjo nuk është diktatura juaj komuniste. Nuk mund të më heshtni.”

Ai kërkoi që Rodríguez të largohej nga podiumi, duke theksuar se askush nuk do ta intimidonte siç intimidohen të burgosurit politikë në Kubë.

Seanca u pezullua përkohësisht.

Kjo skenë e tensionuar, me ngritje toni dhe përplasje direkte midis dy diplomateve, sjell në kujtesë përplasjet e vjetra midis Uashingtonit dhe Havanës.

Ekspertë të çështjeve ndërkombëtare në Kombet e Bashkuara në Nju Jork, theksojnë se, edhe pse kanë kaluar dekada nga fundi i Luftës së Ftohtë, rivaliteti ideologjik dhe politik mbetet i gjallë, sidomos tani kur Sekretar i Shtetit, është Marco Rubio.

Rubio, me rrënjë kubaneze, është një prej zërave më të fortë anti-komunistë në administratën amerikane. Familja e tij u detyrua të largohej nga Kuba për shkak të përndjekjes politike të regjimit të Kastros.

Qëndrimi i tij i vendosur kundër diktaturës komuniste, i bashkuar me politikën e “presionit maksimal” të presidentit Donald Trump ndaj Havanës, ka forcuar pozicionin e Uashingtonit.

Trump e ka konsideruar vazhdimisht regjimin kuban si një kërcënim për lirinë dhe stabilitetin në hemisferën perëndimore, duke mbështetur sanksione të rënda dhe duke inkurajuar ndryshime demokratike në ishull.

Debati për embargo-n, që zhvillohet çdo vit që nga 1992, vazhdon të shërbejë si fushëbetejë simbolike. Kësaj radhe, përplasja mund të kishte shkuar edhe më tej po të mos kishin ndërhyrë drejtuesit e Asamblesë së Përgjithshme.

Incidenti tregon se, edhe në 2026, disa konflikte të vjetra nuk janë shuar. Në sallën e OKB-së, ku duhet të sundojë dialektika diplomatike, shfaqet ende gjuha e përplasjes së dy botëve që dikur ndanin botën në dy blloqe.Nga: Beqir Sina

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *