Tensione brenda dhe jashtë Kuvendit: Protestë, gaz lotsjellës, të shoqëruar dhe përplasje në seancë
Është liruar nga Komisariati nr. 1 Arben Kola, një nga organizatorët e protestës së zhvilluar në Tiranë.
Pas daljes nga ambientet e policisë, Kola dha një prononcim për News24, ku tha se shoqërimi i tij erdhi ndërsa po bënte thirrjet e zakonshme të protestës.
“Thjesht po bëja thirrjet tona të zakonshme. Thirrjet ishin: ‘Ju me gaz, ne me vezë’, ‘Edi Rama i pabesë’. Si duket u bënë xhelozë”, u shpreh ai.
Sipas Kolës, efektivët nuk i dhanë një shpjegim konkret për shoqërimin.
“Nuk thanë asgjë. ‘Pse ke dalë, ligji ky e ligji ai’, siç janë akuzat që policia përdor për të shantazhuar protestuesit. Nuk u ushtrua presion”, deklaroi ai.
Kola përsëriti se shoqërimi ishte i motivuar nga mesazhet e protestës: “U bënë xhelozë nga fjalët që thashë”, përfundoi ai.
Protestuesit janë nisur drejt Komisariatit nr.1 në Tiranë, ku ndodhen të shoqëruar organizatori i protestës Arben Kola dhe disa protestues të tjerë.
Pas grumbullimit në sheshin “Skënderbej”, protestuesit kanë vendosur të zhvendosen drejt komisariatit, duke kërkuar informacion për personat e ndaluar dhe lirimin e tyre.
Në duar, disa prej pjesëmarrësve mbajnë qese me vezë dhe domate, të cilat ishin përdorur edhe gjatë protestave të mëparshme para parlamentit, teksa edhe sot pati momente tensioni me forcat e policisë.
Protesta e sotme nisi para Kuvendit, ku disa qytetarë tentuan të afrohen drejt godinës së Parlamentit, por u ndaluan nga kordoni policor. Gjatë përplasjeve pati hedhje vezësh në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori në disa momente spraj me lëndë irrituese.
Pas tensioneve të shënuara gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit, protestuesit janë zhvendosur në Sheshin Skënderbej, ku vijojnë grumbullimin dhe organizimin e tyre.
Pjesëmarrësit në protestë janë mbledhur në qendër të kryeqytetit, ku po diskutojnë për vijimin e protestës, teksa nuk kanë munguar debatet. Një pjesë bëjnë thirrje të shkojnë në komisariatin numër 1, ku mbahen të shoqëruarit e sotëm, të tjerë thonë të kthehen në orën 19:00 për protestën si zakonisht.
Në fund një pjesë e protestuesve janë nisur drejt komisariatit numër 1 për të kërkuar lirimin e 5 të shoqëruarve.
Protesta e sotme nisi para godinës së Kuvendit, ku situata u tensionua mes protestuesve dhe forcave të policisë. Disa protestues tentuan të afrohen drejt Parlamentit, por u ndaluan nga kordoni policor i vendosur në zonë.
Gjatë përplasjeve u hodhën vezë në drejtim të efektivëve, ndërsa policia përdori në disa momente spraj me lëndë irrituese. Duhet thënë se deputetët sot hynë në dhe dolën të pashqetësuar nga Parlamenti.
Gjatë zhvillimeve të protestës u shoqërua edhe organizatori Arben Kola, së bashku me 4 protestues të tjerë. Ndërkohë, në Sheshin Skënderbej vijon grumbullimi i qytetarëve, ndërsa pritet të shihet nëse rikthimi i tyre pranë Parlamentit do të shoqërohet me përshkallëzim të situatës gjatë nisjes së seancës plenare.
