Taleski: Bujqësia vendore në gjendje katastrofale, OBRM-PDUKM premtoi shumë por nuk realizoi asgjë
Deputeti i opozitares LSDM, Mile Taleski, tha se bujqësia maqedonase ndodhet në gjendje katastrofale, bujqit përballen me çmime të ulëta të blerjes, kosto të larta të prodhimit dhe plasman të pasigurt, ndërsa gjithnjë e më shumë prodhues heqin dorë nga bujqësia.
Taleski tha se për këtë gjendje në bujqësi përgjegjësi direkte ka OBRM-PDUKMdhe kryeministri Mickoski, i cili premtoi subvencione më të larta, plasman të sigurt dhe jetë më të mirë për bujqit, por nuk realizoi asgjë.
„Bujqësia maqedonase sot përballet dhe ndodhet në gjendje katastrofale, gjendje për të cilën përgjegjësi politike direkte mban OBRM-PDUKM dhe kryetari i qeverisë Hristijan Mickoski. Premtuat rilindje bujqësore. Ndërsa sollët shkretëtirë bujqësore. Premtuat subvencione më të larta, plasman të sigurt dhe jetë më të mirë për bujqit“, tha Taleski.
Ai theksoi se pasojat e politikave të pushtetit i ndiejnë drejtpërdrejt bujqit, të cilët investojnë kohë, para dhe mund, por në fund prodhojnë me humbje. Për shkak të gjendjes së rëndë dhe krizës, bujqit detyrohen t’i braktisin arat dhe t’i shkatërrojnë vetë mbjellat, gjë që është sinjal serioz për gjendjen e bujqësisë.
„Çdo ditë jemi dëshmitarë të çmimeve të ulëta të blerjes, kostove të larta të prodhimit, plasmanit të pasigurt dhe pagesave të vonuara. Bujku investon muaj të tërë mund, shpenzon para për farë, pleh, naftë, preparate, fuqi punëtore, e kur vjen koha e shitjes kupton se prodhimi është me humbje“, tha Taleski.
Taleski theksoi se OBRM-PDUKM para zgjedhjeve u premtoi duhanarëve rritje të subvencioneve dhe blerje të sigurt, ndërsa pas ardhjes në pushtet subvencionin e uli nga 100 në 80 denarë.
„Kur ishit opozitë u premtonit çdo ditë se kur të vini në pushtet do ta rrisni subvencionin dhe se do të ketë blerje të sigurt. Kur erdhët në pushtet subvencionin nga 100 denarë ua ulët në 80 denarë. I mashtruat duhanarët, u premtonit më shumë, por morën edhe më pak“, tha Taleski.
Ai paralajmëroi për gjendjen e vreshtarëve, të cilët shkatërrojnë vreshtat sepse prodhimi nuk u shpaguhet, si dhe për problemet e prodhuesve të grurit, orizit dhe blegtorëve.
„Sot ka prodhues që shkatërrojnë vetë vreshtat, sepse mundi nuk u shpaguhet. Kur njeriu vendos ta shkulë vreshtin që e ka kultivuar me vite, kjo është tregues i qartë se ka humbur besimin në sistem. Të shohim prodhuesit e orizit dhe grurit që përballen me çmime blerjeje shumë më të ulëta se kostot e prodhimit. Të shohim blegtorët dhe prodhuesit e qumështit që luftojnë të mbulojnë kostot për ushqim, rritje dhe mirëmbajtje të fermave. Pyetja është thjesht ku është rilindja e premtuar që u premtuat bujqve? A do të mbajë dikush më në fund përgjegjësi për atë që i mashtruat bujqit?“, tha Taleski.
Taleski theksoi se LSDM dhe koalicioni si përgjigje ndaj krizës propozuan ligj për mbështetje financiare për zvogëlimin e pasojave të krizës ekonomike mbi bujqësinë, blegtorinë dhe blerjen e produkteve bujqësore në vitin 2026, me të cilin parashikohej mbështetje financiare totale prej 4 miliardë denarësh, e destinuar për më shumë prodhime bujqësore dhe blegtorale.
Deputetët e OBRM-PDUKM-së, ZNAM dhe VLEN e refuzuan projekt–Ligjin e grupit parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit për mbështetje financiare të bujqve, votuan kundër.
