Stërgjyshërit e Lionel Messit ishin arbëreshë, thotë historiani i njohur (VIDEO)
Historiani Naim Flamuri ka rikthyer në vëmendje një pretendim që e ka bërë edhe vite më parë, duke deklaruar se Lionel Messi ka origjinë arbëreshe nga të dyja linjat familjare.
Sipas Flamurit, stërgjyshi i futbollistit nga ana e babait, Angelo Messi, i përkiste familjes Meksi me prejardhje nga Gjirokastra, e cila më pas ishte vendosur në komunitetet arbëreshe të Italisë, përpara emigrimit në Argjentinë në vitin 1883.
Në një intervistë kohë më parë për emisionin “Good Morning Albanians” në Euronews Albania, ai tha se edhe nga ana e nënës së Messit ekzistojnë dëshmi për origjinë arbëreshe, duke iu referuar dokumenteve kishtare që, sipas tij, janë bërë publike së fundmi nga një prift italo-arbëresh.
Flamuri theksoi se këtë tezë e ka trajtuar edhe më herët, duke u mbështetur në librin e autorit Guillem Balagué për Lionel Messin, botuar në vitin 2013, ku përmendet prejardhja e familjes nga komuniteti arbëresh në Itali.
Sipas historianit, dokumentet historike mbi migrimet e arbëreshëve, veçanërisht pas vdekjes së Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, lidhen me prejardhjen e familjeve që më vonë u vendosën në Itali dhe prej andej emigruan në Amerikën Latine.
Por, këto pretendime për origjinën e Lionel Messit nuk janë konfirmuar nga vetë Messi apo nga biografitë zyrtare të familjes së tij. Një pjesë e historianëve thonë se ka origjinë italiane.(INA)
