Spitali Universitar i Bazelit e ulë orarin e punës për një orë, për mjekët rezidentë
Spitali Universitar i Bazelit (USB) do të reduktojë nga viti 2027 orarin javor të punës për mjekët rezidentë, nga 46 në 45 orë.
Vendimi, i miratuar nga bordi drejtues në shtator, synon përmirësimin e kushteve të punës dhe vjen në një kohë kur sektori shëndetësor zviceran po përballet me mungesë të fuqisë punëtore të kualifikuar.
Sipas USB-së, reduktimi i orarit do të realizohet përmes optimizimit të proceseve të punës, pa transferuar ngarkesën shtesë te mjekët e lartë apo te grupet e tjera profesionale.
Përveç 45 orëve të punës, mjekëve rezidentë do t’u garantohen edhe katër orë në javë për edukim dhe trajnim të vazhdueshëm, shkruan Watson , transmeton Telegrafi.
Bazeli nuk është spitali i parë në Zvicër që po ndërmerr hapa për shkurtimin e orarit të punës për mjekët rezidentë.
Në kantonin Ticino, grupi spitalor EOC e ka ulur që nga viti 2024 orarin javor nga 50 në 42 orë, duke përfshirë edhe katër orë trajnim.
Edhe Spitali Universitar i Cyrihut dhe Spitali Kantonal i Winterthurit planifikojnë ta reduktojnë orarin në 42 orë pune, plus katër orë trajnim, deri në vitin 2028.
Masat po ndërmerren në kuadër të përpjekjeve për t’i bërë vendet e punës në sektorin shëndetësor më tërheqës. /Telegrafi/
