Spalletti tregon pse nuk po e aktivizon Zhegrovën titullar te Juventusi
Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, pas barazimit ndaj Fiorentinës, foli edhe për Edon Zhegrovën, duke treguar se pse ai nuk luan titullar, duke u munduar t'i vë në pah vështirësitë e tij për të ruajtur të njëjtin nivel gjatë gjithë ndeshjes.
Strategu italian pranoi se pas paraqitjes së fundit ndaj Napolit kishte menduar ta aktivizonte Zhegrovën nga minuta e parë ndaj Fiorentinës.
Spalletti theksoi se futbollisti kosovar ende ka vështirësi në ndeshjet ku kërkohet angazhim i madh si në fazën sulmuese, ashtu edhe në atë mbrojtëse.
“Ndodhin raste si ai i Zhegrovës. Pas ndeshjes së kaluar mendoja: Duhet të luajë titullar. Ndonjëherë bën minuta të fundit shumë të mira, por kur e aktivizon që nga fillimi, në ndeshje me shumë duele dhe ku duhet edhe të sulmosh, edhe të mbrohesh, humbet disa gjëra".
"Bën mirë një aspekt, por më pak mirë një tjetër. Nuk arrijmë të gjejmë kurrë ekuilibrin e plotë”, deklaroi Spalletti.
Ndërkohë, Zhegrova ka ardhur sot në Kosovë, ku do t'i bashkohet Kombëtares për dy ndeshjet e nëntorit, ndaj Izraelit dhe Irlandës.
Ai shihet si një nga futbollistët kryesorë të Kosovës nga përzgjedhësi Franco Foda, i cili llogarit shumë në cilësitë e tij për sfidat e radhës. /Telegrafi/
