TË FUNDIT

Sot përurohet dhe hapet për qarkullim Rruga A në Prishtinë

Komuna e Prishtinës ka njoftuar se sot do të përurohet dhe hapet për qarkullim rruga “Jim Xhema”, e njohur si Rruga A, një ndër projektet madhore infrastrukturore të kryeqytetit.

Sipas njoftimit të Zyrës për Komunikim, ceremonia e përurimit do të mbahet në orën 18:30, te rrethrrotullimi që lidh Rrugën B me Rrugën A.

Në ceremoninë e përurimit do të marrin pjesë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, dhe drejtoresha e Investimeve Kapitale, Zyhrije Pllana.

Një projekt i përcjellë me vonesa dhe sfida

Rruga A është ndër projektet më të përfolura infrastrukturore në Prishtinë, realizimi i së cilës është përcjellë me vonesa dhe ndërprerje të punimeve.

Përgatitjet për këtë projekt nisën në shkurt të vitit 2022, ndonëse ai ishte paralajmëruar më herët, gjatë qeverisjes së ish-kryetarit Shpend Ahmeti.

Segmenti i parë, me gjatësi rreth 1.5 kilometra, kishte një kosto prej 8.4 milionë eurosh dhe ishte parashikuar të përfundonte brenda 240 ditëve të punës.

Në janar të vitit 2023, Kuvendi Komunal i Prishtinës vendosi që Rruga A të emërtohej “Jim Xhema”, në nder të veprimtarit shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa punimet nisën zyrtarisht në prill të po atij viti.

Siç ka raportuar më herët Telegrafi, realizimi i projektit është përcjellë me ndërprerje të punimeve për shkak të vendimeve të Gjykatës Komerciale , si dhe me vonesa që ndërlidheshin me miratimin e buxhetit komunal.

Në fund të vitit 2025 ishte përuruar lidhja e Rrugës A me Rrugën B, ndonëse projekti në atë kohë ende ishte i papërfunduar.

Për një kohë të gjatë, qytetarët dhe drejtuesit e automjeteve janë përballur me vështirësi në qarkullim për shkak të gjendjes së rrugës.

Projekti synon lehtësimin e qarkullimit rrugor, lidhjen e disa lagjeve të Prishtinës dhe shkarkimin e trafikut në kryeqytet. / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *