TË FUNDIT

Slaveski paralajmëron lehtësime për klientët e Alta Bankës, nga e hëna hapen sportelet edhe në Tetovë dhe Strumicë

Banka Popullore ka paralajmëruar tri masa të reja për lehtësimin e qasjes në paratë e klientëve të Alta Bankës, ndërsa guvernatori Trajko Slaveski bëri të ditur se ndryshimet do të hyjnë në fuqi nga java e ardhshme.

Nga e hëna, më 9 nëntor, sportele do të hapen edhe në Tetovë dhe Strumicë, ku qytetarët pa kartela bankare do të mund të tërheqin deri në 20.000 denarë.

Ndërkohë, për banorët e Prilepit, Resnjës dhe Ohrit do të organizohet transport me autobus drejt degës së bankës në Manastir, për të tërhequr pensionet dhe ndihmën sociale.

Një nga ndryshimet kryesore është rritja e limitit javor për tërheqjen e parave të gatshme dhe pagesat me kartela bankare, nga 10.000 në 15.000 denarë.

Masa e tretë parasheh që të gjitha pagesat e ardhshme nga pagat, pensionet dhe transferet sociale, të cilat vijnë nga institucione ose kompani me llogari në banka të tjera, të mund të tërhiqen pa kufizim të shumës.

“Qytetarët do të mund t’i tërheqin mjetet në tërësi, e përsëris, në tërësi, pa kufizim të shumës. Me këtë, klientët e Bankës nuk do të kenë nevojë të hapin llogari pagese në një bankë tjetër”, deklaroi Slaveski.

Guvernatori informoi se pagesat për klientët po realizohen sipas planit të përcaktuar, ndërsa pagesa për qytetarët pa kartela bankare ka nisur një ditë më parë dhe do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.

Pagesa e ndihmës sociale ka filluar sot, ndërsa dega në Manastir po punon me dy ndërrime dhe do të jetë e hapur edhe të shtunën, më 7 nëntor.

Sipas të dhënave të Slaveskit, gjatë ditës në këtë degë janë shërbyer rreth 660 klientë, ndërsa shuma mesatare e tërhequr ka qenë rreth 19.000 denarë një ditë më parë dhe 16.000 denarë sot.

Slaveski theksoi se Alta Banka vazhdon të funksionojë, nuk është në falimentim dhe licenca e saj për punë nuk është revokuar, ndërsa administrimi i përkohshëm është masë që zbatohet deri në ndryshimin e pronësisë.

Ai vlerësoi se banka ka likuiditet të mirë, kapital të lartë dhe portofol kreditor me cilësi të qëndrueshme.

Mjetet e klientëve vazhdojnë të qëndrojnë në llogaritë e tyre, ndërsa kufizimet e përkohshme kanë të bëjnë vetëm me mënyrën e tërheqjes dhe përdorimit të tyre, me qëllim të ruajtjes së likuiditetit të bankës dhe mbrojtjes së interesave të depozituesve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *