Skandaloze: Drejtori i Shërbimeve Publike në Suharekë Amir Hoxha nga PDK-ja, ofendon rëndë komandantin e FSK-së Bashkim Jasharin
Drejtori i Shërbimeve Publike në Komunën e Suharekës, Amir Hoxha, ka përdorur gjuhë fyese ndaj komandantit aktual të FSK-së Bashkim Jasharit në një koment publik në rrjetet sociale.
Nën një publikim të portalit Indeksonline, ku shfaqeshin Bashkim Jashari dhe Enver Cikaqi me përshkrimin “Komandanti në largim dhe ai në ardhje”, Hoxha ka shkruar: “Ky në largim palaqo ka qenë…!”
Një deklaratë e tillë nuk vjen nga një qytetar i zakonshëm, por nga një zyrtar i lartë komunal dhe eksponent i PDK-së në Suharekë i cili paguhet nga taksapaguesit dhe ka obligim të ruajë etikën institucionale në komunikimin publik.
Për më tepër përdorimi i fjalës “palaço” ndaj Bashkim Jasharit, djalit të Rifat Jasharit nga familja legjendare Jashari e Prekazit, përbën një gjuhë të papranueshme dhe denigruese për një përfaqësues institucional.
Ky koment nxjerr në pah një nivel shqetësues të komunikimit nga një zyrtar që duhet të përfaqësojë qytetarët me dinjitet dhe profesionalizëm. Sjellje të tilla jo vetëm që e dëmtojnë imazhin e institucionit ku ai ushtron detyrën, por tregojnë mungesë respekti në komunikimin publik.
Kur një drejtor komunal i drejtohet komandantit të FSK-së me termin “palaço”, kjo nuk mund të konsiderohet debat politik apo kritikë, por thjesht ofendim publik dhe urrejtje ndaj familjes legjendare Jashari e cila ka dhënë më së shumti për lirinë e Kosovës.
