Skandal me Kanye West, një muzikant pretendon se u mbajt i mbyllur për katër ditë për të përfunduar operën e reperit: Nuk kishte as ushqim të mjaftueshëm
Reperi amerikan Kanye West, i njohur tashmë si Ye, po përballet me një tjetër padi gjyqësore lidhur me operën biblike “Nebuchadnezzar”, e prezantuar në vitin 2019 në Hollywood Bowl.
Muzikanti Chase Taylor e ka paditur reperin, duke pretenduar se ishte mbajtur i mbyllur në një ambient të shkollës së mesme në Wyoming dhe ishte detyruar të kompozonte një pjesë të madhe të muzikës së operës, në kushte të vështira dhe brenda një afati jashtëzakonisht të shkurtër.
Sipas padisë, të raportuar fillimisht nga revista “Rolling Stone”, Taylor ishte kontaktuar nga West për të marrë një rol kryesor në këtë produksion, me bindjen se opera ishte tashmë e përfunduar.
Muzikanti kishte udhëtuar nga Karolina e Veriut drejt Wyomingut, më pak se një javë para fillimit të provave. Megjithatë, pas mbërritjes, ai ishte dërguar në shkollën e mesme Cody, ku ishte vendosur në një dhomë të përdorur nga orkestra e shkollës dhe, sipas pretendimeve të tij, dera ishte mbyllur.
Vetëm atëherë Taylor kishte kuptuar se opera ishte ende larg përfundimit. Përveç interpretimit të rolit kryesor dhe performancës si solist, atij i ishte kërkuar të kompozonte një pjesë të konsiderueshme të muzikës dhe ta përfundonte produksionin brenda vetëm katër ditësh.
“Të pandehurit mbyllën derën dhe urdhëruan Taylorin të punonte derisa opera të përfundonte”, thuhet në dokumentin gjyqësor.
Sipas padisë, West dhe bashkëpunëtorët e tij i kishin premtuar muzikantit një pagesë të majme, kreditimin si producent dhe mundësi të tjera bashkëpunimi në të ardhmen, në këmbim të punës së tij. Taylor pretendon se kishte kundërshtuar kushtet në të cilat po mbahej, por ankesat e tij ishin shpërfillur.
Foto: Kanye West/Instagram
Ai pretendon gjithashtu se ishte ngarkuar me koordinimin e muzikantëve të tjerë, të cilët, kur kishin nevojë të pushonin, detyroheshin të uleshin ose të flinin në dyshemenë e dhomës së ngushtë të orkestrës.
Në padi thuhet se West dhe ekipi i tij nuk kishin siguruar ushqim të mjaftueshëm për më shumë se 150 interpretuesit e përfshirë në produksion.
Taylor pretendon se kishte kërkuar hapjen e dyerve, sigurimin e ushqimit dhe ujit të mjaftueshëm, si dhe kohë për pushim për muzikantët, por kërkesat e tij ishin injoruar.
Padia e re është dorëzuar të mërkurën në një gjykatë federale në Karolinën e Veriut. Sipas raportimit, Taylor dhe përfaqësuesit e West kishin arritur një marrëveshje në vitin 2020 për pezullimin e afateve ligjore, në mënyrë që të kishin kohë për ta zgjidhur mosmarrëveshjen pa iu drejtuar gjykatës.
Kjo nuk është padia e parë që lidhet me produksionin “Nebuchadnezzar”. Edhe muzikanti Willie Alexander ka ngritur një proces gjyqësor, duke pretenduar se ishte ftuar në Wyoming për të punuar në operë, por kishte zbuluar vetëm pas mbërritjes se vepra nuk ishte shkruar ende.
Sipas pretendimeve të tij, Alexander ishte detyruar të kompozonte dhe orkestronte pjesën më të madhe të operës pothuajse nga fillimi, brenda një afati shumë të shkurtër.
Padia e tij përfshin pretendime për keqinformim të qëllimshëm dhe nga pakujdesia, përdorim të paautorizuar të imazhit dhe premtime të rreme lidhur me angazhimin profesional. Ky proces po zhvillohet në Gjykatën e Lartë të Qarkut të Los Anxhelosit, ndërsa një konferencë për zgjidhjen e mosmarrëveshjes është caktuar për 12 janar 2027.
Ndërkohë, West ka pranuar të paguajë 1.35 milionë dollarë për të zgjidhur një tjetër padi kolektive, të ngritur në emër të qindra interpretuesve dhe punonjësve të përfshirë në produksionin e vitit 2019.
Marrëveshja u miratua përfundimisht nga gjykata në korrik të vitit 2025 dhe, sipas dokumenteve të siguruara nga “Rolling Stone”, më shumë se 600 persona kanë marrë çeqet e dëmshpërblimit. Megjithatë, 257 prej tyre, me vlerë të përgjithshme prej 277.210 dollarësh, nuk ishin arkëtuar brenda afatit të përcaktuar. Për këtë çështje, një seancë për shqyrtimin e statusit të marrëveshjes është planifikuar për 8 dhjetor.
Në padinë e re, Taylor ngre edhe pretendime lidhur me mënyrën se si iu prezantuan operat “Nebuchadnezzar” dhe “Mary”. Sipas tij, muzikantëve u ishte thënë se bëhej fjalë për projekte bamirësie me karakter fetar dhe se të ardhurat do të përdoreshin për të “shpëtuar shpirtra”. Kjo, sipas paditësit, i kishte bindur ata të pranonin pagesa më të ulëta.
Megjithatë, ai pretendon se produksionet gjeneronin të ardhura përmes shitjes së biletave dhe se West dhe kompanitë e përfshira kishin përfituar financiarisht prej tyre.
Një tjetër pretendim i rëndë i Taylorit lidhet me përdorimin e mëvonshëm të muzikës së tij. Ai akuzon reperin se kishte shfrytëzuar kompozimet dhe aranzhimet e realizuara për operën në këngë të publikuara komercialisht, pa marrë lejen e tij dhe pa i ofruar kompensimin përkatës.
Në mesin e këngëve të përmendura në padi është “Telekinesis” e Travis Scott, ku Kanye West figuron si bashkautor, si dhe disa projekte nga albumi “Vultures 2”.
Përmes këtij procesi gjyqësor, Taylor kërkon që gjykata t'ia njohë të drejtën e autorësisë mbi kompozimet e tij, t'i sigurojë një pjesë të fitimeve nga këngët ku pretendon se është përdorur muzika e tij pa autorizim, si dhe të caktojë dëmshpërblim për mashtrim, privim të paligjshëm të lirisë dhe praktika të padrejta tregtare.
Deri në publikimin e raportimit nga “Rolling Stone”, përfaqësuesit dhe avokatët e Kanye West nuk kishin kthyer përgjigje ndaj kërkesave për koment. /Telegrafi/
