S’KA PROVA: Prokuroria Speciale pushon hetimet për grantet ndaj Pecit, ish-ministri paralajmëron kallëzime penale për deklarim të rrejshëm
Kryetari i Komunës së Mitrovicës dikur ish-ministrër i Bujqësisë, Faton Peci, ka reaguar pas vendimit të Prokurorisë Speciale për pushimin e hetimeve lidhur me rastin e granteve, duke thënë se hetimet kanë dëshmuar se procesi është zhvilluar mbi baza meritokratike dhe pa shkelje.
Përmes një reagimi publik, Peci deklaroi se pas “dy vjetësh linçim, baltosje dhe shpifje”, institucionet e drejtësisë dhanë përgjigjen e pritur.
“Prokuroria paska folur qartë, sepse nuk kishte arsye e dëshmi për të folur ndryshe e për të mos mbyllur insinuatat dhe sulmet e orkestruara kundër punës sime të ndershme”, ka shkruar ai.
Peci ka paralajmëruar se do të ndërmarrë veprime ligjore ndaj zyrtarëve të LDK-së që, sipas tij, kanë ngritur kallëzimin penal, si dhe ndaj personave të tjerë që kanë përhapur akuza në adresë të tij.
“Zyrtarët e LDK-së që e ngritën këtë kallëzim penal, por edhe të gjithë ata që hodhën gurin e fshehën dorën, do të përballen me kallëzim penal për deklarim të rrejshëm”, u shpreh ai.
Ish-ministri falënderoi qytetarët në Kosovë dhe mërgatë për mbështetjen, duke thënë se besimi i tyre ka vazhduar pavarësisht, siç e quajti ai, “luftës speciale” të zhvilluar kundër tij.
Ai theksoi se vendimi i Prokurorisë konfirmon integritetin e punës së tij dhe se asgjë nuk mund ta njollosë angazhimin e tij në shërbim të qytetarëve dhe të Kosovës.
