Si ra Wikipedia në luftën “sektare”
Nga: Hunter Dukes / The Telegraph Përkthimi: Telegrafi.com
Është e vështirë të përthekosh përmasat e Wikipedia -s. Në vitin 2015, artisti Michael Mandiberg iu fut punës për ta shtypur gjithë ueb-faqen: ai llogariti se, edhe atëherë, do të duheshin 7 473 vëllime me nga 700 faqe secili. (Ai hoqi dorë nga projekti, duke sugjeruar se pas 106 vëllimeve njerëzit e kishin kuptuar idenë.) E, ky ishte vetëm versioni në anglisht. Vetë lista e Wikipedia -s e cakton numrin e gjuhëve të përfaqësuara në 364; gjermanishtja është edicioni i dytë më i madh pas anglishtes (megjithëse, falë një fluksi të kohëve të fundit të boteve, sebuanishtja tani renditet zyrtarisht më lart), ndërsa krishtja është më e vogla (vetëm 13 faqe). Teksa po shkruaj këtë fjali, në Wikipedia ka 68 453 912 artikuj, që arrijnë gjithsej në rreth 30 miliardë fjalë. Faqja rishikohet rreth 16 herë në sekondë. Dhe, e gjithë kjo është shkruar pa u paguar askush me asnjë qindarkë.
Si ndodhi një akt kaq i madh bashkëpunimi? Në Vendi i fundit më i mirë në internet [ The Last Best Place on the Internet ], gazetari Richard Cooke e rindërton historinë duke intervistuar shumë prej shkruesve dhe redaktorëve që e ndërtuan Wikipedia -n gjatë 25 vjetëve të fundit. Rezultati është një histori e paharrueshme nga baza e një komuniteti intelektual, të tillë të cilit njerëzimi mund të mos i mbledhë më kurrë dhe që së shpejti, bashkë me shumë gjëra të tjera, mund t’i nënshtrohet plagës së IA-së [inteligjencës artificiale].
Gjithçka nisi në fund të viteve ’90 të shekullit XX. Jimmy (ose “Jimbo”) Wales, një tregtar financiar nga Alabama, kishte fituar mjaft para për të nisur një kompani interneti me disa miq. Ata e quajtën ndërmarrjen e tyre “Bomis”, një akronim i shprehjes “bitter old men in suits” [burra të vjetër të hidhëruar me kostume] – gjithçka që ata nuk ishin. Bomis -i, me bazë në San Diego, kishte një varg idesh digjitale, kryesisht me rezultate të ngjashme. Një shërbim interneti për ushqim? Dështoi. Një direktori për makina të përdorura? Po ashtu. Një motor i hershëm kërkimi? U mor nën kontroll prej hakerëve kinezë pak pas lansimit.
Megjithatë, Bomis -i pati më shumë sukses me zhvillimin e “webrings”-it – një mënyrë për t’i lidhur faqet e internetit sipas temës në kohën kur informacioni ende nuk gjendej lehtë në internet. Kjo tërhoqi vëmendjen e NBC Interactive , degës onlajn të rrjetit televiziv amerikan. Walesi i propozoi NBC-së një ide “vërtet budallaqe”: një enciklopedi falas në internet. Dhe, kështu lindi “Nupedia”.
Problemi i menjëhershëm ishte se askush në Bomis nuk dinte shumë për enciklopeditë. Fëmijëria e Walesit ishte ndikuar nga blerja prej nënës së tij e The World Book Encyclopedia , por në universitet ai ishte larguar nga faktet drejt parimeve të para dhe, pas diplomimit, kaloi vite duke debatuar Objektivizmin e Ayn Randit në forume interneti. Problemi tjetër ishte se Bomis -i kishte fonde të mjaftueshme për të punësuar vetëm një anëtar të stafit. Walesi zgjodhi Larry Sangerin, një ish-ligjërues filozofie që tashmë siguronte jetesën duke dhënë mësime për violinën irlandeze.
Puna filloi në shkurt të vitit 2000. Procesi i hartimit të Nupedia -s ishte dukshëm tradicional: një protokoll me shtatë hapa i vlerësimit nga kolegët dhe verifikimi i fakteve. Pesë muaj më vonë, vetëm një artikull – për muzikën atonale – ishte shpallur i duhur për botim. Pastaj nisi të shpërthente flluska dot-com . NBC Interactive e ndërpreu lidhjen me Bomis -in dhe Walesi e Sangeri e mbajtën kompaninë në këmbë me veprimtarinë e tyre anësore të qëndrueshme ndaj recesionit: një faqe me pornografi të lehtë, reklamat e së cilës e shfaqnin Walesin me krahët rreth grave të quajtura “Bomis Babes”. (Në këtë sipërmarrje, në fakt, kishin një precedent: në mesin e shekullit XVIII, kur Denis Diderot po përpilonte Enciklopedinë [ Encyclopédie ], ai i plotësoi fondet e tij duke shkruar farsën erotike Xhevahiret e papërmbajtura [ Les Bijoux Indiscrets ] – një nga veprat e para që u cilësuan si pornografi.)
Struktura “wiki”, e quajtur sipas fjalës havajane për “shpejt”, ishte risia e vërtetë: një faqe interneti që u lejonte përdoruesve të saj ta redaktonin dhe ta ribotonin. (Teknologjia ekzistonte prej njëfarë kohe. Ajo u zhvillua nga programuesi Ward Cunningham, i cili në vitin 1995 lansoi WikiWikiWeb , një faqe interneti për dizajnin e softuerit – po atë vit kur Amazon , eBay dhe Internet Explorer dolën onlajn.)
Wikipedia doli më 15 janar 2001. Në fillim, rezultatet ishin siç pritej: kalimi nga vlerësimi rigoroz nga kolegët e Nupedia -s në një platformë të hapur pa rregulla prodhoi rrëmujë rezultatesh aspak akademike. Një artikull i hershëm për Evropën e përkufizonte masën tokësore si të përbërë nga “të gjitha vendet në vijim: SuediA, DanimarkA, FinlandA, EstoniA dhe disa të tjera”. Kishte trollë dhe vandalë dhe njerëz që kopjonin tërësisht zëra nga Encyclopaedia Britannica . Por, shpejt u kyç një lloj tjetër qytetari i internetit. “Për neuroatipikët, për ata të cilëve u ishin penguar ambiciet, për ata që kishin dalë nga fuqia tradicionale punëtore ose nuk i ishin bashkuar kurrë asaj”, shkruan Cooke, “Wikipedia ishte vendi ku mund të shfaqnin aftësi që ishin të fshehura, të anashkaluara, të nënvlerësuara ose thjesht tepër të çuditshme për t’u shprehur diku tjetër”.
Wikipedia ia detyronte sukseset e saj të hershme një ndërthurjeje faktorësh. Ajo u rrit në agimin e motorëve të kërkimit të cilët gjithnjë e më shumë i drejtonin përdoruesit e internetit drejt brigjeve të saj. Dhe, duke hedhur tej prangat e autoritetit, ajo shmangu gjithashtu disa nga paragjykimet e kodifikuara te pararendëset e saj. Enciclopedia Italiana , për shembull, dikur i kërkoi Benito Mussolinit të shkruante zërin për “Fashizmin” – ndoshta jo një burim i paanshëm. (Megjithatë, Wikipedia ka luftuar me forma të tjera paragjykimi: sipas disa statistikave, burrat përbëjnë 90 përqind të fuqisë redaktuese, gratë përdorueset kanë shumë më tepër gjasa që t’u fshihen artikujt dhe për çdo artikull biografik për një grua ka katër të shkruar për burra.)
Ndryshe nga enciklopeditë tradicionale, të cilat mund të duken sikur bëhen bajate, përditësimet e Wikipedia -s ndodhin në kohë reale. Gjatë dhe pas sulmeve të 11 shtatorit, njerëz si Brad Johnson, i cili redakton me emrin “Cunctator”, prodhuan qindra artikuj për tragjedinë; Johnsoni i thotë autorit Cooke se kjo punë e mbajti “që të mos binte pre e ndjenjës së pafuqisë”. Wikipedia ofroi një formë të re të prodhimit të dijes, duke ndërthurur kohshmërinë e një gazete me gjerësinë informative të një vepre reference dhe e gjitha ushqehej nga entuziazmi amator.
Megjithatë, popullariteti nuk sjell patjetër reputacion. Enciklopeditë e shtypura kishin qenë prej kohësh simbole të erudicionit – ato ishin pjellë e Iluminizmit – dhe shumë njerëz në media dhe akademi ndiheshin të kërcënuar nga kjo nismë vulgare. “Një profesor që inkurajon përdorimin e Wikipedia -s është ekuivalenti intelektual i një dietologu që rekomandon një dietë të vazhdueshme me hamburger”, shkroi një anëtar i Shoqatës së Bibliotekave Amerikane. Shkollat dhe universitetet në mbarë Amerikën shqyrtuan mundësinë e ndalimit të Wikipedia -s. Një bibliotekare në Nju-Xhersi vendosi tabela në gjithë territorin e saj me formulimin në stilin e Nancy Reaganit: “Thjesht Thuaj Jo Wikipedia -s.”
Skandalet publike nuk ndihmuan. Walesi u kap duke redaktuar biografinë e vet, në një përpjekje për të fshirë gjurmët e periudhës së pornografisë. Kur WikiLeaks -i i Julian Assangeit u lansua në vitin 2006, manifesti i saj themelues e përmendte Wikipedia -n jo më pak se një duzinë herë. (Në Aeroportin Hithrou, Walesi pa një herë se si një oficeri të emigracionit i iku gjaku nga fytyra kur i tha se ku punonte. “Jo, jo, jo, tjetër njeri”, shpjegoi ai me shpejtësi.)
Por, më e dëmshmja nga të gjitha ishte “çështja Essjay”. Një teolog me dy doktoratura, përdoruesi “Essjay”, dukej se redaktonte 14 orë në ditë, duke ndjekur moton e tij personale: Lux et Veritas ( Dritë dhe e Vërtetë ). Kur shkrimtarja fituese e çmimit Pulicer, Stacy Schiff, i kërkoi Fondacionit Wikimedia , organizatës mëmë të Wikipedia -s, të propozonte një përdorues të faqes për artikullin e saj të vitit 2006 në New Yorker , Essjay ishte emri që u vinte të gjithëve në mendje. Problemi i vetëm ishte se ky teolog yll doli të ishte Ryan Jordan, një njëzet e ca vjeçar i papunë e pa diplomë universitare. Kur Walesi e punësoi për të punuar në Wikia , një projekt simotër, Jordani më në fund e pranoi të vërtetën.
Teksa Fondacioni Wikimedia e mban projektin në internet, drejtuesit e Wikipedia -s kanë pak kontroll redaktorial. Pushteti, në vend të kësaj, mbahet nga komuniteti. Kontribuuesit – shkruesit, redaktorët, recensuesit – i përmbahen një karte që shpall se Wikipedia “është enciklopedi” e shkruar nga një “këndvështrim neutral” dhe e qeverisur nga “asnjë rregull i prerë”. Në të vërtetë, shkruan Cooke, janë shfaqur të paktën 28 shkolla të veçanta redaktoriale, duke ushqyer një lloj konflikti sektar. Më e ashpra mund të jetë lufta e vazhdueshme mes Përfshirësve [Inclusionists] dhe Fshirësve [Deletionists]. Të parët besojnë se në Wikipedia ka vend për gjithçka – për çdo klasë engjëjsh, për çdo lloj gjilpëre – dhe se faqja duhet të synojë t’i ngjajë një harte borheziane në përputhje 1:1 me universin e njohur. Fshirësit, nga ana tjetër, mbrojnë përzgjedhjen agresive të përmbajtjes dhe kriterin e “rëndësisë”. Kur, në vitin 2007, vetë Walesi krijoi një artikull për një restorant skare në Afrikën e Jugut, një Fshirës e zhduku 22 minuta më vonë. Pa përmendur pastaj pedantët e gramatikës. Bryan Henderson, një zhvillues softueri që redakton me emrin “Giraffedata”, ka kaluar 15 vjet duke zhdukur nga faqja shprehjen “comprised of” [përbërë nga].
E, megjithatë ekziston një kërcënim shumë më i madh që po afrohet drejt këtij “Kryqi të Kuq të informacionit”: IA-ja. Të trajnuara mbi rezervat e mëdha të të dhënave të hapura të vetë Wikipedia -s, modelet e mëdha gjuhësore rrezikojnë, sipas formulimit të Cookeit, “t’i hedhin redaktorët njerëzorë në rol pastruesi”. Një studim i vitit 2024 nga Universiteti Prinston zbuloi se pesë përqind e artikujve të Wikipedia -s të krijuar rishtazi gjatë një muaji të caktuar ishin “shkruar” nga IA-ja. Edhe më shkatërruese është mënyra se si kemi filluar ta marrim informacionin. Që nga viti 2022, Wikipedia ka humbur pothuajse një të katërtën e trafikut të saj, që përbën rreth 1.1 miliardë vizita në muaj: ato janë zëvendësuar në masë dërrmuese nga pyetjet drejtuar çetbotëve dhe nga “përmbledhjet me IA” në krye të rezultateve të motorëve të kërkimit. Përdoruesit që dikur mund të kishin lexuar një artikull, të kishin vërejtur ndonjë gabim dhe të kishin klikuar “redakto”, tani janë shkëputur nga cikli i reagimit që i mundëson Wikipedia -s të lulëzojë. Cooke e përfundon Vendi i fundit më i mirë në internet me një ton distopik. Përfytyroni një të ardhme, shkruan ai, në të cilën redaktorët janë të ngujuar në “një projekt të pafund kurimi, që nuk buron nga përparësitë njerëzore, por nga të korrat e ngrira të makinave”.
Wikipedia , në formën e saj më të mirë, është një regjistër i ekscentricitetit. Çfarë tjetër përveç mahnitjes mund ta nxisë prodhimin vullnetar të një zëri prej 60 mijë fjalësh për “tartanin” – po aq dendur i endur sa edhe vetë tema e tij – ose artikullin çuditërisht magjepsës për “ngritjen e argjinaturave të Temzës së baticës”, i cili i ngjan një epopeje historike? Si lexues, ne biem te “vrima e Wikipedia -s” me hiperlidhje – për shkak të kureshtjes sonë njerëzore për botën. Duhet të përpiqemi ta ruajmë atë. /Telegrafi/
– Lexo po ashtu: Wikipedia po përballet me një krizë ekzistenciale: A mund ta shpëtojë brezi Z?
