TË FUNDIT

Shqiptari nga Kosova, Kushtrim Kryeziu, nderohet në Norvegji me çmimin prestigjioz për kërkimet kundër kancerit

Dr. Kushtrim Kryeziu, me prejardhje nga Kosova, do të nderohet më 13 nëntor 2026 me Çmimin e Dr. Ragnar Mørk për Kërkime të Shkëlqyera në Fushën e Kancerit.

Sipas njoftimit të publikuar nga Spitali Universitar i Oslos ( Oslo University Hospital ), çmimi i është ndarë Kryeziut për studimet e tij inovative mbi mënyrën se si qelizat e gjalla tumorale reagojnë ndaj barnave specifike, shkruan Telegrafi.

Kryeziu është pjesë e Departamentit të Onkologjisë Molekulare, në Institutin për Kërkime mbi Kancerin, pranë Spitalit Universitar të Oslos.

Ceremonia e ndarjes së çmimit do të mbahet të premten, më 13 nëntor, në Sallat e Seminareve 1 dhe 2 të Institutit për Kërkime mbi Kancerin.

Programi parasheh prezantimin e çmimit nga menaxheri i biznesit të trashëgimisë, Carl Rieber-Mohn, në orën 15:15, ndërsa në orën 15:25 kryetari i komitetit të çmimit, Harald Stenmark, do të bëjë prezantimin e fituesit.

Në orën 15:30, Kryeziu do të mbajë ligjëratën e tij si fitues i çmimit, ndërsa pas përfundimit të saj, në orën 16:00, për të pranishmit do të ketë kafe dhe ëmbëlsira.

Kërkimet në trajtimin e personalizuar të kancerit

Puna shkencore e Dr. Kushtrim Kryeziut lidhet me hulumtimin e metodave për trajtimin e personalizuar të kancerit.

Një prej drejtimeve të kërkimeve të tij është krijimi i mini-tumoreve në laborator, duke përdorur indet e marra nga vetë pacientët. Kjo qasje hulumtuese synon të ndihmojë në kuptimin e reagimit të tumoreve ndaj trajtimeve të ndryshme.

Ndarja e këtij çmimi përbën një vlerësim të punës së tij shkencore në fushën e kërkimeve për kancerin. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *