TË FUNDIT

Shqiptarët kurrë nuk e kanë pushtuar askënd – përveç grave të veta

Shqiptarët kurrë nuk e kanë pushtuar askënd – përveç grave të veta.

(Edhe sot i ruan KFOR-i nga do burra të tjerë.)

Sa më primitive shoqëria, aq më e madhe dhuna.

Në Ballkan, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria prijnë për dajak ndaj grave.

Në Tetovë, jeta për gratë është ferr.

Shqiptarët e Maqedonisë janë të tmerrshëm. Mizorë.

Paragjykimet morale i kanë ngritur në ligj, në emër të fesë. Anipse feja nuk i mëson burrat të jenë mizorë me gratë.

Derisa drama bëhet tragjedi.

Atëherë fillon vajtimi publik.

Nuk ka shtëpi që s’është burg, së paku për një anëtar të familjes.

Dhuna psikologjike është buka jonë e përditshme.

Gratë janë imunizuar ndaj fjalëve më të rënda që s’i njeh as letërsia e horrorit.

Gati çdo e dyta grua quhet “lopë”.

Dhe kjo nuk konsiderohet as fyerje e rëndë.

Sa për mua, më parë do të pranoja të vritem sesa të torturohem psikikisht.

Nuk ka burrë që m’u ka afruar e që s’ka shprehur, para së gjithash, pasionin për të më nënshtruar.

Për të ma hequr veten nga qejfi.

Për të më bërë të dyshoj në veten time.

Dhe të gjithë të shkolluar.

Nga literatura jam munduar ta kuptoj mllefin dhe nervozizmin e burrave ndaj grave.

Kam lexuar gra që këshillojnë t’ua nxitësh burrave instinktin e heroit, në daç të jesh e lumtur me burrë.

Kam lexuar edhe burra që të mësojnë të ikësh.

Pra, njëra palë të mëson si ta bësh qyqarin hero.

Tjetra, si të shpëtosh prej tij.

Por s’mund ta konsiderosh hero me zor dikë që s’është.

Prandaj unë gjithmonë jam për të ikur.

Për t’ia lënë drejtësinë atij që e ka krijuar ferrin.

Sepse drejtësi në tokë ende nuk kam parë.

Përkundrazi, kam parë vetëm se si i urti dhe i drejti humbin e treten, shkelen e harrohen, përbuzen e poshtërohen…

Kam vendosur të mendoj se çdo gjë bie në vend të vet kur ndalesh. Largohesh.

Ia lëshon rrugën të krisurit dhe budallait.

Kur nuk mundohesh më t’i zgjidhësh problemet që s’i ke shkaktuar vetë.

Kur heq dorë nga detyra e pamundur për t’ia ndrequr karakterin dikujt tjetër.

Jam kundër grindjes, argumentimit, konfliktit.

(Prandaj kurrë nuk kam pranuar asnjë ftesë për debat. Shqiptarët nuk kanë mendime. Kanë vetëm sharje, fyerje dhe ofendime.

Nuk ekziston debati. Ekziston vetëm ftesa për debat.)

Nuk besoj se konflikti zgjidhet me fjalë.

Fjala fjalën s’e mund. Dhe shamja e pjell shamjen.

Dhe ata prej të cilëve kërkon ndihmë, policia, shumë prej tyre i rrahin gratë e veta.

Gruaja ikën nga dhuna dhe kërkon mbrojtje te një burrë që në shtëpinë e vet është dhunues.

Pra, është mentalitet i mykur.

Që çrrënjoset vetëm me arsimim.

Jo vjersha e teorema gjeometrie, ndërsa analfabetizmi moral është doktoraturë.

Por ora e parë mësimore të jetë gjithmonë:

“Cilat janë shenjat se një burrë mund të bëhet vrasësi yt një ditë?”

Kjo pyetje duhet të mësohet para se vajzat të mësojnë t’i arsyetojnë burrat.

Shoqëria duhet të riedukohet.

Thellësisht e prapambetur.

E papërjetuar. E palexuar. E pagdhendur.

Shqiptarët e kanë mbivlerësuar veten.

Kurrë s’e kanë pushtuar askënd.

Kurrë s’e kanë çliruar askënd. As gratë e veta.

Historikisht, dikush tjetër na ka shpëtuar jetën.

Edhe sot na ruan ushtria e botës, derisa qeveritë tona e vjedhin buxhetin për vete dhe për burrat e vet.

Na ruajnë nga armiqtë e jashtëm.

Nga armiqtë e shtëpisë nuk na ruan askush.

Në çdo shtëpi dikush ha hidhërim dhe e lan bukën me lot.

Dhe, jo vetëm burrat e thjeshtë.

Të gjithë janë të zemëruar.

Dhe të gjithë kërkojnë dikë më të dobët mbi të cilin ta ushtrojnë pushtetin.

Nga dhuna të ndan vetëm një fjalë.

I sakaton, i qorron protestuesit që kërkojnë bukë.

E fut në izolim ish-shokun e tij, sepse mendon se bashkë me të i fut në izolim edhe kujtimet e Erion Veliajt për të.

Në atë shprehjen e fytyrës… I është ngjitur tmerri në kapakët e syve dhe nuk i zbret më.

Ka filluar të rrënohet nga ata që i ka ngritur me duart e veta.

E përkrah hajninë e tyre.

Dhuna është buka jonë e përditshme.

Dhe më e tmerrshmja – jemi mësuar me të.

Te ajo vajza e vogël që ke qenë…

Dëgjo heshtjen. Anipse heshtje nuk ka.

Lulja qan kur këputet, e askush nuk e dëgjon.

Se ka thënë Zoti. Ka thënë: Edhe i vdekuri mund të çohet nga varri. Edhe i gjalli mund t’i lakmojë të vdekurit.

Si mrekulli. Që kur e sheh – s’e njeh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *