“Shqipëria në krizë, Kosova në ngërç” – Bytyçi: Përçarja rrezikon interesat kombëtare
Në 148-vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, profesori Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” e ka cilësuar këtë ngjarje si një nga momentet më të rëndësishme në historinë kombëtare, duke theksuar se ajo dëshmoi aftësinë e shqiptarëve për t’u bashkuar rreth interesave të përbashkëta.
Sipas tij, Lidhja e Prizrenit vendosi themelet e shtetit shqiptar dhe mbetet një model nga i cili politika dhe shoqëria shqiptare duhet të nxjerrin mësime edhe sot.
Bytyçi rikujton se Lidhja e Prizrenit arriti të bashkonte përfaqësues nga të gjitha trojet shqiptare të kohës, të cilët morën vendime me rëndësi historike për fatet e kombit.
ImageEnver Bytyçi
“Si sot 148 vite në Prizren u mbajt Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ishte Lidhja e parë pas asaj të Lezhës së 2 marsit 1444 nën udhëheqjen e Skënderbeut. Kjo do të thotë se shqiptarët janë të përmendur për kuvendet e tyre të bashkimit. Lidhja e Prizrenit ishte e tillë. Bashkoi të gjitha trevat shqiptare në të katër vilajetet e asaj kohe, atij të Kosovës (Shkup), të Shkodrës, Janinës dhe Manastirit (sot Bitola)! Erdhën në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit të dhjetë qershorit 1878 përfaqësues nga e gjithë Shqipëria etnike, nga Çamëria e nga Janina, Nga Vlora, Gjirokastra dhe Berati, nga Elbasani, Dibra dhe Shkodra, nga Gjakova, vetë qyteti I Prizrenit dhe trevave të tjera shqiptare përtej kufijve të sotëm të Kosovës. U bashkuan të gjithë bashke dhe morën vendime historike për fatet e Shqipërisë. Ymer Prizreni u caktua në krye të qeverisë së Lidhjes. Ministra të kësaj qeverie qenë patriotët e mëdhenj, Abdyl Frashëri, Sulejman Vokshi dhe figura të tjera të mëdha të kombit tonë. Të gjithë investuan për autonominë e Shqipërisë. Krijuan ushtrinë dhe një administrim thuajse të pavarur nga Porta e Lartë e Stambollit. Morën në dorë fatet e trojeve shqiptare me program të qartë për bashkimin e këtyre trojeve.
Por Lidhja Shqiptare e Prizrenit pati një jetë të shkurtër. Në vitin 1881 ajo u shpërnda, madje me ushtri dhe me luftë nga ana e ushtrisë osmane. Megjithëse në fillim Lidhja u krijua me mirëkuptimin Sulltanit, më pas përpjekjet e saj ranë në kundërshtim me interesat osmane dhe kësisoj filloi lufta midis shqiptarëve dhe turqve osmanë. Ajo luftë çoi në shuarjen e Lidhjes dhe asgjësimin e asaj lirie dhe autonomie që u fitua me pushkë dhe me dije të mëdha të patriotëve shqiptarë. Iljaz Pashë Dibra ishte patrioti dibran, I cili udhëhoqi punimet e atij Kuvendi të madh”, ka shpjeguar ai.
Duke folur për rëndësinë ndërkombëtare të Lidhjes së Prizrenit, Bytyçi thekson se ajo e bëri të njohur çështjen shqiptare para Fuqive të Mëdha të kohës dhe shënoi fillimin e rrugëtimit drejt shtetit shqiptar.
Megjithatë, ai vlerëson se copëtimi i trojeve shqiptare erdhi jo vetëm si pasojë e vendimeve të fuqive të huaja, por edhe për shkak të mungesës së unitetit ndërmjet vetë shqiptarëve.
“Paralelisht me Lidhjen Shqiptare të Prizrenit u mbajt Kongresi I Berlinit nën drejtimin e kancelarit të parë të Gjermanisë, Otto von Bismark. Në atë Kongres ku u morën vendime edhe për copëtimin e trojeve shqiptare, shkuan tre përfaqësues të Lidhjes, të cilëve u printe Abdyl Frashëri, njëri prej vëllezërve frashërllinj, Naimit dhe Samiut. Por pa sukses. Megjithatë Lidhja Shqiptare e Prizrenit u kujtoi Fuqive të Mëdha të kohës se në Ballkan ekziston edhe një popull I cili kërkon liri dhe shtetësi, shqiptarët. Pra aty u vendosën themelet e shtetit të ardhshëm shqiptar.
Ndërkohë shteti shqiptar u krijua pas 34 vitesh, në vitin 1912, madje në gjysmën e territoreve që administroi Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Ishte një sakatim I çmendur I territoreve tona. Me vendim të Fuqive të Mëdha në Konferencën e Londrës të vitit 1913, por edhe për shkak të mungesës së unitetit dhe bashkëpunimit e mirëkuptimit midis nesh, shqiptarëve. Serbia dhe Greqia shfrytëzuan Luftën e Parë e të Dytë Ballkanike për të masakruar popullin shqiptar, ndërkohë që ne qëndruam para tyre pa asnjë lloj rezistence, përveç Luftës së Lumës kundër ushtrisë serbe në nëntor 1912. Jemi mësuar që të keqen ta kërkojmë tek të tjerët, te Europa, Rusia, Serbia, Greqia etj. Por në fakt po aq sa armiqtë tanë përgjegjës për tragjeditë tona jemi vetë. Nëse ne nuk reflektojmë për historinë tonë dhe nuk nxjerrim mësime nga ajo, ka shumë mundësi që e njëjta histori të na përsëritet”, është shprehur Bytyçi.
Ai kritikon gjendjen aktuale politike në Shqipëri dhe Kosovë, duke paralajmëruar se përçarjet mund të dëmtojnë interesat kombëtare.
“Pra sot klasa politike shqiptare duhet të kuptojë se nuk mundet të vazhdojë të jetë e përçarë si në dekadën e parë të pavarësisë së Shqipërisë. Duhet të kuptojë se vetëm të bashkuar mund të arrijmë qëllimet tona kombëtare. Duhet të kuptojmë si popull e si komb, se askush nuk ta fal lirinë, shtetin dhe pavarësinë. Çdo gjë që falet la kosto më vonë. Prandaj dhe duhet të jemi e të bëhemi vetë përgjegjës për fatet tona. Shqipëria sot është në krizë për shkak të qeverisjes antikombëtare të Rilindjes së Edi Ramës. Kosova është në ngërç institucional për shkak të inateve dhe përçarjes në klasën politike të saj. Nëse vazhdojmë të jemi kështu siç na do hasmi, atëherë ne do të bëjmë vetëvrasje, do t’I dëmtojmë shumë interesat tona kombëtare”, ka shtuar ai.
Në fund, Bytyçi bën thirrje që shqiptarët të frymëzohen nga shembulli i Lidhjes së Prizrenit dhe të punojnë për zhvillimin e përbashkët kombëtar.
“Duhet patjetër të mësojmë nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit me qëllim që të bashkohemi të gjithë. Të bashkohemi jo për të promovuar projekte politike antishqiptar të Beogradit, por për të zhvilluar Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët kudo ndodhen. Të bashkohemi për të qenë më me dinjitet dhe integritet dhe për të konkurruar fqinjët e vendet e tjera në Europë. I kemi të gjitha mundësitë. Pse të mos e bëjmë?!”, ka përfunduar Bytyçi për “Bota sot”.
