TË FUNDIT

Shpëtohen dy bjeshkatarë çekë të bllokuar nga moti i keq në majën e Piribregut

Dy bjeshkatarë nga Republika Çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, në kufirin ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, pasi kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës.

Sipas njoftimit të Shërbimit të Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), dy bjeshkatarët, N.F. (1986) dhe K.M. (2004), kishin qëndruar që nga dita e shtunë në një strehimore në lartësinë 2.524 metra mbi nivelin e detit.

Meqë kushtet atmosferike nuk ishin përmirësuar dhe mjegulla ua kishte pamundësuar orientimin, ata kishin kërkuar ndihmë për shpëtim.

Thirrja emergjente ishte përcjellë fillimisht te Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Rajonit të Pollogut, në Maqedoninë e Veriut.

Pas pranimit të informacionit, ShKShMK aktivizoi ekipin e shpëtuesve malorë, të cilët, në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht Stacionin Policor në Shtërpcë, arritën te dy bjeshkatarët.

Pas vlerësimit të gjendjes së tyre dhe ofrimit të ndihmës së parë, ata u evakuuan deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Operacioni i shpëtimit zgjati katër orë nga momenti i pranimit të thirrjes emergjente. Më pas, dy shtetasit çekë u transportuan në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe iu dorëzuan Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme.

ShKShMK ka vlerësuar se njoftimi me kohë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve mundësuan përfundimin me sukses të operacionit.

Njëkohësisht, shërbimi u ka bërë thirrje bjeshkatarëve që, para nisjes për në zonat malore, të kontrollojnë parashikimin e motit, të vlerësojnë sigurinë e itinerarit dhe t’i përshtatin planet me kushtet në terren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *