Shpërthime të reja në Arabinë Saudite, mbyllet edhe aeroporti në Riad
Disa shpërthime janë dëgjuar të enjten në kryeqytetin e Arabisë Saudite, Riad, përfshirë një detonim të fuqishëm në aeroportin ndërkombëtar.
Shkaku i shpërthimeve nuk është bërë menjëherë i ditur dhe asnjë grup nuk ka marrë përgjegjësinë për to.
Huthët nga Jemeni fqinj kanë pretenduar ditët e fundit disa herë se kanë kryer sulme ndaj aeroporteve, objekteve ushtarake dhe atyre të naftës në Arabinë Saudite.
Shpërthimet ndikuan menjëherë në tregje dhe në çmimet e naftës, duke shkaktuar rritjen e çmimit të naftës bruto. Arabia Saudite është eksportuesi më i madh i naftës në botë, ndaj sulmet ndaj mbretërisë kanë shtuar shqetësimet, raporton ap.
Shërbimi Flightradar24 njoftoi të enjten në rrjetin social X se Aeroporti Ndërkombëtar “King Khalid” në Riad është mbyllur sërish. Sipas tij, ulja e fundit ishte regjistruar më shumë se 80 minuta më parë, ndërsa ngritja e fundit më shumë se 90 minuta më parë.
Një dëshmitar i tha AP-së se në vendngjarje janë dërguar ekipe zjarrfikëse dhe ambulanca, ndërsa është parë edhe tym. Sipas tij, fluturimet në nisje janë ndaluar dhe udhëtarëve u është kërkuar të lënë bagazhet e dorëzuara dhe të evakuohen nga aeroporti. Nuk dihet ende se sa fluturime janë prekur, ndërsa autoritetet saudite nuk kanë dhënë menjëherë koment.
Një ditë më parë, zyrtarët sauditë njoftuan se tre persona u vranë në dy sulme ndaj aeroporteve, për të cilat përgjegjësinë e morën Huthët. Në sulmin ndaj Aeroportit “King Khalid” u vra një shtetas sudanez dhe u plagosën tetë persona, ndërsa në sulmin ndaj aeroportit në Abha u vranë shtetas të Marokut dhe Algjerisë dhe u plagosën 28 persona.
Gjatë fundjavës, Arabia Saudite dhe forcat aleate jemenase nisën një ofensivë të madhe tokësore dhe ajrore, me synimin për të rimarrë territoret e pushtuara nga Huthët një muaj më parë përgjatë bregdetit perëndimor të Jemenit në Detin e Kuq dhe pranë ngushticës Bab el-Mandeb.
Zëdhënësi i koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite, gjeneralmajori Turki al-Malki, tha të mërkurën se forcat kishin shkatërruar një platformë në Sana, kryeqytetin e Jemenit të kontrolluar nga Huthët, e cila ishte përdorur për sulme ndaj kryeqytetit saudit. /Telegrafi/
