OPINIONTË FUNDIT

Shkruan Enver Bytyqi: Tërheqja është guxim!

Të tërhiqesh nuk është ligësi! Nëse largon sherrin nuk je frikacak. Përkundrazi, të urtët, të fortët, ata që kanë vetëbesim, ata që janë të vetëpërmbushur kanë mundësinë të tërhiqen kur gabojnë. Gjuhët e botës kanë krijuar përveç mijëra fjalëve të tjera edhe fjalën “Më fal”! Asnjëherë nuk është vonë të kërkosh ndjesë. Kurrë nuk gabon nëse mediton, vlerëson dhe analizon në mënyrë reflektive veprimet dhe mendimet e tua e në fund edhe tërhiqesh kur gabon. Njerëzit gabojnë nga nxitimi, nga mungesa e informacionit, nga emocionet. Kushdo qofshin ata, presidentë, mbretër, kryeministra, shkenctarë, kushdo. Por për t’u korrigjuar ose vetëkorrigjuar duhet ndjesa. Tërheqja është guxim. Gjithnjë nëse nuk je peng i dikujt!

Ne shqiptarëve na mungon pikërisht ndjesa. Nuk e pranojmë se kemi gabuar. Po pranuam gabimin, na duket sikur na bie qielli mbi kokë. E në fakt e kundërta e sjell katastrofën, mospranimi i të gabuarit. Shqiptarë janë edhe Vjosa Osmani dhe Albin Kurti. Për pasojë edhe ata si të gjithë politikanët e tjerë të racës sonë gabojnë dhe nuk duan ta pranojnë se gabuan. Presidentja Osmani gaboi rëndë me shpërndarjen e parlamentit. Të isha në vendin e saj do të kërkoja një ndjesë të madhe para publikut dhe do ta ç’ dreketoja atë vendim. Ky do të ishte edhe shërbimi më i mirë për Kosovën, sepse ndoshta do ta lehtësonte një vendimmarrje të Gjykatës Kushtetuese për ta vazhduar procesin e zgjedhjes së kryetarit të shtetit. E di se ka plot nga ata që ë mbarsin me vetëlavdërim dhe e bëjnë të ndjehet krenare e heroinë. Por pikërisht këta ia përgatisin të keqen.

E di se në politikë vendimet dhe veprimet kalkulohen me qëllimin që të arrihet diçka në tryezë. Mundet që presidentja në detyrë vendimin e shpërndarjes së parlamentit ta ketë kalkuluar si mjet presioni për mazhorancën. E për pasojë edhe nuk i shkon mendja të kërkojë ndjesë e ta anulojë dekretin e saj. Por ai dekret ose duhet të tërhiqet nga ajo, ose duhet bërë nul nga Gjykata Kushtetuese, ose duhet të bojkotohet nga mazhoranca. Mazhoranca është e votuar nga sovrani, presidenti votohet nga përfaqësuesit e sovranit. Vetëm qytetari gjykon dhe vendos për përfaqësuesit e vet. Dhe vendimin e tij e zhbën vetëm Zoti, por jo robi! Nuk duhet lënë që puna të shkojë te bojkoti i mazhorancës. Autoritetet që vendosin e kanë në dorë të evitojnë çdo konflikt tjetër në ditët e javët në vazhdim. Vazhdimi i konfliktit vetëm se e rëndon më shumë situatën politike në vend. E ndërkohë e vështirëson të bërit politikë në Kosovë.

Autoriteti numër një që mund ta riparojë këtë situatë konflikti është Vjosa Osmani. Nëse reflekton, nëse kërkon ndjesë, nëse bën hapin e saj të domosdoshëm deri te deklarimi se heq dorë nga një mandat i dytë për kreun e shtetit, ajo do t’i mbijetonte dallgëve të politikës dhe do të bëhej protagoniste në zhvillimet e ardhshme politike në Kosovë. Mënyrën se si ajo e bën këtë, kjo varet vetëm nga Vjosa Osmani. Por të gjitha shanset ekzistojnë që ajo të jetë faktor politik në Kosovë, gjithnjë nëse tërhiqet. Ndryshe do të bëhet target i kritikave se për ambicien e saj e çoi vendin në zgjedhje të parakohshme dhe për këtë do të paguajë një kosto të padiskutueshme. Kërkim-ndjesa është rruga e vetme e një starti të ri politik të saj.

Gazeta Bota sot ka publikuar një fotografi, të cilën e drejton ish-diplomati amerikan, Richard Grennell. Në atë foto shihet presidenti dhe ministrja e Punëve të Jashtme të Shqipërisë. Presidenti Begaj dhe ministri serb i Punëve të Jashtme, Gjuriq, gjenden në krahun e djathtë dhe të majtë të kapitenit Grennell. Diku përtej mesit të rrjeshtit në të djathtë, duket të jetë presidentja Osmani. Madje duket si e painteresuar për atë takim. Sikur dikush e ka dërguar me detyrim e pa dëshirën e saj në atë tryezë. Me siguri që takimi në fjalë është bërë në New York gjatë kohës që të gjithë këta ishin prezent në margjinat e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në shtator të vitit të kaluar.

Kjo foto do të bëhet shkak i goditjeve të vazhdueshme ndaj Vjosa Osmanit, nëse ajo nuk jep sqarime të sinqerta për publikun e Kosovës. Edhe mund të gjendesh në rrethana të caktuara në një takim si ai. Por pse, si, për çfarë dhe me cilin motiv e qëllim, këto mund t’i shpjegojë vetëm zonja Osmani. Sepse ka diçka të panatyrshme. Dhe nga ana tjetër shtrohen shumë paradigm: – I ka raportuar presidentja parlamentit për këtë takim? E ka publikuar ajo lajmin në faqen e Ëeb të presidencës? Nëse jo, pse? Cila është arsyeja që e ka fshehur atë? Të gjitha këto kërkojnë shpjegim nga ana e zonjës Osmani. Jo për mua. Sepse unë e di se prania e saj në atë tryezë , ashtu si dhe e dy personaliteteve nga Shqipëria, është nxitur dhe diktuar nga Edi Rama. Por këtë duhet ta thotë vetë zonja Osmani. Sepse Spiropali e lau “mëkatin” dhe të gjithë e dimë se Begaj është ushtar i kryeministrit të Shqipërisë. Vjosa duhet të thotë nëse edhe ajo është ushtare e këtij kryeministri sharlatan ose jo!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *