Shkolla Finlandeze në Prishtinë organizon aktivitet bamirësie për gratë e prekura nga kanceri i gjirit
Nxënësit dhe prindërit e Shkollës Finlandeze në Prishtinë janë bashkuar në një aktivitet bamirësie në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, “Pink October”, me qëllim të mbledhjes së mjeteve financiare për mbështetjen e personave që përballen me këtë sëmundje.
Përmes aktivitetit “Bake Sale”, ata kanë ofruar për shitje ëmbëlsira dhe produkte të tjera ushqimore, ndërsa të gjitha mjetet e mbledhura do t'u dhurohen grave të prekura nga kanceri i gjirit.
Drejtoresha e Shkollës Finlandeze, Nina Hartikainen, ka thënë se nisma synon të rrisë ndërgjegjësimin për këtë sëmundje dhe të ofrojë mbështetje për gratë që po përballen me të.
“Ne po organizojmë këtë aktivitet shitjeje ëmbëlsirash në shkollën tonë për të rritur ndërgjegjësimin rreth kancerit të gjirit”, ka thënë Hartikainen.
“Ne e dimë se miliona gra në mbarë botën vuajnë nga kjo sëmundje, ndaj po e ndërmarrim këtë nismë, dhe të gjitha fondet e mbledhura do t'u jepen grave që po përballen me kancerin e gjirit këtu”, ka shtuar ajo.
Ndërkaq, koordinatorja e nivelit fillor në këtë shkollë, Natyra Abdullahu, ka treguar se aktivitetet e tilla organizohen çdo vit, me synimin për të ndihmuar personat në nevojë.
“Çdo vit ne organizojmë bake sale me fëmijët e nivelit fillor, për arsye që t'i ndihmojmë personat që kanë nevojë”, ka thënë Abdullahu.
Ajo ka bërë të ditur se këtë vit aktiviteti i është kushtuar muajit të ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit dhe mbështetjes së personave që përballen me sëmundje të rënda.
“Siç po e shifni mbrapa, fëmijët shumë janë të lumtur në këtë organizim, sepse veçse blejnë gjëra të ëmbla, ata po ashtu e marojnë edhe në shtëpi dhe i sjellin në shkollë për të shitur”, ka thënë Abdullahu.
Përmes kësaj nisme, nxënësit dhe prindërit synojnë të kontribuojnë në mbështetjen e grave të prekura nga kanceri i gjirit, duke përcjellë mesazhin e solidaritetit dhe rëndësisë së ndërgjegjësimit për këtë sëmundje. / Telegrafi /
