TË FUNDIT

Shiroka-Pula kërkon mbështetjen e Zvicrës për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka kërkuar nga Zvicra vazhdimin e mbështetjes për fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe për procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare.

Këtë kërkesë ajo e ka paraqitur gjatë takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës, njëherësh kryesues i OSBE-së, Ignazio Cassis, të cilin e priti në presidencë.

Sipas njoftimit të presidencës, gjatë takimit Shiroka-Pula ka vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke e falënderuar z.Cassis për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit zviceran.

Ajo ka theksuar rëndësinë e thellimit të mëtejmë të marrëdhënieve ekonomike, rritjes së shkëmbimeve tregtare dhe shtimit të investimeve zvicerane në Kosovë.

“Presidentja theksoi gjithashtu nevojën për vazhdimin e mbështetjes së Zvicrës në fuqizimin e pozitës së Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe në procesin e anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare. Në këtë kontekst, presidentja Shiroka-Pula theksoi rëndësinë e mërgatës shqiptare, e cila kontribuon aktivisht në Zvicër dhe përbën një urë të fuqishme lidhëse ndërmjet dy shteteve. Ajo shprehu mirënjohjen për angazhimin e kontingjentit zviceran të KFOR-it në Kosovë që nga viti 1999. Nga ana e tij, ministri Cassis rikonfirmoi se Zvicra do të vazhdojë të jetë përkrah Kosovës edhe në të ardhmen, duke shprehur mbështetjen e tij edhe për presidenten Shiroka-Pula”, thuhet në njoftim

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *