SHBA kërkon fundin e UNMIK-ut, profesori flet rreth misionit: I shërben Serbisë, duan që veriu i vendit të…
Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Tammy Bruce, ka rikonfirmuar qëndrimin e Uashingtonit për mbylljen e misionit të UNMIK-ut në Kosovë, duke vlerësuar se ai nuk pasqyron më realitetin aktual në terren.
Në fjalën e saj, Bruce theksoi se UNMIK-u, i themeluar në vitin 1999 mbi bazën e Rezolutës 1244 për të stabilizuar situatën pas luftës, i përket një konteksti krejtësisht tjetër historik dhe tashmë e ka tejkaluar rolin për të cilin ishte krijuar.
“UNMIK-u është krijuar më 1999 për një realitet tjetër. Sot Kosova është tjetër vend dhe nuk ka arsye të trajtohet si në vitin 1999”, u shpreh ajo.
Sipas saj, zhvillimet në Kosovë gjatë viteve të fundit kanë dëshmuar për një transformim të dukshëm institucional dhe politik, ndërsa përgjegjësitë kryesore janë marrë nga institucionet vendore. Bruce nënvizoi se siguria në vend aktualisht garantohet nga KFOR-i, ndërsa UNMIK-u nuk ushtron më rol qeverisës, ushtarak apo ndërmjetësues në proceset politike.
Ajo gjithashtu u bëri thirrje vendeve financuese që të rishqyrtojnë mbështetjen për këtë mision, duke ngritur pikëpyetje mbi relevancën dhe funksionin e tij aktual në terren.
Në të njëjtën kohë, Bruce theksoi se prioritet mbetet normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke bërë thirrje për ulje të tensioneve dhe angazhim serioz në dialog.
“Shpresojmë që liderët të ulin tensionet dhe të angazhohen në një dialog të vërtetë, jo në teatër politik”, deklaroi ajo, duke nënvizuar nevojën për hapa konkretë drejt stabilitetit afatgjatë në rajon.
Profesor, doktor i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, thotë se situata e sotme nuk ka asnjë lidhje me kohën e pasluftës së vitit 1998- 1999.
Sipas tij, përveç faktit se KFOR-i është ende i domosdoshëm në Kosovë, në kushtet e sotme asnjë institucion tjetër i ngritur sipas rezolutës 1244 nuk është i nevojshëm.
“Të enjten në Nju Jork u mbajt mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit sa i përket marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mbledhje në të cilën përfaqësuesi i UNUMIK-ut me sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së paraqesin raportin e radhës për situatën në Kosovë dhe marrëdhëniet e saj me Beogradin. Përfaqësuesja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës kërkoi që t’i jepet fund misionit të UNMIK të krijuar sipas rezolutës 1244 me arsyetimin se situate tashmë nuk është ajo e kohës së para 27 viteve kur Kosova u vendos nën protektoratin ndërkombëtar dhe UNMIK-u e administroi atë. E vërteta është se situate e sotme e Kosovës nuk ka asnjë lidhje me kohën e pasluftës së vitit 1998-1999. Atëherë kishte detyra të tjera, kthimi i refugjatëve, rindërtimi I Kosovës së djegur dhe të shkatërruar nga sulmet mizore të ushtrisë dhe policisë serbe kundër shqiptarëve. Ndërtimi i institucioneve demokratike dhe administrimi ligjor e deri i pasurive dhe pronave të Kosovës, rendi, qetësia dhe siguria e transferuar si detyrë e KFOR-it etj. Përveç fakti se KFOR-i është ende i domosdoshëm në Kosovë, në kushtet e sotme asnjë institucion tjetër i ngritur sipas rezolutës 1244 nuk është I nevojshëm. UNMIK-u tani është pengesë e stabilitetit politik të Kosovës. Po ashtu mbledhjet e Këshillit të Sigurimit janë një akt krejt formal, sepse nuk japin asnjë zgjidhje dhe madje ndikojnë negativisht në stabilitetin rajonal”, deklaron Bytyçi.
ImageEnver BytyçiFoto galeri
Sipas tij, prezenca e UNMIK-ut është kërkesë politike e Serbisë dhe e Rusisë dhe funksioni i tij nuk është pozitiv për Kosovë.
“Prezenca e UNMIK-ut në Kosovë është kërkesë politike e Serbisë dhe e Rusisë. Sa kohë që Rusia e ndoshta edhe Kina nuk bien dakord që të largohet UNMIK-u nga Kosova, aq kohë ai do të qëndrojë aty, thjesht për të shpenzuar një pjesë të buxhetit të OKB-së dhe për të sabotuar paqenm stabilitetin dhe sigurinë në këtë pjesë të Europës. Nuk ka asnjë funksion me rol pozitiv të UNMIK-ut në Kosovë. Veprimtaria e tij është kufizuar në veri të vendit dhe shërben si një mesazh se kjo pjesë vitale dhe më e pasura e Kosovës është e mbetet ende një territori “i askujt”, siç ka dëshirë ta quajë Edi Rama. Ndërkohë që largimin e kësaj prezence e kanë kërkuar vazhdimisht Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britania e Madhe. Për çudi, Franca jo edhe aq. Kjo do të thotë se koha e largimit të UNMIK nga Kosova ka kaluar që kur. Është thjesht një prani e panevojshme, madje e shndërruar tashmë në pengesë të qëllimeve të cilave u përmbahet Rezoluta 1244”, shprehet profesori.
Kam frikë se UNMIK do të qëndrojë sa kohë që Serbia të këmbëngulë për prezencën e tij, thotë Bytyçi, duke shtuar se UNMIK vepron vetëm në këtë pjesë për të përçuar mesazhin serb e rus se statusi i kësaj pjese të vendit nuk është përcaktuar ende.
“Në Rezolutën 1244 thuhet se Kosova do të zhvillonte bisedimet për statusin e saj të ardhshëm dhe këto bisedime tashmë kanë përfunduar në Vjenë dhjetor të vitit 2007. Bazuar në rekomandimin e Ahtisaarit më 17 shkurt 2008 u shpall pavarësia e Kosovës. Nga ky moment UNMIK-u sipas asaj resolute nuk kishte më asnjë funksion në Kosovë. Sepse prej datës 17 shkurt 2008 Kosova nuk ishte më protektorat e nën administrim ndërkombëtar. Vetë UNMIK e kishte përgatit këtë situatë, kur gradualisht I pati kaluar komppetencat e tij te institucionet vendase, të cilat patën dalë nga zgjedhjet e lira e demokratike të organizuara përmes OSBE-së. OSBE në Kosovë asokohe nuk ishte vëzhguese, por ishte administrator e zgjedhjeve demokratike në Kosovë. Kësisoj nuk pati asnjë arsye që UNMIK të qëndronte në Kosovë pas vitit 2008. Ndoshta që ai është edhe sot prezent formalisht, thjesht se këtë e kërkon me ngulm Beogradi. Nga ana tjetër kam frikë se UNMIK do të qëndrojë aty sa kohë që Serbia të këmbëngulë për prezencën e tij, duke spekulluar me veriun e Kosovës. E në fakt UNMIK-u vepron vetëm në këtë pjesë të Kosovës, për të përçuar mesazhin serb e rus se statusi i kësaj pjese të vendit nuk është përcaktuar ende. Prandaj dhe Rusia përdor veton e saj për ta bllokuar një vendim të Këshillit të Sigurimit që largon UNMIK-un nga Kosova. Kurse në praktikë ne kemi parë, sidomos pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, se stafi i UNMIK-ut përdoret si mashë e politikave serbe në këtë vend. Shumë UNMIK-as janë vënë në shërbim deri të BIA-se së Serbisë, jo vetëm të politikave diversiniste serbe në Kosovë”, shton profesori.
Në fund, ai shton se mbyllja e UNMIK-ut do të thoshte forcim stabiliteti, sigurie dhe paqe.
“Për të gjitha këto arsye mbyllja e kësaj organizate të OKB-së në Kosovë do të thoshte forcim të stabilitetit, sigurisë dhe paqes në vend. Fakti që UNMIK-u i ka shërbyer dhe i shërben politikave destabilizuese të Beogradit, dëshmon se mbyllja e tij shënon një kthesë të madhe për të izoluar ndikimin e politikave serbe të destabilizimit në rajon. Mjafton kjo arsye që UNMIK të mbyllet një orë e më parë. Por nga ana tjetër, UNMIK tashmë është minimum një apendicit në trupin e Kosovës, madje që ka grumbulluar qelb dhe po e infekton atë. Largimi I UNMIK-ut është sit ë thuash njësoj si ta heqësh zorrën qorre kur ajo është qelbëzuar!”, përfundon Bytyçi.
