POLITIKATË FUNDIT

SHBA-ja njofton tarifa të reja deri në 20% ndaj Kinës, BE-së dhe 12 vendeve të tjera

Administrata e Donald Trump propozoi të mërkurën tarifa të reja deri në 20% ndaj Kinës, Bashkimit Evropian dhe 12 partnerëve të tjerë kryesorë tregtarë të SHBA-së.

Këto tarifa pritet të hyjnë në fuqi vitin e ardhshëm, pas një hetimi 8-mujor mbi kapacitetet e tepërta prodhuese, shkruajnë mediat e huaja , përcjell Telegrafi.

Këto masa mund të shkaktojnë tronditje në ekonominë globale, ku Kina është objektivi kryesor.

Tarifa e propozuar prej 20% për shumë mallra kineze u përshkrua nga administrata Trump si një "normë marrëveshjeje", e cila mund të rritet më tej në varësi të ecurisë së bisedimeve aktuale.

Kjo tarifë e re do t'u shtohet tarifave ekzistuese, duke çuar në një normë totale prej mbi 40% për disa mallra.

Tarifat e reja nuk do të hyjnë në fuqi pa u zhvilluar dëgjesa shtesë dhe një periudhë për komente publike; sipas një zyrtari amerikan që informoi gazetarët para njoftimit, ato "në rastin më të hershëm, pritet të hyjnë në fuqi në janar".

Siç kujtojnë mediat, një “armëpushim tregtar” ekzistues me Kinën pritet të skadojë më 10 janar.

Edhe disa vende të tjera aziatike mund të përballen me tarifa më të larta; për Vietnamin është propozuar një tarifë e re prej 20%, ndërsa për Kamboxhian, Indonezinë dhe Malajzinë propozohen tarifa prej 18%.

Për Indinë parashikohet një normë prej 17%, por – siç theksoi administrata – kjo vlen vetëm nëse bisedimet aktuale çojnë në një marrëveshje.

Zyrtari amerikan deklaroi se normat mund të rriten edhe më shumë, në varësi të reagimit të vendeve përkatëse.

Ai shtoi se hetimi ka arritur në përfundimin se një tarifë e re prej 40% për Kinën dhe 35% për Vietnamin do të ishte "e justifikuar", edhe pse për momentin propozohet një normë më e ulët për shkak të bisedimeve që janë ende në zhvillim.

Të mërkurën, Shtëpia e Bardhë publikoi një listë me "Norma të Propozuara", të cilat janë përgjithësisht më të larta, duke variuar nga 20% në 40%.

Në raste të tjera, ndikimi mund të jetë më i kufizuar, pasi tarifat e reja janë hartuar në mënyrë që të mos tejkalojnë normat e rëna dakord në marrëveshjet tregtare të kohëve të fundit.

Kjo do të thotë se partnerët tregtarë – përfshirë Bashkimin Evropian, Korenë e Jugut dhe Japoninë – do të përballen me një tarifë prej 15%, normë kjo që përputhet me atë për të cilën ata kanë rënë dakord me administratën Trump gjatë muajve të fundit.

Tarifat e reja përjashtojnë produkte kyçe si gjysmëpërçuesit, si dhe automjetet, çelikun dhe aluminin, të cilat i nënshtrohen një kuadri të veçantë tarifor.

Mallra të tjera, për të cilat administrata Trump ka bërë përjashtime muajt e fundit – përfshirë produkte të caktuara të energjisë dhe ushqimit – gjithashtu nuk do të preken nga këto masa.

Hetimi u krye në bazë të Seksionit 301 të Aktit të Tregtisë të vitit 1974 dhe përfshiu Bangladeshin, Kamboxhian, Kinën, Bashkimin Evropian, Indinë, Indonezinë, Japoninë, Korenë e Jugut, Malajzinë, Singaporin, Zvicrën, Tajvanin, Tajlandën dhe Vietnamin.

Nën hetim ishin gjithashtu Norvegjia dhe Meksika; gjetjet për këto vende janë ende në shqyrtim.

Qëllimi zyrtar i tarifave të reja është adresimi i asaj që administrata Trump e konsideron si subvencione të paligjshme nga shtete të huaja, të cilat krijojnë kapacitete të tepërta prodhuese – një praktikë që SHBA-ja e ka vlerësuar si "të paarsyeshme" dhe si diçka që "rëndon ose kufizon tregtinë amerikane". / Telegrafi /

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *