TË FUNDIT

SHASIVARI-SVEÇLA: BASHKËPUNIM MË I NGUSHTË PËR SIGURI DHE STABILITET RAJONAL

Budva, 6 nëntor 2026-Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, që po mbahet në Budva të Malit të Zi, zhvilloi një takim me Ministrin e Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Xhelal Sveçla. Gjatë takimit u theksua rëndësia e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, me fokus në koordinimin institucional, shkëmbimin e përvojave dhe intensifikimin e veprimeve të përbashkëta në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe sfidave të tjera të sigurisë. Ministri Shasivari vlerësoi se marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe lidhjet e ngushta ndërmjet qytetarëve të dy vendeve përbëjnë një bazë të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit institucional dhe garantimin e sundimit të ligjit. Në takim u theksua gjithashtu se Kosova dhe Maqedonia ndajnë orientimin e përbashkët evropian dhe përgjegjësinë për ndërtimin e një rajoni më të sigurt, më stabil dhe më të integruar në Bashkimin Evropian. Bashkëbiseduesit vlerësuan se bashkëpunimi i qëndrueshëm ndërmjet institucioneve të të dyja vendeve është në interes të drejtpërdrejtë të qytetarëve dhe përbën një kontribut të rëndësishëm për sigurinë dhe perspektivën evropiane të rajonit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *