TË FUNDIT

SHASIVARI NGA BUDVA: KORRUPSIONI NUK KA KUFIJ, ASKUSH NUK ËSHTË MBI LIGJIN

Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, kërkon përgjegjësi pa përjashtim, verifikim të pasurisë së pajustifikueshme dhe konfiskim të përfitimeve të paligjshme. Në kuadër të Forumit Ministror BE-Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Punët e Brendshme, të mbajtur në Budva, Ministri i Drejtësisë, Jeton Shasivari, mori pjesë në panelin kushtuar luftës kundër korrupsionit, ku theksoi nevojën për një qasje të vendosur, sistematike dhe të koordinuar në luftimin e kësaj dukurie. Shasivari theksoi se lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbetet në nivel deklaratash politike, por duhet të dëshmohet përmes veprimeve konkrete, institucioneve të përgjegjshme, drejtësisë së pavarur dhe profesionale, si dhe zbatimit të barabartë të ligjit. Ai nënvizoi se verifikimi i pasurisë së pajustifikueshme, konfiskimi i përfitimeve të paligjshme dhe ndëshkimi i përgjegjësve duhet të jenë mekanizma thelbësorë në këtë luftë. Sipas ministrit Shasivari, korrupsioni nuk njeh kufij shtetërorë, ndaj luftimi i tij kërkon bashkëpunim ndërkombëtar dhe koordinim të vazhdueshëm me partnerët evropianë. “Askush nuk është mbi ligjin dhe askush nuk duhet të jetë i mbrojtur nga përgjegjësia për shkak të funksionit, pasurisë apo ndikimit politik”, ishte mesazhi i qartë i ministrit të Drejtësisë. Ai ritheksoi përkushtimin e Ministrisë së Drejtësisë për avancimin e reformave, forcimin e mekanizmave kundër korrupsionit dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie që garanton ligjshmëri, llogaridhënie dhe trajtim të barabartë për të gjithë qytetarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *