TË FUNDIT

Sfidat dhe sukseset e shqiptarëve, politikani Deli Balidemaj: Diaspora është një urë e rëndësishme ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë

I pranishëm në Gjermani që nga viti 1997, me një rrugëtim të gjatë në jetën profesionale, shoqërore dhe politike, ai është një nga shqiptarët që ka arritur të ndërtojë një profil të rëndësishëm në institucionet politike të Bavarisë.

Fjala është për Deli Balidemaj, i cili, përmes angazhimit në Unionin Kristiansocial (CSU), përvojës në Këshillin Bashkiak të Mynihut dhe si anëtar i Parlamentit të Bavarisë së Epërme që nga viti 2018, dëshmon se integrimi i suksesshëm nënkupton edhe pjesëmarrje aktive në vendimmarrje.

Në këtë intervistë për Telegrafin, Balidemaj ka folur për rrugëtimin e tij në Gjermani, sfidat me të cilat përballet komuniteti shqiptar, zhvillimin e bizneseve dhe nevojën për një përfaqësim më të madh të shqiptarëve në politikën dhe institucionet gjermane.

Duke folur për marrëdhëniet Kosovë–Gjermani, ai thekson rëndësinë e diplomacisë profesionale, forcimit të bashkëpunimit ekonomik dhe shfrytëzimit të potencialit të diasporës.

Sipas tij, diaspora shqiptare nuk duhet të shihet vetëm si burim i remitancave, por si një kapital i çmuar njerëzor, profesional dhe ekonomik, që mund të kontribuojë drejtpërdrejt në zhvillimin e Kosovës.

Ai ndan gjithashtu vlerësimet e tij për zhvillimet politike në Kosovë, duke bërë thirrje për më shumë dialog politik, institucione profesionale dhe ruajtje të partneritetit strategjik me Gjermaninë, SHBA-në dhe aleatët perëndimorë.

Mesazhi i tij për bashkatdhetarët është i qartë: Të jenë krenarë për prejardhjen shqiptare, të bashkëpunojnë mes vete dhe të bëhen pjesë aktive e shoqërisë gjermane.

Telegrafi: Fillimisht, a mund të na tregoni se si ka nisur rrugëtimi juaj në diasporë, kur keni shkuar dhe me çka jeni marrë?

Deli Balidemaj: Në Gjermani jam prej vitit 1997. Rrugëtimi im në Gjermani ka qenë një përvojë e gjatë, me sfida, sakrifica, por edhe me shumë mundësi. Si shumë bashkatdhetarë të tjerë, edhe unë jam përballur me vështirësitë e fillimit, me një gjuhë të re, një kulturë tjetër dhe me nevojën për ta ndërtuar jetën pothuajse nga e para.

Që në fillim e kam kuptuar se integrimi nuk nënkupton vetëm të jetosh dhe të punosh në një vend, por edhe të bëhesh pjesë aktive e shoqërisë ku jeton, pa e harruar prejardhjen dhe identitetin tënd.

Përveç angazhimeve të mia profesionale, jam përfshirë herët në jetën shoqërore dhe politike. Kam qenë gjithmonë i bindur se ne shqiptarët nuk duhet të mbetemi vetëm spektatorë të zhvillimeve politike në vendet ku jetojmë, por duhet të marrim përgjegjësi dhe të kontribuojmë drejtpërdrejt.

Kjo bindje më ka shoqëruar gjatë gjithë rrugëtimit tim dhe më ka mundësuar që, përmes punës dhe angazhimit të vazhdueshëm, të fitoj besimin e qytetarëve dhe të marr përgjegjësi të rëndësishme politike dhe institucionale në Mynih dhe Bavari.

Telegrafi: Po tani, cili është angazhimi juaj politik në Gjermani?

Deli Balidemaj: Prej shumë vitesh jam aktiv në politikën gjermane, konkretisht në Unionin Kristiansocial (CSU) në Bavari, ku kam ushtruar funksione të ndryshme partiake dhe politike.

Kam qenë këshilltar në Këshillin Bashkiak të Mynihut, asamblist në periudha të ndryshme, ndërsa që nga viti 2018 jam anëtar i Parlamentit të Bavarisë së Epërme (Bezirkstag von Oberbayern), një institucion i rëndësishëm rajonal që merret me çështje sociale, shëndetësore, kulturore dhe me shërbime të tjera publike.

Aktualisht jam gjithashtu i angazhuar profesionalisht në Ministrinë e Punëve të Brendshme të Bavarisë – Zyrën e të Ngarkuarit për Integrim të Qeverisë së Bavarisë, ku përballemi çdo ditë me tema që lidhen me integrimin, pjesëmarrjen shoqërore dhe bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve të ndryshme.

Ajo që ndoshta shumë lexues nuk e dinë është se angazhimi im politik nuk ka qenë asnjëherë i kufizuar vetëm te komuniteti shqiptar. Përkundrazi, unë përfaqësoj interesat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht prejardhjes, kombësisë apo besimit të tyre.

Natyrisht, prejardhja ime shqiptare mbetet një pjesë e rëndësishme e identitetit tim dhe jam krenar që, përmes angazhimit tim, kam mundur të ndërtoj ura komunikimi dhe bashkëpunimi ndërmjet shqiptarëve dhe institucioneve gjermane.

Për mua, suksesi më i madh nuk është vetëm të arrish një pozitë politike, por të dëshmosh se edhe një njeri me prejardhje nga Kosova mund të fitojë besimin e qytetarëve gjermanë dhe të marrë përgjegjësi në institucionet e vendit.

Telegrafi: Me çfarë problemesh përballet komuniteti shqiptar në Gjermani? Çka adresohet te ju më së shumti?

Deli Balidemaj: Komuniteti shqiptar në Gjermani ka bërë përparime të jashtëzakonshme gjatë dekadave të fundit. Nga një komunitet që dikur përballej kryesisht me sfidat e emigrimit dhe të mbijetesës ekonomike, sot kemi një gjeneratë të re profesionistësh, sipërmarrësish, akademikësh dhe njerëzish të suksesshëm në shumë fusha.

Megjithatë, problemet nuk mungojnë. Ndër çështjet që adresohen më shpesh janë procedurat administrative, lejet e qëndrimit, marrja e shtetësisë gjermane, bashkimi familjar, njohja e diplomave dhe kualifikimeve profesionale, shkollimi dhe integrimi në tregun e punës. Duhet theksuar se ekonomia në Gjermani ka pësuar rënie të madhe vitet e fundit, kështu që shumë të rinj dhe të reja, para se t'ia mësyjnë Gjermanisë, duhet të mendohen mirë e mirë dhe të këshillohen se a ia vlen, ngase vitet e fundit një numër jo i vogël i atyre që kanë ardhur janë të zhgënjyer dhe janë kthyer edhe në Kosovë.

Një sfidë tjetër është përfshirja më e madhe e shqiptarëve në jetën politike dhe institucionale të Gjermanisë. Shpesh kam përshtypjen se ne shqiptarët jemi shumë aktivë në biznes dhe në jetën ekonomike, por ende jo mjaftueshëm në proceset vendimmarrëse politike.

Mendoj se kjo duhet të ndryshojë. Gjermania është bërë atdhe i dytë për shumë familje shqiptare dhe është e rëndësishme që ato të mos jenë vetëm pjesë e shoqërisë, por edhe pjesë e vendimeve që ndikojnë në të ardhmen e saj.

Njëkohësisht, duhet të investojmë edhe më shumë në arsimimin e brezave të rinj dhe në ruajtjen e gjuhës shqipe. Integrimi i suksesshëm dhe ruajtja e identitetit kombëtar nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën.

Telegrafi: Po bizneset, zhvillimi dhe inovacioni, si janë duke shkuar te shqiptarët e Gjermanisë? Sa janë ata të angazhuar me biznese dhe çfarë lloje biznesesh zhvillojnë?

Deli Balidemaj: Në këtë drejtim, komuniteti shqiptar ka shënuar një zhvillim shumë të rëndësishëm. Dikur shqiptarët në Gjermani njiheshin kryesisht si punëtorë në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Sot kemi shumë shqiptarë që drejtojnë biznese të suksesshme, krijojnë vende pune dhe kontribuojnë në ekonominë gjermane.

Ata janë të pranishëm në ndërtimtari, gastronomi, transport, tregti, patundshmëri, shërbime, teknologji informative dhe gjithnjë e më shumë edhe në profesione akademike e inovative. Ajo që më gëzon veçanërisht është zhvillimi i gjeneratës së dytë dhe të tretë, e cila po hyn me sukses në profesione të kualifikuara, në teknologji, mjekësi, inxhinieri dhe sipërmarrje moderne. Megjithatë, mendoj se potenciali ynë ekonomik ende nuk është shfrytëzuar sa duhet, sidomos në raport me Kosovën.

Do të dëshiroja të shihja më shumë bashkëpunim ndërmjet ndërmarrjeve shqiptare në Gjermani dhe bizneseve në Kosovë, më shumë investime në prodhim, teknologji, energji të ripërtëritshme dhe në hapjen e vendeve të qëndrueshme të punës.

Diaspora nuk duhet të shihet vetëm si burim i remitancave. Ajo përfaqëson një kapital të jashtëzakonshëm njerëzor, profesional dhe ekonomik, i cili mund të ndikojë drejtpërdrejt në zhvillimin afatgjatë të Kosovës, e për këtë duhet një plan koncept nga Qeveria e Kosovës se cilët sektorë janë të rëndësisë së veçantë për investime dhe gjithashtu të ofrohen lehtësime për investime.

Telegrafi: Çka mendoni se duhet të investohet më shumë në raportet Kosovë–Gjermani, qofshin ato politike me klasën politike gjermane, qoftë me shqiptarët atje?

Deli Balidemaj: Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë janë tradicionalisht shumë të mira dhe kanë një rëndësi të veçantë për vendin tonë. Gjermania ka qenë dhe mbetet një nga partnerët më të rëndësishëm të Kosovës, që nga periudha e luftës, pranimi i refugjatëve, mbështetja për pavarësinë dhe deri te zhvillimi ekonomik dhe institucional.

Por mendoj se ekziston ende shumë hapësirë për thellimin e këtij bashkëpunimi.

Së pari, Kosova duhet të investojë më shumë në diplomaci aktive dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me përfaqësuesit politikë gjermanë, jo vetëm në nivel federal në Berlin, por edhe në nivel të landeve dhe komunave. Gjermania është një shtet federal, ku landet kanë kompetenca dhe ndikim të rëndësishëm në shumë fusha. Pikërisht këtu shoh mundësi të mëdha për bashkëpunim, veçanërisht me Bavarinë.

Së dyti, duhet të krijohen më shumë partneritete konkrete në ekonomi, arsim profesional, shkencë, teknologji dhe investime.

Së treti, institucionet e Kosovës duhet të kenë një bashkëpunim më sistematik me diasporën shqiptare. Në Gjermani jetojnë shumë shqiptarë që janë aktivë në politikë, ekonomi, administratë, universitete dhe institucione të ndryshme. Ky potencial duhet të njihet dhe të shfrytëzohet më mirë. Shpesh krijohet përshtypja se diaspora kujtohet kryesisht gjatë zgjedhjeve ose kur flitet për remitancat. Kjo qasje duhet të ndryshojë. Diaspora duhet të jetë një partner i përhershëm i institucioneve të Kosovës, jo vetëm një mbështetëse financiare apo elektorale.

Një element tjetër shumë i rëndësishëm është besueshmëria politike. Në marrëdhëniet ndërkombëtare, sidomos në Gjermani, vlerësohen serioziteti, vazhdimësia, respektimi i marrëveshjeve dhe komunikimi i hapur. Kosova duhet të prezantohet si një shtet demokratik, i besueshëm dhe me orientim të qartë evropian e perëndimor.

Jam i bindur se sa më të forta të jenë marrëdhëniet Kosovë–Gjermani, aq më të mëdha do të jenë mundësitë për zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe integrimin ndërkombëtar të Kosovës.

Telegrafi: Cili është mesazhi juaj për gjithë shqiptarët në Gjermani?

Deli Balidemaj: Mesazhi im për bashkatdhetarët është i thjeshtë: të jeni krenarë për prejardhjen tuaj, por njëkohësisht bëhuni pjesë aktive e shoqërisë ku jetoni.

Të bashkëpunoni me njëri-tjetrin dhe të keni shumë më shumë besim te njëri-tjetri.

Gjermania na ka ofruar mundësi të shumta për punë, arsimim, zhvillim profesional dhe ndërtimin e një jete më të mirë. Këto mundësi duhet t'i shfrytëzojmë me përgjegjësi, duke respektuar ligjet, institucionet dhe vlerat demokratike të këtij vendi.

Duhet të investojmë sa më shumë në arsimimin e fëmijëve tanë, në përgatitjen e tyre profesionale dhe në pjesëmarrjen e të rinjve në jetën shoqërore e politike.

Do të dëshiroja të shihja sa më shumë shqiptarë në këshillat bashkiakë, në parlamentet rajonale, në Bundestag, në universitete, në administratë dhe në pozita të tjera vendimmarrëse.

Në të njëjtën kohë, duhet ta ruajmë gjuhën shqipe, kulturën dhe lidhjen me vendlindjen – këtu duhet shumë më shumë angazhim institucional i Kosovës. Fëmijët tanë duhet ta njohin historinë dhe prejardhjen e tyre, por edhe të ndihen plotësisht pjesë e shoqërisë gjermane.

Dhe një porosi tjetër: të mos lejojmë që përçarjet politike nga Kosova të na ndajnë edhe këtu në diasporë. Mund të kemi bindje të ndryshme politike, por respekti i ndërsjellë dhe interesat e përbashkëta duhet të na bashkojnë.

Ne nuk kemi nevojë të zgjedhim ndërmjet të qenit shqiptarë të mirë dhe qytetarë të mirë të Gjermanisë. Mund dhe duhet të jemi të dyja.

Për mua, kjo është edhe dëshmia më e mirë e një integrimi të suksesshëm dhe një kontribut i rëndësishëm që mund t'ia japim si Gjermanisë, ashtu edhe Kosovës ./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *