OPINIONTË FUNDIT

Serbia e rrethuar nuk do mund të qëndrojë në dy ose tri karrige!

Kryeministri në ardhje i Hungarisë, Peter Magyar, është deklaruar hapur kundër marrëdhënies së ngushtë personale midis rivalit të tij, tashmë në opozitë, Viktor Orban dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Ai ka thënë se e di se kush është kumbara i kësaj lidhjeje dhe miqësie të pazakontë, duke aluduar për presidentin rus, Vladimir Putin.

Në fakt Orban ishte dhe mbetet të jetë mik dhe aleat jo vetëm i Putin, por edhe i presidentit amerikan, Donald Trump, ndërkohë që Vuçiq është tashmë thjesht një marionetë e Kremlinit me shefin e të cilin flet shpesh në telefon dhe bisedon, siç thotë ai, për gjithçka… edhe për Kosovën dhe Republikën Srpska të Bosnjë-Hercegovinës. Si paralelizëm, mund të them se Vuçiq vetëm në dy raste dhe vetëm me dy liderë ka thënë se “flet për gjithçka dhe merret vesh për çdo gjë”. Këtë e thotë sot në marrëdhënien e tij me Putin, por e ka deklaruar gjithashtu në një mbrëmjë joformale me shefat e shteteve dhe kryeministrat e Europës në fund të shtatorit 2022 në Pragë të Çekisë në adresë të Edi Ramës.

Por le të kthehemi te marrëdhënia Magyar – Vuçiq. Retorika midis tyre ka qenë këto ditë e ashpër. Dhe kjo na bën të kuptojmë se Serbia me zgjedhjet e reja në Hungari dhe fitoren e opozitës atje ka humbur aleatin më të vyer të saj. Orban humbi thellë në zgjedhjet e para një jave, ndërkohë që kryeministri i Shqipërisë tha se i uron më të mirën mikut të tij hungarez. Ndërsa Vuçiq humbi një mik, një aleat të panatyrshëm, një mbështetës të pushtetit të tij politik, Kosova dhe shqiptarët kanë tashmë një kundërshtar më pak. Por si duhet të lexohet fitorja e Magyar dhe humbja e Orban për rajonin tonë, sidomos për Serbinë?

Serbia do ta ketë tashmë më të vështirë mbijetesën e saj në një ishull euro-atlantik. Të gjithë fqinjët e saj janë anëtarë ose drejt rrugës së integrimeve të plota në NATO dhe BE. Për ata që venë në diskutim NATO-n, mund t’u them se deklaratat kundërshtuese të Donald Trump janë thjesht retorikë. SHBA-të nuk largohen nga Aleanca Atlantike, sepse kjo do të thoshte largim edhe nga kontinenti europian. Kjo nuk ndodh, as nuk do të ndodh. Ndaj dhe Serbia do të vazhdojë të jetë nën presionin euro-atlantik për të zgjedhur me çdo kusht orientimin perendimor në të gjitha fushat, përfshirë edhe sigurinë e saj.

Largimi i Orban krijon mundësitë që lidershipi serb të mos shpresojë më në iluzionet e krijimit të një ishulli rus në zemër të Europës Qendrore. Ardhja dhe paraljmërimet e Peter Magyar janë sinjale me kuptim të madh për ta kuptuar faktin se Serbia nuk mund të qëndrojë më në dy ose tri karrike. Për të ka vetëm një vend, madje me përcaktim e detyrim. Janë strukturat euro-atlantike ato që e presin Serbinë në to.

A do të ndodh kjo? Padyshim se po. Sa kohë do të duhet? Është vështirë të thuhet, por tashmë e dimë se kjo kohë nuk është më pa limit. Uashingtoni e ka bërë me dije se vendi i Serbisë është në NATO. Po ashtu Bashkimi Europian tani pas erës Orban ka të gjitha arsyet që të shtojë presionin ndaj Beogradit që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në Union. Letra e botuar në Frankfurter Allgemmeine Zeitung së bashku me shefin e ekzekutivit të Tiranës për një integrim ekonomik e jo politik në BE nuk bëri punë. Në BE nuk ka tashmë asnjë lider që mund ta shpëtojë Aleksandër Vuçiq. Nuk e ka këtë mundësi as Fico i Sllovakisë, sepse është i vetëm dhe shumë i vogël, pra i pafuqishëm.

Në këto kushte duhet që sidomos Kosova ta shfrytëzojë momentin. Të qëndrojë fort në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, të unitarizmit dhe multikulturalizmit njëkohësisht. Këto dy të fundit, unitarizmi shtetëror dhe multikulturalizmi, nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, përkundrazi e forcojnë karakterin unik të qytetarëve të Kosovës. Derisa ka ardhur momenti që presioni ndaj Beogradit të shtohet, atëherë edhe Kosova ka mundësi që të krijojë kushte për rritjen e këtij presioni. Gjithnjë duke qenë lauajale në taktika dhe e qëndrueshme në strategji dhe qëllimet finale të shtetësisë së saj. Ndërkaq, Shqipëria gjithashtu e ka më të vështirë ta luajë tani “Kalin e Trojës” në mes Kosovës dhe Serbisë, e maskuar si lojë midis BE-së e NATO-s nga njëra anë dhe Serbisë nga ana tjetër.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *