TË FUNDIT

Selimi: Serbia t’u njohë shqiptarëve të Luginë të drejtat që kërkon në Kosovë

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, ka kritikuar Serbinë për mospërputhjen mes deklarimeve për të drejtat e njeriut dhe trajtimit të shqiptarëve në Serbi, derisa kërkoi edhe përgjegjësi për sulmin terrorist në Banjskë.

Në fjalimin e saj në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, në emër të grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Selimi u ndal te deklaratat e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ajo kritikoi Gjuriqin për mospërmendjen e Milan Radoiçiqit, si organizator të sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

“Në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, ministri i Jashtëm i Serbisë, Marko Gjuriq, foli për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë, por nuk foli për Milan Radoiçiqin, organizatorin e sulmit terrorist në Banjskë, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, heroi Afrim Bunjaku”, tha Selimi.

Ajo ngriti pyetjen se përse Radoiçiqi vazhdon të jetë i lirë në Serbi dhe nuk i dorëzohet drejtësisë në Kosovë. “Por Gjuriqi u kujdes të fliste për familjen e Aleksandër Vuçiqit, për familjen e presidentit të Serbisë, i cili ishte ministër i Informacionit të regjimit të Milloshqviqit. Kundër shqiptarët e Kosovës vriteshin, masakroheshin dhe dëboheshin nga shtëpitë e tyre”, u shpreh ajo.

Selimi kritikoi edhe qëndrimin e përfaqësuesit të Rusisë në të njëjtën mbledhje, duke e lidhur atë me, siç tha, mohimin e sovranitetit të Kosovës.

“Rusia, e cila po vazhdon luftën pushtuese kundër Ukrainës, nuk mund të jetë autoriteti moral për respektimin e sovranitetit. Serbia, e cila nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, nuk mund të kërkojë që të drejtat e komuniteteve të shërbejnë si mjet për ushtrimin e autoritetit të saj mbi territorin tonë”, deklaroi Selimi.

Duke folur për të drejtat e shqiptarëve në Serbi, ajo përmendi pasivizimin e adresave në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, mosnjohjen e diplomave, përfaqësimin në institucionet shtetërore dhe pengesat në përdorimin e gjuhës shqipe.

“Në Kuvendin e Kosovës, komuniteti serb ka 10 vende të garantuara, në Kuvendin e Serbisë, shqiptarët nuk kanë asnjë vend të garantuar. Këto janë dy realitetet që duhet të krahasohen sa herë që Beogradi flet për standardet demokratike. Republika e Kosovës i garanton me Kushtetutë të drejtat e komuniteteve të saj. Ne kërkojmë që të njëjtat parime të vlejnë edhe për shqiptarët në Serbi”, tha ajo.

Selimi foli edhe për zgjedhjet parlamentare në Serbi, që mbahen më 25 tetor, duke përshëndetur bashkimin e subjekteve politike shqiptare në Koalicionin Shqiptar, të udhëhequr nga Shaip Kamberi.

“Ky bashkim është përgjegjësi politike ndaj përpjekjeve për ta dobësuar përfaqësimin e shqiptarëve. Ai dëshmon se përballë diskriminimit, bashkimi rreth të drejtave të për- të përbashkëta është më i rëndësishëm se dallimet ndërmjet subjekteve politike”, tha Selimi.

Ajo u bëri thirrje shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi që të marrin pjesë në zgjedhje dhe ta mbështesin këtë koalicion.

“Nga kjo foltore, u bëj thirrje shqiptarëve me të drejtë vote në Serbi të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 tetorit dhe ta mbështesin Koalicionin Shqiptar. Lëvizja Vetëvendosje do të vazhdojë ta mbështesë përfaqësimin politik të shqiptarëve dhe kërkesat e tyre për barazi, arsim, punësim dhe dinjitet”, theksoi ajo. Në përfundim të fjalimit, Selimi përsëriti kritikat ndaj Serbisë për trajtimin e shqiptarëve dhe çështjen e Radoiçiqit.

“Serbia nuk mund të kërkojë në Kosovë të drejta që nuk u ua njeh shqiptarëve brenda kufijve të saj. As të kërkojë drejtësi në Kombet e Bashkuara, ndërsa Radoiçiqin e mban të lirë në Beograd. Të drejtat e njeriut nuk janë instrument i politikës së jashtme. Ato janë detyrim i shtetit ndaj çdo qytetari, dhe Serbia duhet të fillojë zbatimin aty ku qeveris ajo”, përfundoi Selimi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *