Salihaj shpërthen: LDK ka humbur identitetin, koalicionet me PDK “s’kanë fund”!
Uran Ismajli nga Partia Demokratike e Kosovës në një emision kishte konfirmuar publikisht atë që përflitej prej kohësh se ekziston një bashkëqeverisje në Prishtinë mes PDK-së dhe Përparim Ramës nga LDK.
Por, nga ana tjetër LDK doli me një komunikatë ku mohoi të ketë një kolaicion të tillë, derisa vet kryetari i Prishtinës, Përparim Rama njoftoi për bashkëpunimin e ri politik me PDK.
“Zotohemi për qeverisje që tejkalon interesat partiake, duke vënë në dispozicion kapacitetet profesionale dhe njerëzore për realizimin e projekteve strategjike në dobi të qytetarëve dhe të mirës publike”, kishte shkruar ndër tjera Rama.
Ish-deputeti i LDK-së, Adem Salihaj në një prononcim për “Bota sot”, thotë se koalicioni LDK–PDK në Prishtina nuk është i ri, pasi LDK ka bashkëpunuar shpesh me PDK-në.
Sipas tij, “distancimi” aktual është vetëm për efekt zgjedhor, pasi elektorati i LDK-së nuk e ka pëlqyer këtë koalicion.
“Koalicioni LDK-PDK në Komunën e Prishtinës nuk është as i pari, as i fundit. Koalicione të tilla LDK ka pasur pafund edhe në nivel lokal, edhe në nivel qendror. Pozicioni i LDK-së ka qenë dhe është kurrë koalicion me Vetëvendosjen, por pozicionimi politik i saj ka qenë vazhdimisht në të njëjtin bllok me PDK-në dhe partitë tjera të opozitës, përfshirë këtu edhe Listën serbe.
“Distancimi” nga koalicioni në Komunën e Prishtinës është sa për të shpëtuar nga penalizmi në zgjedhje, jo një distancim i vërtetë. Ky “distancim” bëhet për arsye se elektorati rugovist i LDK-së nuk e ka dashur asnjëherë një koalicion me PDK-në”, deklaroi ai.
Tutje, Salihaj thotë se LDK ka humbur identitetin politik dhe nuk ka më vlera nga e kaluara. Sipas tij, nuk priten përçarje të brendshme, ndërsa Përparim Rama nuk e ka respektuar gjithmonë partinë dhe madje ka thënë se nuk është pjesë e saj.
“LDK-ja e tashme e ka humbur identitetin politik, nuk ka asgjë të trashëguar apo të kultivuar nga LDK-ja e dikurshme, kështu që nuk ka çka ruan tash, duke mohuar përfshirjen e saj në këtë koalicion.
Përçarje brenda partisë për këtë çështje nuk besoj se do të ketë, duke marrë parasysh se aty nuk ka individë apo grupe me ndonjë qëndrim ndryshe. Sa i përket Përparim Ramës, ai, as në të kaluarën nuk e ka përfillur aqë Kryesinë e LDK-së, madje ka pasur raste kur ka deklaruar se nuk është në LDK”, u shpreh Salihaj për gazetën.
