Sali, Sheholli, Qerimi, Hyseni e Shabani, të arrestuarit për spiunazh – Meha flet për shtrirjen e rrjetit serb, ka këtë kërkesë për AKI-në
Vitet e fundit, në Kosovë janë arrestuar disa persona nën dyshimet për spiunazh dhe bashkëpunim me shërbimin inteligjent serb, BIA.
Bedri Shabani, Muharrem Qerimi, Hysri Selimi dhe Fatmir Sheholli janë disa nga personat e arrestuar nën dyshimet për spiunazh.
Rasti më i fundit është ai i Fehim Salit, i arrestuar më 13 gusht 2026 në pikën kufitare në Merdarë.
Sali dyshohet për veprën penale të spiunazhit dhe për bashkëpunim me BIA-n serbe. Sipas raportimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar 30 ditë paraburgim.
Ndërkohë, njohësi i sigurisë, Xhevat Meha, ka ngritur shqetësime lidhur me shtrirjen e veprimtarisë së shërbimeve serbe në Kosovë, duke thënë se rrjeti i agjentëve mund të jetë i shtrirë në institucione të ndryshme dhe në fusha të rëndësishme të jetës publike.
Në një prononcim për “Bota sot”, Meha ka folur për rastet e fundit të arrestimeve nën dyshimin për spiunazh, duke theksuar se numri i personave të arrestuar në vitet e fundit ende nuk arrin në 10.
“Ditë më parë u paraburgos një individ që ishte spiun i Serbisë. Në dy-tre vitet e fundit janë burgosur disa, që ende nuk arrijnë numrin 10. Veprimtaria e fshehtë serbe në Kosovë është masive. Në vitin 2013, në Bruksel është raportuar se Serbia ka 720 agjentë në Kosovë. Gjatë luftës raportohet që brenda strukturave të UÇK-së ka pasur 140 agjentë. Numri prej rreth 700 agjentësh është numri maksimal që i duhet Serbisë për Kosovën”, ka deklaruar ai.
Sipas Mehas, shqetësimi kryesor nuk lidhet vetëm me numrin e agjentëve, por me shtrirjen e tyre në institucione dhe sektorë të ndryshëm.
“Problemi nuk është te numri, por te shtrirja e këtyre agjentëve shqipfolës serbo-rusë. Hulumtimet dhe analizat që kam bërë në këtë fushë më thonë se shtrirja e këtij rrjeti përfshin krerë të partive politike, krerë të institucioneve të tjera, si prokurori, gjyqësi, hetuesi, e të mos flasim për institucione si Qeveria, Presidenca, Kuvendi, agjencitë shtetërore, ndërmarrjet publike e kështu me radhë. Të mos harrojmë edhe mediat, publicistikën, opinionbërësit etj.
Sa unë kam njohuri, ka disa vite që AKI-ja përcjell dhe dokumenton gjithë veprimtarinë e këtij rrjeti të fshehtë shqipfolës serbo-rus. Krejt çka duhet bërë është që të kërkohet informacion nga AKI-ja. AKI-ja ka mandatin dhe është e autorizuar për të ofruar informacionet”, ka thënë ai.
Në fund, Meha ka kërkuar që institucionet dhe partitë politike të kërkojnë informacion nga Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) dhe të vendosin kritere të verifikimit për personat që ushtrojnë funksione publike.
“Kërkesat për informacion duhen bërë duke filluar nga Presidenca, Kryeministria, agjencitë shtetërore e të pavarura e kështu me radhë. Duhet që kjo të fillojë nga krerët e partive politike, të cilët duhet të kërkojnë nga AKI-ja certifikatën e pastërtisë për vetë kryetarët e partive, anëtarët e Kryesive, anëtarët e Këshillave të Përgjithshëm dhe delegatët e Kuvendeve të partive politike.
Duhet që të jetë kriter punësimi në institucionet shtetërore dhe institucionet e tjera që të sillet certifikata e pastërtisë”, ka përfunduar Meha për “Bota sot”.
