TË FUNDIT

Rrëzohet helikopteri në Indi, humbin jetën gjashtë persona

Gjashtë persona kanë humbur jetën pasi një helikopter u rrëzua në shtetin Uttarakhand, në veri të Indisë, në një zonë malore të Himalajeve.

Në bord ndodheshin pesë pelegrinë hindu dhe piloti, ndërsa helikopteri po kryente një fluturim nga qyteti i shenjtë Badrinath drejt Dehradunit.

Mjeti fluturues i përkiste kompanisë Trans Bharat Aviation dhe ishte nisur të premten pasdite, rreth orës 13:14 sipas kohës lokale, raportojnë mediat .

Ai po udhëtonte drejt Sahastradharës, në Dehradun, kur humbi kontaktin me autoritetet e aviacionit, teksa fluturonte mbi luginën e Joshimathit.

Aksidenti ndodhi në afërsi të Joshimathit, në distriktin Chamoli, në një terren malor që karakterizohet nga qasja e vështirë.

Pas humbjes së kontaktit, sistemi i gjurmimit të helikopterit gjithashtu pushoi së funksionuari, duke e bërë të pamundur përcaktimin e menjëhershëm të vendndodhjes së tij.

Në rajon gjatë ditës ishin regjistruar reshje të dendura shiu, borë dhe dukshmëri e dobët. Autoritetet kishin lëshuar paralajmërim meteorologjik portokalli, duke njoftuar për mundësi të stuhive me bubullima dhe breshër. Megjithatë, shkaku i saktë i aksidentit ende nuk ishte përcaktuar.

Në kërkimet për helikopterin u përfshinë ekipet e shpëtimit dhe ushtria indiane. Kryeministri i shtetit Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, deklaroi se po e ndiqte vazhdimisht situatën dhe se ishte duke u zhvilluar një operacion i gjerë kërkimi.

Uttarakhandi, një shtet në Himalaje që kufizohet me Kinën dhe Nepalin, është një nga rajonet më të rëndësishme të pelegrinazhit hindu në Indi.

Miliona besimtarë e vizitojnë çdo vit për të shkuar në tempujt e shenjtë të vendosur në zona malore, ndërsa një pjesë e tyre përdorin helikopterët për të përshkuar distancat mes vendeve të pelegrinazhit.

Gjatë dhjetë viteve të fundit, në këtë rajon janë regjistruar të paktën 12 incidente me helikopterë. Pesë prej tyre kanë përfunduar me viktima, ndërsa në shtatë të tjerat nuk ka pasur të vdekur, por janë regjistruar ulje emergjente dhe persona të lënduar.

Në qershor të vitit 2025, shtatë persona humbën jetën pasi një helikopter që transportonte pelegrinë u rrëzua pranë Kedarnathit. Një tjetër aksident me shtatë viktima ishte regjistruar në të njëjtën rrugë pelegrinazhi edhe në tetor të vitit 2022. /Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *