TË FUNDIT

“Rinia shqiptare meriton të njohë Skënderbeun e Adem Jasharin, jo të ëndërrojë të bëhet personazh i Big Brother-it”

Emisionet reality show, në veçanti “Big Brother”, vazhdojnë të jenë temë diskutimi në opinionin publik, për shkak të ndikimit që kanë në shoqëri dhe sidomos te brezat e rinj. Për këtë çështje ka reaguar edhe Amina Nuraj, aktiviste e njohur nga Sanxhaku, e cila ka shprehur publikisht pakënaqësinë e saj ndaj këtyre formateve televizive, duke i cilësuar si shembull të degradimit të vlerave morale, kulturore dhe edukative në shoqërinë shqiptare.

Përmes një reagimi, Nuraj ka kritikuar ashpër përmbajtjen që ofrojnë këto emisione, duke theksuar se ato shpesh promovojnë banalitetin, konfliktin, mungesën e etikës dhe sjelljet e papërshtatshme. Ajo ka drejtuar kritika edhe ndaj prindërve që lejojnë fëmijët të ndjekin programe të tilla, ndërsa nuk u kushtojnë vëmendjen e duhur edukimit të tyre me historinë kombëtare, kulturën dhe sakrificën e figurave që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare, përcjell “Bota sot”.

Si gjithmonë, edhe kësaj here do ta shpreh hapur mendimin tim, pa frikë dhe pa u përpjekur t’ia bëj qejfin askujt.BIG BROTHER është një nga dështimet më të mëdha të shoqërisë sonë dhe një shembull shqetësues i degradimit të vlerave morale, kulturore dhe edukative te rinia shqiptare.

Për fat të keq, disa prindër i lejojnë fëmijët e tyre të ndjekin emisione të tilla, të cilat shpesh promovojnë banalitetin, konfliktin, mungesën e etikës dhe sjelljet e papërshtatshme. Ndërkohë, shumë prej tyre nuk gjejnë kohë t’i edukojnë fëmijët me historinë tonë kombëtare, me sakrificën e heronjve tanë, me gjuhën, kulturën dhe vlerat që na kanë mbajtur gjallë si popull.

Një komb që ushqen rininë me banalitet dhe e lë në harresë historinë e vet, rrezikon të humbasë orientimin dhe identitetin e tij.Ne nuk kemi nevojë për një shoqëri që i kthen njerëzit në spektakël, por për një shoqëri që krijon mendje të shëndosha, qytetarë të përgjegjshëm dhe breza që e njohin dhe e respektojnë të kaluarën e tyre.

Po të ishte në dorën time, do t’i ndaloja BIG BROTHER-in dhe të gjitha reality shoë-t që promovojnë antivlera dhe dëmtojnë edukimin e brezave të rinj.

Sepse shteti nuk duhet të jetë vetëm përgjegjës për ndërtimin e rrugëve dhe institucioneve, por edhe për mbrojtjen e edukimit, kulturës dhe dinjitetit të shoqërisë.

Rinia shqiptare meriton shumë më tepër sesa të rritet duke ndjekur jetën e të tjerëve në ekrane. Ajo meriton të njohë Skënderbeun, Adem Jasharin, heronjtë tanë, historinë dhe sakrificën e popullit tonë.

Le t’i mësojmë fëmijët tanë të bëhen dikush në jetë, e jo thjesht të ëndërrojnë të bëhen personazhe të një reality shoë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *