TË FUNDIT

Richard Grenell dhe ndërhyrjet në Kosovë: E vërteta duhet thënë

Letër e dytë publike Presidentit Donald J. Trump
I nderuar President Trump,

Jam një shqiptaro-amerikan nga Kosova, i detyruar të largohem nga vendlindja për shkak të përndjekjes nga regjimi serb i Slobodan Millosheviqit. Historia e popullit shqiptar me politikat ekspansioniste serbe është e gjatë dhe e dhimbshme. Për breza të tërë, shqiptarët janë përballur me represion, dëbime dhe përpjekje për t’i larguar nga trojet e tyre.

Kjo politikë arriti kulmin tragjik gjatë viteve 1990–1999, kur forcat e regjimit të Millosheviqit kryen krime të rënda kundër popullsisë shqiptare të Kosovës. Falë ndërhyrjes vendimtare të NATO-s, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, dhe luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, populli shqiptar i Kosovës shpëtoi nga një katastrofë edhe më e madhe humanitare.

Familja ime dhe unë patëm fatin t’i shpëtonim përndjekjes dhe të emigronim në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – vendin e lirisë, demokracisë dhe mundësive. Bashkë me shumë shqiptaro-amerikanë, po e përjetojmë ëndrrën amerikane. Por, pikërisht për shkak të dashurisë sonë për Amerikën, nuk mund të qëndrojmë indiferentë ndaj zhvillimeve që mund ta dëmtojnë Kosovën dhe marrëdhënien e saj të veçantë me Shtetet e Bashkuara.

Dëshiroj të theksoj se nuk i përkas asnjë partie politike në Kosovë. Jam politikisht i pavarur, por nuk jam indiferent. Mbështes ata udhëheqës që, sipas bindjes sime, punojnë për forcimin e shtetit të Kosovës, demokracisë dhe interesave afatgjata të kombit shqiptar.

Me shqetësim të madh po ju drejtohem për herë të dytë lidhur me deklaratat dhe ndërhyrjet politike të Richard Grenellit në çështjet e brendshme të Kosovës. Besoj se qasja e tij ndaj Kosovës dhe marrëdhëniet e tij të afërta me udhëheqjen e Beogradit krijojnë perceptimin se Shtetet e Bashkuara mbështesin qëndrime që mund ta dobësojnë demokracinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Grenell luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimet politike që i paraprinë rrëzimit të qeverisë së parë të Albin Kurtit në vitin 2020, gjatë pandemisë, në kohën kur ai mbante pozita të rëndësishme në administratën tuaj të parë. Arben Gashi, një figurë e rëndësishme e LDK-së, e cila ishte në koalicion me LVV-në, ka deklaruar publikisht se kishte presion dhe një afat të numëruar ditë pas dite për rrëzimin e qeverisë. Grenell e ka mohuar se kishte urdhëruar një veprim të tillë. Megjithatë, ky episod vazhdon të jetë burim debatesh dhe shqetësimesh të forta në Kosovë dhe në komunitetin shqiptaro-amerikan.

Marrëveshja e Washingtonit e vitit 2020 nuk e solli njohjen reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Kosova e përmbushi zotimin e saj lidhur me vendosjen e ambasadës në Jerusalem, ndërsa Serbia nuk e zhvendosi ambasadën e saj atje. Kjo dëshmoi edhe një herë se marrëveshjet me Beogradin duhet të bazohen në reciprocitet, përgjegjësi dhe mekanizma të qartë zbatimi.

Që nga ajo kohë, Grenell nuk e ka fshehur kritikën e tij të fortë ndaj Kryeministrit Albin Kurti. Deklaratat e tij të përsëritura gjatë proceseve politike dhe zgjedhore në Kosovë krijojnë përshtypjen e një përpjekjeje për të ndikuar jo vetëm mbi politikat e qeverisë, por edhe mbi zgjedhjet demokratike të qytetarëve të Kosovës.

Së fundmi, ai ka deklaruar publikisht se Perëndimi nuk dëshiron të bashkëpunojë me Kurtin dhe ka bërë vlerësime lidhur me respektimin e Kushtetutës së Kosovës. Por interpretimi përfundimtar i Kushtetutës i takon Gjykatës Kushtetuese dhe institucioneve të Republikës së Kosovës, jo një zyrtari apo politikani të huaj.

Kosova duhet t’i krijojë institucionet e saj përmes Kushtetutës, votës së lirë dhe kompromisit demokratik ndërmjet përfaqësuesve të zgjedhur. Asnjë politikan i huaj – amerikan, evropian apo tjetër – nuk duhet ta zëvendësojë vullnetin demokratik të qytetarëve të saj.

Në këtë kontekst, mbështetja e hapur e Richard Grenellit për grupin e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët po refuzojnë ta votojnë kandidatin konsensual për President, z. Bekim Sejdiu, të dalë nga marrëveshja politike ndërmjet përfaqësuesve të LDK-së dhe Kryeministrit Kurti, është, sipas vlerësimit tim, e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën.

Po ashtu, krijohet përshtypja se Grenell po mbështet bllokadën e krijimit të institucioneve, të cilën opozita po e vazhdon edhe pas zgjedhjeve të lira. Një bllokadë e tillë rrezikon ta destabilizojë shtetin dhe të krijojë kushte për largimin e Kryeministrit Kurti nga qeverisja jo përmes votës demokratike, por përmes paralizimit institucional dhe presionit politik.

Kjo përshtypje forcohet edhe nga deklaratat e Grenellit lidhur me ish-Presidentin Hashim Thaçi dhe kthimin e tij në Kosovë. Çështjet gjyqësore duhet t’u takojnë institucioneve kompetente të drejtësisë dhe nuk duhet të përdoren si instrument për përçarje, mobilizim partiak apo përfitime politike në Kosovë.

Kritika ndaj Kryeministrit Kurti është legjitime dhe edhe ai, si çdo udhëheqës tjetër, ka bërë gabime. Por ndryshimi i pushtetit në një demokraci duhet të bëhet përmes votës së qytetarëve dhe procedurave kushtetuese, jo përmes bllokimit të qëllimshëm të institucioneve apo ndërhyrjeve të jashtme që favorizojnë njërën palë politike.

Z. President,

Kosova nuk duhet të ndahet nga aktorë të jashtëm ndërmjet “pro-Kurtit” dhe “anti-Kurtit”. “Qeveritë dhe liderët vijnë e shkojnë. Aleanca ndërmjet popullit amerikan dhe popullit shqiptar duhet të mbetet e përhershme.

Marrëdhëniet politike të Richard Grenellit me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe udhëheqjen e Beogradit meritojnë vëmendje. Nuk dëshiroj të merrem me teori konspirative dhe as të bëj akuza që nuk mund të dokumentohen. Megjithatë, shumë prej qëndrimeve dhe ndërhyrjeve të tij kanë prodhuar rezultate që, sipas vlerësimit tim, përputhen me interesat që Beogradi promovon ndaj Kosovës.

Serbia vazhdon të refuzojë njohjen e Republikës së Kosovës dhe të kundërshtojë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Strukturat politike dhe grupet e lidhura me Beogradin vazhdojnë ta sfidojnë autoritetin e shtetit të Kosovës, veçanërisht në veri.

Unë vetë kam vizituar Veriun e Kosovës. Ajo që kam parë atje është shumë më ndryshe nga fotografia e konfliktit të përhershëm që shpesh paraqitet nga jashtë. Jeta vazhdon, institucionet funksionojnë dhe situata në terren është dukshëm më normale sesa mund të krijohet përshtypja nga retorika politike.

Nga bisedat e mia personale me njerëz që jetojnë atje kam krijuar bindjen se shumë qytetarë serbë dëshirojnë para së gjithash siguri dhe jetë normale dhe se ka prej tyre që e vlerësojnë profesionalizmin e forcave të sigurisë së Kosovës, por ngurrojnë ta thonë këtë publikisht nga frika e presioneve që lidhen me Beogradin. Kjo është përvoja dhe përshtypja ime personale, por është një realitet që meriton të dëgjohet.

Qytetarët serbë të Kosovës duhet t’i gëzojnë plotësisht të gjitha të drejtat e tyre qytetare, politike, kulturore dhe kombëtare. Ata duhet të jetojnë të lirë, të sigurt dhe të barabartë në Republikën e Kosovës, pa frikë as nga Prishtina dhe as nga presioni politik i Beogradit.

Shqetësimi im më i madh është se deklaratat e një figure amerikane të profilit të lartë si Richard Grenell mund të interpretohen në Kosovë dhe Serbi si qëndrime zyrtare të administratës suaj, edhe kur nuk janë të tilla. Kjo mund të krijojë konfuzion, t’i inkurajojë forcat destruktive dhe ta dëmtojë besimin e jashtëzakonshëm që shqiptarët kanë ndërtuar ndaj Shteteve të Bashkuara gjatë shumë brezave.

Populli i Kosovës e do dhe e respekton Amerikën. Por ky popull ka vuajtur nën sundimin serb për më shumë se një shekull dhe nuk do ta pranojë rikthimin nën dominimin e Serbisë në asnjë formë dhe në asnjë rrethanë.

Serbia mund të bëjë propagandë, të ofrojë marrëveshje dhe të përpiqet ta bindë Washingtonin dhe kryeqytetet evropiane për orientimin e saj perëndimor. Por lidhjet e saj të thella historike, politike dhe strategjike me Rusinë vazhdojnë të jenë një realitet që politika amerikane nuk duhet ta injorojë.

Kur ambicia për t’i dominuar popujt e tjerë përballet me etjen e një populli për liri, historia na ka mësuar se, në fund, liria triumfon.

Populli i Kosovës dëshiron paqe, siguri, prosperitet dhe marrëdhënie të mira me fqinjët. Dëshiron të jetojë i lirë në vendin e vet. Edhe pas vuajtjeve dhe krimeve të luftës, shqiptarët e Kosovës nuk kërkojnë hakmarrje. Kërkojnë drejtësi.

Z. President Trump,

Ju keni deklaruar publikisht se dëshironi t’i parandaloni luftërat dhe ta ruani paqen. Në Ballkan, paqja e qëndrueshme nuk mund të ndërtohet duke dobësuar Kosovën apo duke krijuar iluzione se Serbia mund ta rikthejë atë nën kontrollin e saj.

Paqja mund të ndërtohet vetëm mbi realitetin se Republika e Kosovës është shtet i lirë, i pavarur dhe sovran dhe se shqiptarët dhe serbët duhet ta ndërtojnë të ardhmen e tyre si fqinjë – jo si sundues dhe të sunduar.

Evropa ka treguar për vite me radhë se e ka të vështirë ta zgjidhë përfundimisht konfliktin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Shtetet e Bashkuara mbeten fuqia me autoritetin dhe ndikimin më të madh për të ndihmuar në arritjen e një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme.

Prandaj ju bëj thirrje që politika e administratës suaj ndaj Kosovës të përcaktohet nga institucionet zyrtare të Shteteve të Bashkuara dhe interesat strategjike amerikane, duke respektuar sovranitetin, demokracinë dhe vullnetin e popullit të Kosovës.

Po ashtu, do të ishte me rëndësi që administrata juaj ta bëjë të qartë se deklaratat personale të cilitdo individ, pavarësisht pozitës apo afërsisë së tij politike, nuk duhet të interpretohen automatikisht si politikë zyrtare amerikane.

E di se kjo letër mund të mos i pëlqejë z. Grenell. Por mbështetem në një nga të drejtat më të shenjta që më ka dhënë vendi im i adoptuar: lirinë e fjalës. Si qytetar amerikan me prejardhje shqiptare, kam të drejtën dhe detyrimin moral ta shpreh shqetësimin tim kur besoj se rrezikohen interesat e Amerikës, Kosovës dhe paqes në Ballkan.

Gjatë historisë, Amerika ka luajtur një rol vendimtar në mbështetjen e popullit shqiptar – nga mbrojtja e ekzistencës së shtetit shqiptar deri te ndërhyrja që shpëtoi popullin e Kosovës në vitin 1999.

Shqiptarët janë ndër popujt më pro-amerikanë në botë. Kjo miqësi nuk është produkt i një qeverie, një partie apo një lideri. Ajo është ndërtuar mbi histori, sakrificë, liri dhe mirënjohje.

Populli shqiptar shpreson dhe beson se edhe administrata juaj do ta vazhdojë këtë traditë historike.

Zoti e bekoftë kombin amerikan!

Zoti e bekoftë kombin shqiptar!

Agim Aliçkaj

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *