Rexhep Rushiti, një hap larg medaljes së bronztë botërore – shqiptari nga Shkupi lufton të shtunën për historinë!
Karateisti shqiptar nga Shkupi, Rexhep Rushiti, të shtunën do të garojë për medaljen e bronztë në Kampionatin Botëror të Karatesë për të rinj U21, në kategorinë deri në 84 kilogramë, që po mbahet në Bielsko-Biała të Polonisë.
Rushiti, i cili përfaqëson Maqedoninë e Veriut, ka treguar paraqitje të shkëlqyera në këtë kampionat, duke dëshmuar përgatitje të lartë dhe karakter luftarak përballë kundërshtarëve ndërkombëtarë.
Në ndeshjen e parë, ai mposhti francezin Ben Fathallah me rezultat 3-1, ndërsa në duelin e dytë pësoi një humbje minimale 0-1 nga egjiptiani Osman Amar. Megjithatë, karateisti shqiptar reagoi fuqishëm në repesazh, ku regjistroi tri fitore bindëse radhazi.
Rushiti triumfoi ndaj polakut Wiktor Wojarski me rezultat 9-0, holandezit Van Der Vejd me 5-2 dhe gjermanit Gori Abderezak me rezultat 4-0, duke siguruar mundësinë për të luftuar për medaljen e bronztë botërore.
Të shtunën, ai do të synojë ta kurorëzojë paraqitjen e tij me një medalje në një nga garat më të rëndësishme të karatesë për të rinj. Një sukses i tillë do të ishte një arritje e madhe për Rushitin dhe një moment krenarie për sportin shqiptar nga Shkupi.
Të gjithë sytë do të jenë te Rexhep Rushiti, i cili do të kërkojë ta shndërrojë përkushtimin dhe punën e tij në një medalje botërore. (INA)
