TË FUNDIT

Republika e Kosovës: nga mbijetesa kombëtare deri te sfidat e ndërtimit të shtetit

Historia politike e Kosovës gjatë tri dekadave të fundit përfaqëson një proces kompleks transformimi shoqëror, institucional dhe politik, i cili përfshin disa etapa thelbësore: rezistencën ndaj represionit dhe mbijetesën kolektive gjatë viteve 1990–1999, administrimin ndërkombëtar pas çlirimit, konsolidimin e institucioneve vendore, shpalljen e pavarësisë më 17 shkurt 2008 dhe, së fundmi, përplasjen politike rreth korrupsionit, përgjegjësisë institucionale dhe legjitimitetit të klasës politike.

Në këtë perspektivë historike, korrupsioni nuk mund të trajtohet vetëm si fenomen juridik, administrativ apo moral!

Ai duhet analizuar edhe si problem sociologjik i marrëdhënieve ndërmjet pushtetit, interesave ekonomike, institucioneve publike dhe besimit të qytetarëve në demokraci.

Paradoksi themelor i Kosovës së pasluftës është se sakrifica kolektive për liri, demokraci dhe shtetësi nuk u shndërrua automatikisht në një kulturë të qëndrueshme të përgjegjësisë publike, transparencës dhe integritetit institucional.

Periudha 1990–1999 për shqiptarët e Kosovës dhe të viseve shqiptare në ish-Jugosllavi ishte, para së gjithash, një periudhë e mbijetesës fizike, shoqërore dhe kombëtare. Shpërbërja e federatës jugosllave, përshkallëzimi i nacionalizmit shtetëror serb dhe represioni institucional ndaj shqiptarëve krijuan një realitet të jashtëzakonshëm, në të cilin mbrojtja e identitetit kombëtar dhe e të drejtave elementare u shndërrua në prioritet të domosdoshëm kolektiv.

Përjashtimi i nxënësve shqiptarë nga objektet shkollore, mbyllja e Universitetit të Prishtinës për studentët dhe profesorët shqiptarë në hapësirat e tij institucionale, largimet masive nga puna dhe diskriminimi sistematik e goditën rëndë funksionimin normal të shoqërisë.

Në këto rrethana, organizimi i arsimit në shtëpi private dhe objekte të tjera alternative nuk ishte zgjedhje pedagogjike, por një mekanizëm i domosdoshëm i rezistencës civile dhe i mbijetesës kombëtare.

Financimi i arsimit paralel mbështetej kryesisht në solidaritetin e diasporës shqiptare, kontributet e qytetarëve dhe mekanizmat e organizuar të financimit, ndër të cilët rëndësi të veçantë kishte Fondi i Trepërqindëshit.

Kjo përvojë historike dëshmon se shoqëria shqiptare e Kosovës kishte krijuar kapacitete të jashtëzakonshme mobilizimi, solidariteti dhe vetorganizimi, përmes të cilave arriti të ruante arsimin, identitetin kulturor dhe vazhdimësinë e jetës institucionale në kushte të represionit.

Megjithatë, ekonomia e mbijetesës dhe solidariteti kombëtar i asaj periudhe nuk duhet të idealizohen pa rezerva dhe as të interpretohen si model i mjaftueshëm për qeverisjen e një shteti modern!

Rrethanat e emergjencës kërkonin mobilizim dhe sakrificë; demokracia shtetërore, përkundrazi, kërkon institucione të kontrollueshme, administratë profesionale dhe përgjegjësi të individualizuar për përdorimin e parasë publike.

Viti 1999: çlirimi dhe fillimi i një etape të re institucionale

Çlirimi i Kosovës në vitin 1999, pas luftës dhe ndërhyrjes ushtarake të NATO-s, shënoi një kthesë historike në organizimin e jetës politike dhe shoqërore.

Vendosja e administratës ndërkombëtare të UNMIK-ut dhe e pranisë ushtarake të KFOR-it krijoi një konfiguracion të ri institucional, në të cilin kompetencat e administrimit, sigurisë dhe rindërtimit të institucioneve u ndanë ndërmjet autoriteteve ndërkombëtare dhe strukturave vendore që po zhvilloheshin gradualisht.

UNMIK-u, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, mori përgjegjësi për administrimin e përkohshëm të Kosovës, ndërsa KFOR-i u angazhua në garantimin e sigurisë dhe stabilitetit.

Në këtë fazë, Kosova përballej me detyra të jashtëzakonshme:

Rindërtimin e vendbanimeve dhe infrastrukturës së shkatërruar;

Kthimin dhe integrimin e të zhvendosurve;

Organizimin e administratës publike;

Rivendosjen e arsimit dhe shërbimeve shëndetësore;

Krijimin e mekanizmave të rendit dhe drejtësisë;

Organizimin e jetës politike dhe përfaqësimit demokratik.

Viti 2000 shënoi organizimin e zgjedhjeve të para lokale në Kosovë nën administrimin ndërkombëtar, ndërsa zgjedhjet parlamentare të vitit 2001 përbënë një etapë tjetër të rëndësishme në zhvillimin e institucioneve përfaqësuese.

Këto procese krijuan bazat e një sistemi të ri politik, në të cilin partitë shqiptare, të formuara gjatë rezistencës dhe luftës ose të konsoliduara pas çlirimit, filluan të shndërroheshin në aktorë të qeverisjes institucionale.

Megjithatë, ndërtimi i institucioneve demokratike nuk nënkuptonte domosdoshmërisht edhe konsolidimin e menjëhershëm të kulturës demokratike, transparencës dhe kontrollit të pushtetit.

Nga administrimi ndërkombëtar te shtetësia

Shpallja e pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt 2008 përfaqësoi një nga momentet më të rëndësishme të historisë politike shqiptare dhe përmbylli një etapë të gjatë të aspiratës për shtetësi.

Pavarësia krijoi mundësi të reja për ushtrimin e sovranitetit politik, zhvillimin e institucioneve shtetërore dhe përgjegjësinë e drejtpërdrejtë të elitave vendore për qeverisjen e vendit.

Në këtë kontekst, administrimi ndërkombëtar nuk u ndërpre menjëherë dhe plotësisht. UNMIK-u vazhdoi të ishte i pranishëm, ndonëse roli i tij ndryshoi gradualisht, ndërsa EULEX-i u vendos si pjesë e konfiguracionit të ri ndërkombëtar në fushën e sundimit të ligjit.

Për partitë politike shqiptare, veçanërisht për LDK-në dhe PDK-në, periudha e pasluftës dhe e shtetndërtimit përfaqësoi kalimin nga organizimi politik i rezistencës dhe mobilizimit kombëtar në administrimin e institucioneve, ekonomisë publike dhe marrëdhënieve me partnerët ndërkombëtarë.

Kjo etapë prodhoi arritje të rëndësishme në ndërtimin e shtetit, por njëkohësisht edhe probleme serioze në funksionimin e institucioneve, profesionalizimin e administratës, transparencën e vendimmarrjes dhe kontrollin e interesave ekonomike të lidhura me pushtetin.

Në diskursin publik të Kosovës, me kalimin e viteve, u përhap gjithnjë e më shumë perceptimi se një pjesë e elitës politike të pasluftës po shndërrohej në një kategori të privilegjuar, e cila përfitonte nga afërsia me institucionet dhe nga kontrolli mbi burimet publike.

Këtu shfaqet një prej kontradiktave më të mëdha të tranzicionit kosovar: shteti u ndërtua në emër të lirisë dhe interesit kolektiv, por një pjesë e qytetarëve filluan ta perceptonin qeverisjen si hapësirë të privilegjeve, klientelizmit dhe përfitimeve të një grupi të kufizuar politik e ekonomik.

Pakënaqësia ndaj partive tradicionale si kapital politik i LVV-së

Perceptimi i përhapur në shoqërinë kosovare se qeverisja e partive tradicionale – LDK-së, PDK-së dhe AAK-së – ishte karakterizuar nga korrupsioni, klientelizmi, nepotizmi dhe përvetësimi i privilegjeve shtetërore përbënte një prej faktorëve më të rëndësishëm të transformimit të skenës politike pas vitit 2008.

Duhet theksuar se ky perceptim nuk ishte i njëtrajtshëm dhe as nuk mund të reduktohet në një gjykim juridik për të gjitha partitë, qeveritë dhe individët. Megjithatë, si fenomen sociologjik dhe politik, ai pati ndikim të madh në mënyrën se si qytetarët e Kosovës e interpretonin qeverisjen dhe marrëdhënien ndërmjet elitave politike dhe interesit publik.

Në këtë hapësirë të pakënaqësisë kolektive, Lëvizja Vetëvendosje arriti të ndërtojë një identitet politik të dallueshëm, duke e paraqitur veten si alternativë kundër establishmentit të pasluftës.

Kritika ndaj korrupsionit nuk ishte thjesht një element i programit të saj politik, por u shndërrua në bosht të mobilizimit elektoral dhe në një prej burimeve kryesore të legjitimitetit të saj publik.

LVV-ja e artikuloi këtë pakënaqësi përmes një narrative politike, sipas së cilës partitë tradicionale kishin konsumuar besimin qytetar dhe kishin krijuar një sistem të privilegjeve, ndërsa ndryshimi i qeverisjes paraqitej si parakusht për çlirimin e shtetit nga interesat e ngushta politike dhe ekonomike.

Në këtë mënyrë, pakënaqësia qytetare u shndërrua në kapital politik. Ajo që më parë ishte një ndjenjë e shpërndarë zhgënjimi, gradualisht u organizua në një identitet të përbashkët elektoral, me një objektiv të qartë: largimin e partive të vjetra nga pushteti dhe ardhjen e një alternative që premtonte ndryshim rrënjësor.

Në teorinë politike, ky proces mund të interpretohet si mobilizim populist i pakënaqësisë, në të cilin shoqëria paraqitet si një tërësi e ndershme dhe e dëmtuar, ndërsa establishmenti politik përshkruhet si kategori e privilegjuar që ka humbur lidhjen me interesin e përgjithshëm.

Kjo formë e artikulimit politik mund të ketë funksion demokratik, sepse aktivizon qytetarët, sfidon elitat e konsoliduara dhe krijon mundësi për alternim të pushtetit.

Por ajo mund të shndërrohet edhe në burim polarizimi, nëse kritika ndaj elitave të vjetra zhvillohet përmes përgjithësimeve, delegjitimimit të kundërshtarëve dhe pretendimit se vetëm një subjekt politik përfaqëson vullnetin autentik të popullit.

Prandaj, rëndësia e LVV-së në historinë politike të Kosovës duhet analizuar në dy dimensione: si shprehje e një kërkese reale për ndryshim dhe si projekt politik që, pas marrjes së pushtetit, duhej të provonte në praktikë aftësinë për të realizuar premtimet e veta.

Rritja politike e LVV-së nuk u zhvillua vetëm përmes konkurrencës tradicionale elektorale!

Në periudhën e opozitarizmit të saj, lëvizja përdori edhe forma të konfrontimit politik, mobilizimit masiv dhe protestës së drejtpërdrejtë, të cilat në disa raste u shoqëruan me përplasje të dhunshme dhe veprime që cenuan funksionimin normal të institucioneve.

Në këtë kontekst, është e rëndësishme të bëhet dallimi ndërmjet protestës demokratike, mosbindjes civile dhe dhunës politike!

Protesta paqësore është një e drejtë themelore demokratike. Ajo u mundëson qytetarëve të kundërshtojnë vendime, të artikulojnë pakënaqësi dhe të ushtrojnë presion legjitim mbi autoritetet publike.

Mosbindja civile, nga ana tjetër, përfaqëson një formë të organizuar të kundërshtimit politik, e cila zakonisht synon të tërheqë vëmendjen ndaj një padrejtësie të perceptuar, duke pranuar karakterin publik të veprimit dhe përgjegjësinë për pasojat e tij.

Dhunimi i institucioneve, sulmet ndaj personave, dëmtimi i pronës publike dhe përpjekjet për të imponuar vendimmarrjen përmes forcës nuk mund të barazohen me protestën demokratike.

Në historinë opozitare të LVV-së pati episode të konfrontimit të ashpër politik, përfshirë përdorimin e gazit lotsjellës në Kuvend, përplasjet me policinë dhe protesta që u shoqëruan me dhunë.

Këto zhvillime duhet të analizohen në kontekstin e konflikteve politike të kohës, por pa e relativizuar përgjegjësinë për veprimet konkrete!

Një problem i veçantë i politikës së konfrontimit është se ajo mund të krijojë një kulturë të përhershme të delegjitimimit të institucioneve!

Kur kundërshtari politik paraqitet jo vetëm si rival, por si përfaqësues i një sistemi tërësisht të paligjshëm ose të korruptuar, kompromisi demokratik fillon të interpretohet si tradhti dhe jo si mekanizëm i domosdoshëm i bashkëjetesës politike.

Kjo dinamikë mund të ushqejë polarizimin, të dobësojë besimin ndërmjet aktorëve politikë dhe ta bëjë më të vështirë funksionimin e institucioneve.

Megjithatë, përgjegjësia për krizën e besimit nuk mund t’i atribuohet vetëm opozitës!

Ajo duhet të analizohet edhe në raport me performancën e qeverive, cilësinë e dialogut politik, respektimin e procedurave demokratike dhe mënyrën se si institucionet reagojnë ndaj kritikës qytetare.

Albin Kurti dhe ndërtimi i figurës së „shpëtimtarit politik“

Në procesin e mobilizimit të pakënaqësisë ndaj establishmentit të pasluftës, figura e Albin Kurtit u shndërrua gradualisht në një simbol të ndryshimit politik.

Për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve, Kurti përfaqësonte një lider që nuk ishte i lidhur me kompromiset dhe praktikat e perceptuara si problematike të qeverisjeve të mëparshme.

Retorika e tij e drejtpërdrejtë, qëndrimi konfrontues ndaj establishmentit dhe premtimet për luftimin e korrupsionit krijuan një raport të veçantë me votuesit e pakënaqur.

Në sociologjinë politike, ky proces mund të interpretohet përmes konceptit të personalizimit të pushtetit dhe të autoritetit karizmatik!

Lideri bëhet bartës i pritshmërive kolektive, ndërsa figura e tij simbolike fillon të mbivendoset mbi programin, institucionet dhe vetë subjektin politik.

Në raste të tilla, qytetarët mund të zhvillojnë një besim të lartë te lideri, duke e konsideruar atë si personifikim të shpresës për ndryshim.

Kjo dukuri nuk është e veçantë për Kosovën. Në shoqëri të ndryshme, veçanërisht në periudha të krizës së besimit, liderët që premtojnë çrrënjosjen e korrupsionit dhe eliminimin e privilegjeve të elitave mund të fitojnë një mbështetje të jashtëzakonshme.

Problemi lind kur shpresa kolektive shndërrohet në pritshmëri të pakufizuar, ndërsa lideri fillon të perceptohet si i pazëvendësueshëm ose si i vetmi garant i interesit kombëtar.

Demokracia moderne nuk mund të mbështetet në mitologjinë e shpëtimtarit politik. Ajo kërkon institucione që funksionojnë pavarësisht identitetit të liderëve, mekanizma kontrolli që nuk varen nga vullneti personal i kryeministrit dhe një kulturë politike në të cilën kritika nuk interpretohet si armiqësi.

Një lider mund të mobilizojë shpresën e qytetarëve, por nuk mund të zëvendësojë institucionet që garantojnë demokracinë.

Ardhja e LVV-së në krye të qeverisë në vitin 2020, përmes koalicionit të krijuar pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, shënoi një moment të rëndësishëm të alternimit politik në Kosovë. Qeveria e parë e udhëhequr nga Albin Kurti zgjati vetëm një periudhë të shkurtër, ndërsa pas zgjedhjeve të vitit 2021 LVV-ja mori një mandat shumë më të fuqishëm qeverisës.

Ky ndryshim përfaqësonte jo vetëm ndërrimin e një shumice parlamentare, por edhe kalimin e një lëvizjeje të konsoliduar në opozitë në pozicionin e përgjegjësisë së drejtpërdrejtë shtetërore.

Në këtë moment, LVV-ja u përball me një provë që është e zakonshme për lëvizjet politike radikale: transformimin e kritikës në administrim, të mobilizimit në institucione dhe të premtimeve në rezultate konkrete.

Në opozitë, një parti mund të artikulojë kërkesa të gjera, të identifikojë dështimet e qeverive dhe të mobilizojë pakënaqësinë. Në pushtet, ajo duhet të marrë vendime të përditshme, të menaxhojë burimet publike, të përballet me kufizimet buxhetore, të respektojë ligjet dhe të mbajë përgjegjësi për rezultatet.

Ky ndryshim kërkon edhe transformim të kulturës politike!

Lëvizja që më parë e identifikonte veten me kundërshtimin e establishmentit duhet të bëhet pjesë e një sistemi institucional ku kompetencat janë të kufizuara, vendimet kontrollohen dhe përgjegjësitë ndahen ndërmjet institucioneve.

Një paradoks simbolik i këtij transformimi ishte edhe ndryshimi i dukshëm i paraqitjes publike të disa figurave politike: nga estetika e protestës dhe e konfrontimit te veshja formale, kostumet, kravatat dhe protokollet e funksioneve shtetërore.

Ky ndryshim i paraqitjes nuk është në vetvete problem. Përkundrazi, është pjesë normale e kalimit nga mobilizimi opozitar në ushtrimin e funksioneve publike.

Megjithatë, ai mund të shërbejë si metaforë e një transformimi më të thellë: rebelët e dikurshëm bëhen administratorë të sistemit që më parë e kundërshtonin.

Pyetja thelbësore nuk është nëse ndryshojnë veshjen, sjelljen apo maniret e tyre, por nëse ndryshojnë realisht mekanizmat e qeverisjes, raportet e pushtetit dhe standardet e përgjegjësisë publike.

Nëse ndryshon vetëm paraqitja, ndërsa mbeten të njëjtat praktika të klientelizmit, arrogancës dhe mungesës së transparencës, atëherë transformimi është kryesisht estetik dhe jo institucional.

Gjashtëvjeçari i qeverisjes dhe kriza e pritshmërive qytetare

Qeverisja e LVV-së gjatë viteve të fundit duhet vlerësuar në raport me programin e saj, kontekstin ekonomik dhe politik, kufizimet institucionale dhe rezultatet konkrete.

Megjithatë, një element i rëndësishëm i debatit publik është perceptimi se pritshmëritë e krijuara gjatë opozitarizmit nuk janë përmbushur në masën që një pjesë e qytetarëve kishin shpresuar.

Në vend të një shkëputjeje të plotë nga praktikat e mëparshme, kritika publike është përqendruar gjithnjë e më shumë në vazhdimësinë e problemeve të administratës, prokurimit, punësimit publik, komunikimit institucional dhe përgjegjësisë politike.

Një prej mekanizmave të përdorur nga qeverisja e re në mbrojtjen e vet politike ka qenë rikthimi i vazhdueshëm te trashëgimia e qeverive të mëparshme.

Në diskursin publik, problemet aktuale shpesh janë shpjeguar përmes referimit në periudhën e mëparshme të qeverisjes, duke theksuar se pasojat e njëzet viteve të administrimit nga partitë tradicionale nuk mund të eliminohen brenda një mandati.

Ky argument mund të ketë një bazë reale, sepse institucionet dhe ekonomia nuk transformohen brenda natës. Por ai nuk mund të shndërrohet në justifikim të përhershëm për dështimet, vonesat apo mungesën e përgjegjësisë së qeverisë aktuale.

Përgjegjësia politike është gjithmonë e lidhur me kohën, kompetencat dhe mundësitë reale të ushtrimit të pushtetit.

Një qeveri mund të kritikojë me të drejtë trashëgiminë e paraardhësve, por njëkohësisht duhet të pranojë se pas marrjes së pushtetit ajo bëhet përgjegjëse për vendimet e veta.

Në këtë pikë, Kosova përballet me një problem të rëndësishëm të kulturës politike: tendencën për ta përdorur të kaluarën si alibi të së tashmes, në vend që ta shndërrojë atë në burim mësimi dhe reformash.

Korrupsioni dhe ndryshimi i formave të tij: çfarë duhet provuar?

Pretendimi se korrupsioni është zhdukur me ardhjen e një partie të re në pushtet nuk mund të pranohet pa prova!

Po aq e papranueshme është edhe të deklarohet, pa dokumentacion të mjaftueshëm, se korrupsioni është rritur domosdoshmërisht në çdo sektor apo se të gjitha institucionet janë të kapura.

Analiza shkencore kërkon që vlerësimi të bëhet përmes indikatorëve konkretë: raporteve të auditimit, të dhënave të prokurimit publik, rasteve të hetuara, aktakuzave, vendimeve gjyqësore, transparencës së kontratave dhe funksionimit të mekanizmave të kontrollit.

Megjithatë, korrupsioni mund të shfaqet edhe në forma më pak të dukshme, të cilat nuk përfundojnë domosdoshmërisht në gjykatë.

Klientelizmi, favorizimi politik, konfliktet e interesit, ndikimi mbi administratën dhe shpërndarja selektive e përfitimeve publike mund të krijojnë perceptimin e një vazhdimësie të sistemit të privilegjeve, edhe kur nuk ekziston një vendim gjyqësor për korrupsion penal.

Prandaj, çështja nuk është vetëm nëse ka ndryshuar numri i rasteve të korrupsionit, por edhe nëse ka ndryshuar realisht mënyra e funksionimit të institucioneve.

Nëse një qeveri e re ruan mekanizma të ngjashëm të kontrollit politik mbi administratën, nëse transparenca mbetet e kufizuar dhe nëse kritikët përballen me delegjitimim në vend të përgjigjeve institucionale, atëherë premtimi për ndryshim rrezikon të humbasë substancën e tij.

Kjo është arsyeja pse lufta kundër korrupsionit nuk mund të mbështetet vetëm në retorikën e liderëve apo në deklaratat e partive. Ajo duhet të jetë proces institucional, i matshëm dhe i verifikueshëm.

Rasti i Arlinda Zekajt: nga tragjedia individuale te kriza e besimit institucional

Rasti i Arlinda Zekajt në Pejë, sipas zhvillimeve të raportuara dhe debatit publik të fundit të tetorit 2026, u shndërrua në një moment të rëndësishëm të artikulimit të pakënaqësisë qytetare ndaj institucioneve të sigurisë dhe përgjegjësisë politike.

Vdekja e saj tragjike nuk u perceptua vetëm si një ngjarje individuale, por u lidh nga protestuesit dhe një pjesë e opinionit publik me shqetësime më të gjera rreth funksionimit të institucioneve shtetërore, mbrojtjes së qytetarëve dhe efektivitetit të mekanizmave të përgjegjësisë.

Në këtë mënyrë, një tragjedi konkrete u shndërrua në simbol të një pakënaqësie të akumuluar.

Protestat e 28 dhe 29 tetorit 2026, në të cilat u kërkuan dorëheqje dhe përgjegjësi politike, dëshmuan se një pjesë e shoqërisë kosovare nuk ishte e gatshme ta konsideronte çështjen vetëm si problem të procedurave hetimore apo të përgjegjësisë individuale.

Kërkesat publike u zgjeruan drejt përgjegjësisë së ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, dhe, në një pjesë të diskursit protestues, edhe kryeministrit Albin Kurti.

Këto kërkesa duhet të analizohen në dy nivele të ndryshme.

Në nivelin juridik, përgjegjësia për një vepër konkrete përcaktohet përmes hetimit, provave dhe procedurave gjyqësore. Përgjegjësia penale nuk mund të zëvendësohet nga presioni politik apo nga gjykimi i opinionit publik.

Në nivelin politik dhe institucional, megjithatë, ekziston një dimension tjetër i përgjegjësisë: ai që lidhet me funksionimin e institucioneve, cilësinë e mbikëqyrjes, efektivitetin e politikave publike dhe besimin e qytetarëve te autoritetet.

Një ministër mund të mos ketë përgjegjësi penale për një ngjarje konkrete, por mund të përballet me kërkesa për përgjegjësi politike nëse qytetarët dhe përfaqësuesit e tyre vlerësojnë se institucionet nën drejtimin e tij kanë dështuar në përmbushjen e detyrave.

Pikërisht ky dallim është thelbësor për një demokraci funksionale.

Përgjegjësia politike nuk është identike me fajësinë penale, por as nuk mund të reduktohet në deklarata formale për respektimin e ligjit.

Nëse një ngjarje tragjike zbulon probleme sistemike, atëherë institucionet duhet të reagojnë përmes transparencës, hetimit të paanshëm, komunikimit të përgjegjshëm dhe, kur është e nevojshme, ndryshimeve në drejtimin institucional.

Një reagim i tillë nuk përbën domosdoshmërisht pranim të fajësisë personale. Ai mund të jetë shprehje e respektit për qytetarët, e përgjegjësisë publike dhe e gatishmërisë për të korrigjuar dështimet.

Protesta, mllefi qytetar dhe kërkesa për llogaridhënie

Protestat e fundit në Kosovë duhet të interpretohen edhe përmes konceptit të mllefit qytetar të akumuluar.

Mllefi shoqëror nuk lind gjithmonë nga një ngjarje e vetme. Ai mund të jetë rezultat i një procesi të gjatë zhgënjimesh, perceptimesh për padrejtësi, mungesë përgjegjësie dhe dobësim të besimit në institucione.

Në rastin e Kosovës, një pjesë e këtij mllefi lidhet me pritshmëritë e larta të krijuara nga premtimet antikorrupsion, të cilat u shoqëruan me shpresën se ardhja e një qeverisjeje të re do të sillte ndryshim të thellë të kulturës institucionale.

Kur këto pritshmëri përplasen me perceptimin e vazhdimësisë së problemeve, zhgënjimi mund të bëhet më i fuqishëm sesa në rastin e qeverive që nuk kanë krijuar premtime të tilla.

Kjo shpjegon një paradoks të rëndësishëm politik: sa më i lartë të jetë premtimi për moralizimin e pushtetit, aq më e madhe mund të jetë pakënaqësia kur qytetarët nuk shohin rezultatet e pritshme.

Protesta në këtë kontekst është një instrument i artikulimit të pakënaqësisë dhe i kërkesës për llogaridhënie.

Megjithatë, protesta nuk duhet të shndërrohet në zëvendësim të institucioneve demokratike. Ajo mund të kërkojë dorëheqje, hetime, reforma dhe përgjegjësi, por vendimet duhet të merren përmes procedurave kushtetuese dhe ligjore.

Nga ana tjetër, institucionet nuk duhet ta trajtojnë protestën si kërcënim të vetvetishëm ndaj shtetit. Një shoqëri demokratike nuk dobësohet nga qytetarët që kërkojnë llogaridhënie; ajo dobësohet kur kërkesat e tyre injorohen, delegjitimohen ose trajtohen vetëm si problem i rendit publik.

Dorëheqja politike: përgjegjësi demokratike apo dobësi e pushtetit?

Debati për dorëheqjen e ministrave dhe të kryeministrit pas protestave të tetorit 2026 e riktheu në qendër të vëmendjes një çështje themelore të demokracisë parlamentare: marrëdhënien ndërmjet përgjegjësisë politike dhe vazhdimësisë së qeverisjes.

Dorëheqja nuk është domosdoshmërisht pranim i fajësisë penale. Ajo mund të jetë një akt politik përmes të cilit një funksionar pranon se një ngjarje, një dështim institucional ose një krizë besimi ka krijuar nevojën për ndryshim në drejtimin e institucioneve.

Në demokracitë e konsoliduara, dorëheqjet politike mund të shërbejnë si mekanizëm i përgjegjësisë dhe i rikthimit të besimit publik. Por ato nuk janë automatike dhe as nuk duhet të kërkohen pa një analizë të kompetencave, përgjegjësive dhe rrethanave konkrete.

Problemi në Kosovë është se dorëheqja shpesh interpretohet përmes logjikës së fituesit dhe humbësit politikë. Qeveria mund ta konsiderojë pranimin e dorëheqjes si dobësim të autoritetit, ndërsa opozita mund ta shohë atë si fitore të drejtpërdrejtë politike.

Në këtë mënyrë, çështja e përgjegjësisë institucionale rrezikon të shndërrohet në betejë për prestigjin e partive.

Një qasje më demokratike do të kërkonte që pyetja të mos ishte vetëm nëse dorëheqja e një ministri e dobëson apo e forcon qeverinë, por nëse ajo kontribuon në rikthimin e besimit publik, përmirësimin e funksionimit institucional dhe parandalimin e dështimeve të ngjashme.

Nëse qeveria refuzon çdo kërkesë për përgjegjësi politike vetëm për shkak se e konsideron veten të legjitimuar nga vota, atëherë ajo rrezikon ta interpretojë shumicën parlamentare si mburojë ndaj kritikës qytetare.

Por edhe kërkesat për dorëheqje duhet të jenë pjesë e një procesi të arsyetuar demokratik dhe jo të një mekanizmi të imponimit të vendimeve përmes presionit të pakufizuar të rrugës.

Një prej pasojave më serioze të krizave të përsëritura të përgjegjësisë institucionale është dobësimi i besimit publik.

Besimi në institucione nuk krijohet vetëm përmes zgjedhjeve. Ai ndërtohet përmes përvojës së qytetarëve me administratën, drejtësinë, policinë, shërbimet publike dhe mënyrën se si autoritetet reagojnë ndaj problemeve.

Kur qytetarët e perceptojnë shtetin si të paaftë për të mbrojtur jetën, dinjitetin dhe të drejtat e tyre, atëherë besimi institucional mund të dëmtohet në mënyrë të thellë.

Nëse këtij procesi i shtohet polarizimi politik, atëherë shoqëria mund të ndahet në kampe që interpretojnë çdo ngjarje përmes identitetit partiak.

Në njërën anë, mbështetësit e qeverisë mund t’i konsiderojnë protestat si instrument të opozitës për destabilizim politik. Në anën tjetër, kundërshtarët e qeverisë mund ta interpretojnë çdo dështim si dëshmi të një sistemi të tërë të korruptuar dhe të papërgjegjshëm.

Ky mekanizëm e dobëson aftësinë e shoqërisë për të zhvilluar një debat të bazuar në fakte.

Në vend që të shqyrtohen përgjegjësitë konkrete, debati zhvendoset drejt mbrojtjes ose sulmit ndaj liderëve. Në vend që të kërkohen reforma, shoqëria përfshihet në konkurrencën e narrativave politike.

Për këtë arsye, një prej detyrave më të rëndësishme të demokracisë kosovare është rikthimi i debatit publik te faktet, përgjegjësitë dhe zgjidhjet institucionale.

Në një sistem demokratik, qeveria dhe opozita kanë përgjegjësi të ndryshme, por të dyja janë të domosdoshme për funksionimin e shtetit.

Qeveria ka përgjegjësinë kryesore për administrimin e institucioneve, zbatimin e ligjeve, mbrojtjen e qytetarëve dhe menaxhimin e politikave publike.

Opozita, nga ana tjetër, ka detyrën të kontrollojë qeverinë, të evidentojë dështimet, të propozojë alternativa dhe të përfaqësojë qytetarët që nuk janë pjesë e shumicës qeverisëse.

Kjo do të thotë se përgjegjësia për korrupsionin, polarizimin dhe krizën e besimit nuk mund të analizohet përmes një skeme të thjeshtë, sipas së cilës vetëm njëra palë është përgjegjëse për të gjitha problemet.

Qeveria nuk mund ta përdorë opozitën si justifikim për dështimet e veta. Po ashtu, opozita nuk mund ta reduktojë çdo problem institucional në instrument të përfitimit elektoral.

Nëse të dyja palët e konsiderojnë shtetin si fushë të betejës së tyre për pushtet, atëherë interesi publik rrezikon të mbetet në plan të dytë.

Demokracia kërkon konkurrencë politike, por edhe kufizime të kësaj konkurrence përmes respektimit të institucioneve, procedurave dhe interesit të përgjithshëm.

Fundi i etapës së premtimeve dhe nevoja për një standard të ri politik

Kosova po përballet me një moment të rëndësishëm të zhvillimit të saj demokratik.

Pas periudhës së mbijetesës kombëtare, çlirimit, administrimit ndërkombëtar dhe shtetformimit, shoqëria kosovare po përballet me një sfidë tjetër: kalimin nga demokracia e shpresave te demokracia e rezultateve dhe përgjegjësisë.

LVV-ja u ngrit mbi një pjesë të konsiderueshme të pakënaqësisë ndaj partive tradicionale dhe e shndërroi luftën kundër korrupsionit në një prej shtyllave kryesore të identitetit të saj politik.

Ky mobilizim ishte shprehje e një kërkese reale për ndryshim. Por marrja e pushtetit e transformoi edhe vetë marrëdhënien e LVV-së me shoqërinë.

Nga një subjekt që kërkonte llogaridhënie, ajo u bë subjekt që duhej të jepte llogari.

Nga një lëvizje që kritikonte privilegjet e elitave, ajo u bë pjesë e elitës qeverisëse.

Nga një alternativë që premtonte çrrënjosjen e korrupsionit, ajo u përball me detyrimin për të dëshmuar përmes institucioneve se si luftohet korrupsioni në praktikë.

Rasti i Arlinda Zekajt dhe protestat e tetorit 2026 e rikthyen këtë kontradiktë në qendër të debatit publik, duke ngritur çështje të rëndësishme rreth përgjegjësisë politike, funksionimit institucional dhe besimit qytetar.

Për Kosovën, sfida nuk është vetëm të identifikojë se kush duhet të largohet nga pushteti, por të ndërtojë mekanizma që e bëjnë pushtetin të përgjegjshëm, të kontrollueshëm dhe të kufizuar nga ligji.

Një qeveri nuk matet vetëm me numrin e votave që fiton, por edhe me aftësinë për të respektuar qytetarët që nuk e kanë votuar.

Një lider nuk matet vetëm me fuqinë e mobilizimit elektoral, por edhe me aftësinë për të pranuar kritikën dhe për të respektuar institucionet.

Një parti nuk matet vetëm me premtimet që bën në opozitë, por me rezultatet që prodhon në pushtet.

Në demokraci, ndryshimi i qeverisë është vetëm fillimi. Kurse ndryshimi i kulturës së pushtetit është prova e vërtetë e emancipimit politik!

Kosova nuk mund të mbetet peng i një cikli të pafund të shpresave, zhgënjimeve dhe zëvendësimit të elitave, nëse mekanizmat e korrupsionit, klientelizmit dhe papërgjegjësisë mbeten të paprekur.

Për këtë arsye, kërkesa për llogaridhënie nuk duhet të jetë privilegj i opozitës, as monopol i një partie politike. Ajo duhet të bëhet standard i përhershëm i demokracisë kosovare.

Në fund të fundit, shteti i Kosovës nuk u krijua për t’u shërbyer partive politike. Partitë politike u krijuan për t’i shërbyer shtetit dhe qytetarëve të tij.

Dhe pikërisht këtu qëndron dallimi ndërmjet një demokracie që vetëm organizon zgjedhje dhe një demokracie që ndërton drejtësi, përgjegjësi dhe besim publik.

Sa herë të përmenden OJQ-të (organizatat joqeveritare), një gjë mos e harroni kurrë: nuk ka asgjë më qeveritare sesa një organizatë joqeveritare. Sa herë të ketë padrejtësi në hapësirën publike dhe ka fonde…

Ky Kuvend i Kosovës e ka votuar këtë Kushtetutë që e kemi sot, me të cilën jemi shtet laik. Athua, a e kuptojnë këta/këto deputetë e deputete se çfarë nënkuptojmë me shtet laik? Nëse jo, atëherë duhet…

Të dielën në mbrëmje, në ditën e 20-të radhazi, të rinjtë marshuan sërish nga Ministria e Arsimit drejt Kryeministrisë, pa asnjë incident. Një ditë më parë, po në ato rrugë, kishte gurë, molotovë e…

Kemi shkruar edhe më parë se shoqëria Kosovare është në krizë të identitetit të saj, në krizë të moralit njerëzor dhe në krizë të ndërtimit të shtetit. Kosova u shndërrua në një hajpak të…

Që nga themelimi i Dhomave të specializuara, nuk kanë pushuar pyetjet dhe kritikat në opinion se, pse u formua Gjykata Speciale me seli në Hagë dhe me staf profesional ndërkombëtar, e jo një Gjykatë Speciale në Kosovë. Që në…

Zhvillimet e fundit politike në Serbi, pas zgjedhjeve të 25 tetorit 2026, kanë shënuar një kthesë të rëndësishme në skenën politike të vendit, duke i dhënë fund dominimit 14-vjeçar të Partisë Progresive Serbe dhe…

Ekzistojnë periudha në historinë e arsimit që nuk dallohen vetëm për mënyrën e organizimit të studimeve, por edhe për kulturën e dijes që krijojnë. Krahasimi ndërmjet studentit të viteve ’80 dhe studentit të…

Po Bashkimi Evropian po i ashpërson kërkesat e saj ndaj vendeve kandidate sepse zgjerimi nuk është më vetëm çështje ekonomike dhe institucionale, por ajo është edhe çështje e sigurisë, e ndikimit politik dhe e pozitës…

Në një demokraci, humbja në zgjedhje kërkon reflektim, jo kurth. Kryeministri Hristijan Mickoski zgjodhi rrugën e dytë. Pas fitores së Arkin Jahijit në Bërvenicë, ai nuk foli për arsyet pse kandidati i tij nuk bindi mjaftueshëm…

At Shtjefën Gjeçov Kryeziu është njëra ndër figurat më të ndritura të kombit shqiptar, i shquar në radhë të parë për veprimtarinë e tij patriotike, arësye për të cilën edhe u vra nga serbët. Ai…

Vota popullore përbën një nga instrumentet themelore të demokracisë përfaqësuese dhe burimin kryesor të legjitimitetit politik të institucioneve shtetërore. Ajo nuk është vetëm shprehje numerike e preferencave elektorale të…

Njëzet e shtatë vjet pas çlirimit, Kosova ka arsye ta shtrojë një pyetje themelore: si mund të ruhet siguria e çdo komuniteti, duke i dhënë Republikës aftësinë për t’u reformuar? Një kushtetutë demokratike duhet…

Një javë pas zgjedhjeve që i dhanë fund sundimit 14-vjeçar të Aleksandar Vuçiqit, vëmendja e Prishtinës dhe e Brukselit është përqendruar te pyetja e madhe: çfarë do të bëjë Serbia e re me Kosovën? Por…

Liderët me jetëgjatësinë më të madhe politike në Ballkanin Perëndimor janë Aleksandar Vuçiqi, Edi Rama, Milorad Dodiku dhe lideri i shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, Ali Ahmeti. Rënia spektakolare e Aleksandar…

Kur mbaron durimi i popullit dhe lind kërkesa për një demokraci të vërtetë. Ka një çast në jetën e një shoqërie kur heshtja nuk është më durim, bindja nuk është më pajtim dhe frika nuk është…

Zgjedhjet në Republikën e Serbisë dhanë një rezultat pozitiv për Lëvizjen opozitare Studentore. Autokrati Aleksandër Vuçiq shkoi në opozitë, ndërsa djali i Milosheviçit, Ivica Daçiq, doli jashtë parlamentit. Ishte…

Ditët e fundit, në rrjete sociale po qarkullon një material audio, në të cilin dëgjohet qartë dhe pa ekuivok zëri i deputetit socialist Ulsi Manja, njëkohësisht edhe Kryetar i Komisionit Parlamentat të Ligjeve në Kuvendin e…

Ta dinë se pa Qeverinë Kurti nuk ka shtet me SOVRANITET, e as pa hajni dhe korrupsion. Këtë nuk e them unë, por të gjitha mediat më të besueshme në rajon dhe Evropë. Ata që manipulohen nga ata që dikur ishin në pushtet, mbase e…

Për më shumë se një dekadë, Kosova e ka shpjeguar ngecjen e saj me një emër: Aleksandar Vuçiq. Shpjegimi ka pasur bazë. Banjska, lobimi kundër anëtarësimit tonë në organizatat ndërkombëtare dhe kërcënimet e…

Evropa dhe Ballkani Perëndimor po përjetojnë një periudhë të veçantë të tensioneve politike, sociale dhe institucionale, e cila po shfaqet përmes protestave masive, mobilizimit të gjeneratave të reja, kundërshtimit të…

Diktaturat kanë shumë gjëra të ngjashme, por edhe dallime të mëdha. Megjithatë, një gjë e kanë plotësisht të përbashkët dhe të sigurt: rrëzimin dhe fundin e tyre. Mënyrat e shembjes janë të ndryshme….

Gjashtë ditë pas humbjes historike në zgjedhjet e 25 tetorit, Aleksandar Vuçiqi zgjodhi temën me të cilën do të rikthehej në skenë: Milan Radoiçiqin. Në një deklaratë për media serbe, të raportuar sot,…

Vrasja e Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës ka tronditur Kosovën dhe me të drejtë ka nxjerrë qytetarët në rrugë. Një grua që bëri gjithçka që i kërkonte ligji, që denoncoi dhunën, kërkoi…

Shqipëria nuk ka nevojë për riciklimin e krizave partiake, por për një përgjegjësi të re politike dhe kombëtare. Zhvillimet e fundit në Tiranë, ku studentët kanë refuzuar bashkimin me deputetët e Partisë Demokratike, duke…

Dorëheqja e drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Gazmend Hoxha, më 30 tetor 2026, pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, përbën një zhvillim me rëndësi të…

Një javë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, Kosova ende nuk ka gjetur gjuhën e duhur për të folur për të. 49-vjeçarja kishte trokitur në çdo derë institucionale: kishte denoncuar…

Ka javë kur politika e një vendi tregon më shumë sesa në vite të tëra. Për Shqipërinë, kjo është e tillë. Të enjten, Kuvendi miratoi me 84 vota ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë. Sipas nenit 72,…

Përpjekjet për largimin e Albin Kurtit dhe Donika Gërvallës nga pushteti nuk janë të sotme. Ato datojnë që nga ardhja e tyre në pushtet, me votën plebishitare të qytetarëve. Mes drejtësisë, sovranitetit dhe interesave të…

Arlinda Zekaj kërkoi ndihmë me shkrim disa herë, deri pak ditë para se ta vrisnin. Pesë ditë pas vrasjes, shteti ka pranuar zyrtarisht se me shumë gjasë ajo mund të ishte shpëtuar. Të premten, drejtori i Përgjithshëm i Policisë,…

Letra e dy kongresmenëve amerikanë, Joe Wilson dhe Keith Self, drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, nuk duhet parë thjesht si një zhvillim diplomatik apo si një tjetër deklaratë që do të kalojë pa lënë gjurmë…

Vrasja e Arlindës në Kosovë nuk është vetëm një tragjedi familjare, ajo nxjerr në pah një plagë shumë më të thellë të shoqërisë sonë, tolerancën e fshehtë dhe mbështetjen e heshtur që…

Afrim Gashi dha një përgjigje shumë të qëlluar dhe diplomatike lidhur me zgjedhjet për Komunën e Bërvenicës. Mesazhi i tij, i shprehur me fjalët: „Le të zgjidhet më i miri!“, përmban një parim të…

Renditjet ndërkombëtare të universiteteve nuk janë thjesht tabela statistikore ku institucionet arsimore vendosen në pozicione të ndryshme. Ato janë një instrument për të vlerësuar cilësinë e arsimit të lartë, kapacitetin…

Që në ish- Jugosllavi R e Maqedonisë sipas kushtetutës federale, po dhe shtetërore nuk ka qenë vetëm e maqedonasve, por edhe e shqiptarëve dhe turqëve, që të jemi më decid, derisa Serbia, Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi ishin shtete…

Mosfunksionimi i sundimit të ligjit është në prag nëse marrëdhëniet e brishta të besimit midis qeverisë dhe qytetarëve, dhe midis vetë qytetarëve, nuk përmirësohen." Këshilli i shtetit paralajmëron për…

Shteti ynë i ngjan një ndërtese, të cilën banorët e saj e kanë ndotur pa pushim për vite me radhë, por që tani janë mbledhur para hyrjes për të protestuar kundër erës së keqe. Askush nuk e pranon…

Vrasja e Arlinda Zekajt në Pejë nuk mund të kuptohet thjesht si një tragjedi familjare. Pas saj qëndron një histori e dhimbshme e konfliktit për përkujdesjen ndaj fëmijës, shfrytëzimin e pasurisë së përbashkët dhe…

Ballkani nuk është thjesht një hapësirë gjeografike në hartën e Evropës. Por është një rajon me histori të trazuar, me kujtesë të rëndë kolektive, me plagë që ende nuk janë mbyllur dhe me ëndrra…

Natyrisht, janë një tufë burimesh, faktorësh, forcash… që kanë ndezur dhe mbajnë në veprim krizat, trazirat, destabilitetin, protestat… në vendet kryesore të BE-së. Të brendshme e të jashtme. Të hershme e të reja apo…

Mospranimi eventual i kërkesave për dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pas protestave të 28 dhe 29 tetorit 2026, mund të shndërrohet në një…

Dhuna familjare – dukuri shoqërore dhe rrezik kriminal Nga këndvështrimi sociologjik dhe kriminologjik, vrasjet në kuadër të dhunës familjare nuk janë raste të izoluara, por pasoja të një dukurie që kërkon parandalim, trajtim…

Është vrarë me sëpatë nga kunati i saj, edhe pse kishte pasur nga Gjykata e Pejës një urdhër mbrojtës. U vra me sëpatë në shtëpinë e saj. Dyshohet se ky krim makabër ka ndodhur edhe në praninë e…

Në një demokraci, zbatimi i ligjit nga policia nuk është përgjegjësi personale e ministrit të Drejtësisë apo e ministrit të Brendshëm, aq më pak në kuptimin që ata të ndërhyjnë në vendimet e organeve të…

Katër ditë pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, institucionet e Kosovës më në fund lëvizën. Policia pezulloi njëmbëdhjetë zyrtarë, mes tyre drejtuesin e rajonit të Pejës dhe komandantin e…

Vrasja e Arlinda Zekajt e ka tronditur Kosovën. Një grua që kishte trokitur në dyert e drejtësisë dhe kishte kërkuar mbrojtje, përfundoi viktimë e asaj prej së cilës kishte frikë. Para një tragjedie të tillë, zemërimi…

Qindra qytetarë të Kosovës dje demonstruan në mbrojtje të jetës së grave pasiqë ngjarja e fundit e sensibilizoi opinionin publik. Në vitet e fundit në Kosovë janë shtuar rastet e krimit dhe vrasjeve të grave. Për pasojë…

Sigurisht, po ndjek me vëmendje të shtuar jo vetëm humbjen e merituar, ose fundin pa lavdi të Aleksandër Vuçiç (ish-ministrit të propagandës të Millosheviçit/kasapit të Ballkanit si dhe për 14 vite Nr. 1 i Serbisë), por…

Kur rinia i thotë jo klasës politike, opozita jemi ne!

Radoiçiqi, prova e parë e Serbisë pa Vuçiqin

Ligji kaloi, presioni u shtua: Kush përfiton nëse largohet Gërvalla?

Republika e Kosovës: nga mbijetesa kombëtare deri te sfidat e ndërtimit të shtetit

Në rastin e zgjedhjeve lokale 2025-2026 nuk ka vend për triumfalizëm në AKI

Hungaria hap dosjet e Sigurimit – Shqipëria ende thërret “Poshtë komunizmi”

Lufta e OJQ-ve me rilindasit dhe letërsinë shqiptare

Aksident mes tri veturave në Prishtinë, ka të lënduar

Arrestohet 20 vjeçari në Kaçanik, kishte urdhëresë gjyqësore

24 orët e së shtunës: Dy të vdekur nga aksidentet, 32 të lënduar

I shkon te shtëpia dhe e kanos babain e saj, arrestohet shtetasi maqedonas në Podujevë

“Mbi 100 të pushkatuar…”, si u shtyp kryengritja antikomuniste në Malësi të Madhe, më 25 janar 1945! Fati tragjik i krerëve të lëvizjes

Arrestimi i intelektuales disidente, si u persekutua Musine Kokalari! Pas gjashtë muajsh hetuesie, e nxorën në gjyq! Aktakuza e prokuror Nevzat Haznedari

10 kuriozitete që nuk i dini për Groenlandën

Shkencëtarët identifikojnë ADN-në më të vjetër njerëzore

Edhe sot, pas 14 vitesh, më mungon zëri yt, këshillat e tua dhe prania jote. Thonë se koha i shëron plagët, por mungesa…

Më mungoni në çdo hap të jetës. Dashuria, mirësia dhe kujtimi për ju nuk do të shuhen kurrë. U…

U bënë tri dekada – një jetë e tërë prej kur tragjikisht u nda prej nesh vajza e axhës Drita (Riza)…

Sot u bë 1 vit që kur ndërroi jetë më i dashuri ynë, Gani Rraci. Koha po kalon shpejt, por dhimbja, malli dhe…

Vëmendjen e të gjithëve e ka rrëmbyer Isabella Damon, vajza 20-vjeçare e aktorit të njohur hollivudian Matt Damon,…

Amal Clooney ka tërhequr vëmendjen me paraqitjen e saj elegante gjatë një mbrëmjeje romantike pranë bashkëshortit,…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *