“Rebelët” e LDK-së, institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë të hetojnë veprimet e gjashtë deputetëve”
Qëndrimi i gjashtë deputetëve të LDK-së ndaj procesit të zgjedhjes së Presidentit ka nxitur reagime të forta, por edhe thirrje për përmbajtje dhe kompromis politik. Ata akuzohen se po kontribuojnë në bllokimin e institucioneve dhe se veprimet e tyre mund ta çojnë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.
Në këtë përplasje, theksi vihet te përgjegjësia politike e të gjitha palëve dhe nevoja për gjetjen e një zgjidhjeje institucionale.
Përderisa njëra anë e sheh qëndrimin e gjashtë deputetëve si veprim që dëmton funksionimin e institucioneve, pala tjetër thekson se deputetët kanë mandat kushtetues dhe të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre.
Në fund, mbetet thirrja që zgjedhja e Presidentit të mos shndërrohet në burim të një bllokade të re, por në pikënisje për një kompromis politik dhe stabilitet institucional.
Gani Qarri akuzon gjashtë deputetët e LDK-së se po tentojnë të bllokojnë zgjedhjen e presidentit dhe ta çojnë vendin në zgjedhje të parakohshme
Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” ka folur lidhur me zhvillimet e fundit politike dhe qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së, të cilët janë kundër marrëveshjes aktuale politike.
Qarri i ka cilësuar ata si “6 rebelët e dështuar parapolitik të LDK-së”, duke thënë se, përveç kundërshtimit të kandidatit të propozuar nga vetë kryetari i partisë së tyre, Lumir Abdixhiku, dhe bartëses së listës së LDK-së, Vjosa Osmani, ata po përpiqen që të prishet edhe balanca për të cilën, sipas tij, kanë punuar gjatë Abdixhiku, Osmani dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Mjerisht 6 rebelët e dështuar parapolitik të LDK-së, përveç kundërshtimit të kandidatit të propozuar nga vet kryetari i partisë së tyre z. Lumir Abdixhiku dhe bartëses së listës së LDK-së zonjës Vjosa Osmani, ata qëllimisht, po përpiqen me të gjitha mundësitë, që të prishet edhe balanca për të cilën kanë punuar gjatë bashkë z. Abdixhiku e Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë z. Albin Kurti, në mënyrë që edhe në seancën parlamentare të mos mund të garantohet kuorumi dhe prof. dr. Bekim Sejdiut t`i pamundësohet zgjedhja për president të Republikës, ndërsa Kosovës, serish ti imponohet me çdo kusht shkuarja në zgjedhje të parakohshme”, ka deklaruar Qarri për ‘Bota sot’.
Sipas tij, nga ajo që dihet deri më tani, gjashtë deputetët e LDK-së nuk e kanë ideuar dhe vendosur vetë këtë veprim.
“Nga krejt ajo që dihet deri më tani, rebelët e LDK-së, nuk kanë ideuar as vendosur vet, për aktin e shëmtuar e aspak dinjitoz dhe për fatin e keq të Kosovës dhe qytetarëve të saj të stërlodhur nga politika të mbrapshta e lojërat e partive dhe grupeve të rebeluara të tyre, njëjtë si në rastin e vitit 2020, kur me ULTIMATUM të Richard Grenellit LDK & C0 rrëzuan Qeverinë Kurti, këta të rebeluar edhe tani kanë shkelur me të dy këmbët mbi interesat jetike të qytetarëve të vendit, e interesat e partisë së vet dhe për ta dëmtuar sa më rëndë shtetin e Kosovës janë shndërruar në grigjë të dëgjueshme të dylberit Grenell, duke bërë siç u thotë ai, i cili edhe këtë herë përshëndeti dhe mbështeti publikisht veprimin e rebelëve të LDK-së”, ka thënë Qarri.
Ai ka vijuar me kritikat ndaj gjashtë deputetëve, duke thënë se kjo është hera e dytë që, sipas tij, ata veprojnë në dëm të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
“Është hera e dytë publike që rebelët politik, i kanë hipur mbi qafë Kosovës dhe popullit të saj, dhe duan t`ua zënë frymën; popullit që i veshi me mandatin e deputetit dhe; shtetit të Kosovës i cili ata i paguan me taksat e qytetarëve edhe kur ndërmarrin veprime të tilla të hapura antishtetërore, siç po veprojnë edhe aktualisht pa fije turpi dhe me mungesë totale të ndjesisë kombëtare e shtetërore”, ka deklaruar ai.
Qarri ka ngritur akuza edhe për ndikime të mundshme nga jashtë, duke përmendur Richard Grenellin dhe Serbinë.
“Për aq më tepër 6-tja e rebeluar, duket se serish po veprom për interesat e një njeriu si Grenelli, e për aq më keq, në mënyrë të tërthortë apo edhe të drejtpërdrejtë edhe për përmbushjen e interesave të Serbisë dhe dëshirës së Aleksandër Vuçiqit, që pikërisht ditën e shtetësisë së Serbisë më 15 shkurt 2023 e ka dekoruar Grenellin me “Urdhërin e Flamurit Serb”, apo një nga medaljet më të larta që ndanë Qeveria dhe shteti i Serbisë për kontributin e Grenellit në forcimin e marrëdhënieve miqësore ndërmjet Serbisë dhe ShBA-ve, ndaj tani duket se në festën e radhës të shtetësisë së Serbisë, në pritje me gjasa reale për dekorim nga Vuçiqi, mund të jetë grupi i 6-sht, të rebeluarëve të LDK-së, për bllokimin e zgjedhjes së presidentit, lënien e vendit pa institucione e qeverisje stabile dhe çuarjen e Kosovës në zgjedhje të parakohshme”, është shprehur Qarri.
ImageGani QarriFoto galeri
Më tej, ai ka hedhur dyshime edhe për mundësinë që gjashtë deputetët të jenë nën presion ose shantazh, duke pretenduar se mund të jenë të detyruar ta vazhdojnë atë që ai e quan “mision antishtetëror e antikombëtar”.
“Futja e tyre në shërbim të huaj, qoftë të Grenellit apo edhe të agjenturave të huaja sekrete, dëshmon qartë se 6-sht’ të rebeluarit’ e LDK-së, mund të jenë të detyruar apo edhe nën shantazh të fuqishëm, që ta qojnë misionin antishtetëror e antikombëtar deri në fund, ndaj dhe po të duan, ata tanimë as që guxojnë të reflektojnë e të kontribuojnë për zgjedhjen e Presidentit, kështu që si deputet me mandat të pamerituar, dhe me veprime të haputra publike kundër qytetarëve dhe shtetit të tyre, ata do të vazhdojnë ta mbajnë peng vendin deri në fund të mandatit, të cilin shihet se kanë përfituar total gabimisht”, ka deklaruar Qarri.
Në fund, Qarri ka kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë të hetojnë veprimet e gjashtë deputetëve, duke përmendur Prokurorinë Speciale dhe AKI-në.
“Prandaj, kundër keqpërdorimeve të fuqisë që atyre u jep mandati i deputetit, në kohën kur po zbulohen dhe kapen përdit e më shumë spiun të BIA-së dhe bashkëpunëtor të Serrbisë, Prokuroria Speciale dhe AKI, përfundimisht duhet të merren në mënyrën më serioze të mundshme me sjelljet e tyre të papërgjegjshme dhe ta bëjnë deklasimin e qartë të veprimeve politike të 6-t, të rebeluarve në fjalë, se a ishin në përputhje me ligjin e Kushtetutën, apo ishin akte penale, kundër shtetit dhe interesave të qytetarëve të Kosovës, të cilët duhet të vendosen urgjentisht para drejtësisë për dëmin e shkaktuar dhe përgjegjësinë që mbajnë si të mandatuar të popullit me veprimet e tyre të hapura kundër interesave të qytetarëve dhe vet shtetit të Kosovës”, ka përfunduar Qarri.
Dili thotë se të gjitha palët duhet të tregojnë përgjegjësi politike dhe të jenë të gatshme për kompromis për zgjedhjen e Presidentit
Ndërsa, edhe analisti Visar Dili ka komentuar për “Bota sot” qëndrimin e gjashtë deputetëve të LDK-së lidhur me zhvillimet politike dhe zgjedhjen e Presidentit të Republikës së Kosovës.
ImageVisar DiliFoto galeri
Dili ka thënë se është ende herët të paragjykohet se cili do të jetë qëndrimi përfundimtar i gjashtë deputetëve të LDK-së. Megjithatë, sipas tij, duke pasur parasysh rëndësinë që ka zgjedhja e Presidentit për funksionimin institucional të vendit, të gjitha palët duhet të tregojnë përgjegjësi politike dhe të jenë të gatshme për kompromis.
“Sa i përket gjashtë deputetëve të LDK-së, mendoj se është ende herët të paragjykohet se cili do të jetë qëndrimi i tyre përfundimtar. Megjithatë, duke pasur parasysh rëndësinë që ka zgjedhja e Presidentit për funksionimin institucional të vendit, do të ishte e nevojshme që të gjitha palët të tregojnë përgjegjësi politike dhe të jenë të gatshme për kompromis”, ka deklaruar Dili për ‘Bota sot’.
Ai ka thënë se nuk do ta cilësonte domosdoshmërisht situatën si “mbajtje peng të vendit”, pasi deputetët kanë mandat kushtetues dhe të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre.
“Nuk do ta cilësoja domosdoshmërisht situatën si ‘mbajtje peng të vendit’, sepse deputetët kanë mandat kushtetues dhe të drejtë të shprehin qëndrimin e tyre. Por, nëse mospajtimet vazhdojnë pa një përpjekje serioze për të gjetur zgjidhje, atëherë pasojat politike dhe institucionale i bart i gjithë vendi”, është shprehur analisti.
Sa i përket qëllimit të gjashtë deputetëve, Dili ka thënë se pa i dëgjuar drejtpërdrejt ata dhe pa pasur një qëndrim të qartë nga vetë deputetët, do të ishte e pasaktë të spekulohej për arsyet e qëndrimit të tyre.
“Për sa i përket qëllimit të tyre, pa i dëgjuar drejtpërdrejt dhe pa pasur një qëndrim të qartë nga vetë deputetët, do të ishte e pasaktë të spekulohej. Mund të ketë arsye politike, parimore apo strategjike, por ato duhet t’i shpjegojnë vetë”, ka thënë Dili.
Në fund, ai ka theksuar se presioni kryesor duhet të jetë në drejtim të gjetjes së një zgjidhjeje institucionale nga politika.
“Në fund, presioni kryesor duhet të jetë që politika të gjejë një zgjidhje institucionale. Presidenti nuk duhet të jetë arsye për bllokim të institucioneve, por pikë ku mund të ndërtohet një kompromis politik që i shërben stabilitetit të vendit”, ka përfunduar Dili.
